Në Philadelfia me veprimtari të shumta u festua Dita e Flamurit

Sadik Elshani

28 Nëntori – Ditë e Madhe, Ditë e Shenjtë

 

28 Nëntori – Dita e Flamurit është një Ditë e Madhe, Ditë e Shenjtë, dita më e rëndësishme në historinë shumëshekullore të kombit tonë. Atë ditë të Vitit të Madh, 1443, Skenderbeu u kthye në Krujë, ngriti flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenare në mes, për të shënuar pastaj periudhën më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Dhe pas një pushtimi gati pesëshekullorë, më 28 nëntor të vitit 1912, në praninë e përfaqësuesve nga të gjitha trevat shqiptare, Shqipëria u shpall shtet i pavarur. Dita e shpalljes së pavarësisë së një vendi padyshim është ngjarja më e rëndësishme në historinë e atij vendi, por për shqiptaret nuk është vetëm një ditë që qëlloi të jetë dita e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, është edhe diçka shumë më tepër: 28 Nëntori është një datë që përshkon një hark pesëshekullor, është një rrugëtim shumëshekullor kombëtar që mishëron përpjekjet, sakrificat, vuajtjet, luftërat e pandërprera të popullit tonë për liri e pavarësi. Është dita që i bashkon të gjithë shqiptarët, dita në të cilën përkulemi e nderojmë të gjithë ata që flijuan jetën e tyre për lirinë e çdo pellembi të tokës shqiptare, në të gjitha luftërat që ka bërë populli ynë që nga koha ilire e gjer në ditën e sotme.

Të tjerat i ka thënë historia dhe tani të përqëndrohemi te veprimtaritë e shumta që shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia (Philadelphia) ka organizuar për ta shënuar këtë Ditë të Madhe, Festën tonë Kombëtare.

 

Mbrëmja e Madhe e Flamurit

Si çdo vit tjetër më parë, më 23 nëntor u organizua Mbrëmja e Madhe e Flamurit me një darkë të begatë e program të pasur artistik – muzikor. Salla ishte zbukuruar si është më mirë me simbolet tona kombëtare. Binte në sy një stend e bukur e stolisur me flamujt kombëtarë shqiptarë e amerikanë ku të pranishmit i bënin fotografitë e rastit. Për këtë edhe këtë herë ishte kujdesur zoti Haki Çollaku. Ditë më parë të gjitha biletat ishin shitur për këtë mbrëmje dhe nuk vonoi shumë, salla u mbush me plot bashkatdhetarë, të cilët vinin nga të gjitha krahinat shqiptare. Kjo është ajo porosia e madhe e 28 Nëntorit: Të gjithë së bashku, në ditë feste e në ditë të vështira – rreth flamurit të përbashkuar, ashtu siç na thërret edhe Himni ynë Kombëtar.

Në fillim të mbrëmjes një grup i fëmijve të shkollës “Gjuha Jonë” që drejtohet nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, të veshur me veshjet tona kombëtare, i përshëndetën të pranishimt me dy këngë dhe disa vargje të Naim Frashërit: “Ti Shqipëri më ep nder…” Mbrëmjen e hapi z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, i cili i përshëndeti të pranishmit duke u uruar atyre mirëseardhjen dhe 28 Nëntorin. Fjalën e rastit e mbajti zoti Edlion Pajollari, anëtar i Këshillit Drejtues të shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Edhe z. Pajollari u uroi atyre festën tonë kmbëtare dhe pastaj foli për rëndësinë e kësaj Dite të Madhe të historisë sonë kombëtare. Në vazhdim të fjalës së tij z. Pajollari u bëri thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që të bashkohen rreth shoqatës “Bijtë e Shqipes”, ta ndihmojnë shoqatën, ta ndihmojnë shkollën shqipe. Ai u bëri thirrje edhe të gjithë prindërve që t’i sjellin fëmijët në shkollë, t’i tuajmë gjuhën dhe traditat tona. Pas këtyre fjalimeve të shkurtëra radhën e mori kënga dhe vallja shqiptare.

Të pranishmit i argëtoi grupi muzikor në përbërje: Bujar Uka, Çimi, Nila Uka, Xhemi Nokshiqi, Altin Malo dhe Alket Bega. Gjatë tërë mbrëmjes u kënduan këngë dhe u luajtën valle nga të gjitha trevat shqiptare. Gjatë pauzave bëheshin njoftime e paraqitje të ndryshme.

Në këtë mbrëmje festive merrnin pjesë edhe Senatori i Shtetit të Pensilvanias, zoti John Sabatina dhe Përfaqësuesi i Shtetit (State Representative) në Dhomën e Përfaqësuesve të Shtetit të Pensilvanias, zoti Michael Driscoll. Ata falenderuan për ftesën dhe shprehën kënaqësinë e tyre që po merrnin pjesë në një mbrëmje kaq të bukur festive. Ata i përshëndetën të gjithë të pranishmit, duke u uruar atyre festën kombëtare dhe duke i këshilluar ata që t’i mbanin gjallë gjuhën dhe traditat e tyre kombëtare. Kjo mbrëmje ishte edhe një rast shumë i përshtatshëm për t’i nderuar disa veprimtarë të dalluar të bashkësisë sonë shqiptaro – amerikane. Ditë më parë Këshilli Drejtues i shoqatës “Bijtë e Shqipes” kishte vendosur që me këtë rast të nderoheshin këta bashkatdhetarë: Zoti Eqerem Murataj, me certifikaten, “Nderi i Komunitetit”; zoti Dëfrim Pajollari, me “Certifikatë Mirënjohjeje”. Ndërsa zoti Haki Çollaku u shpall “Njeriu i Vitit” për punën e tij të vlerë e të palodhur që ka bërë në drejtimin e punimeve për meremetimin dhe restaurimin e ndërtesës së re të shoqatës. Në një nga pauzat e koncertit festiv u organizua edhe llotaria, ku disa biznese shqiptare e amerikane kishin dhuruar disa çmime, dhurata dhe gift cards.

Kënga dhe vallja jehuan gjer në orët e vona të mbrëmjës, deri në mesnatë. Kjo mbrëmje festive kaloi në një atmosferë të gëzueshme vëllazërore e familjare: bashkatdhetarët vallëzonin, bisedonin, uronin njeri – tjetrin. Por, me kaq nuk kishin mbaruar veprimtaritë tona – na prisnin detyra dhe angazhime të tjera të rëndësishmë: pjesëmarrja në Paradën e Ditës së Falenderimeve ne Filadelfinë Verilindore (Northeast Philadelphia), ngitja e flamurit Kuq e Zi në bashkinë e Filadelfias, vizitat në familjet shqiptare, etj.

 

Jehon kënga dhe vallja shqiptare në Paradën e Ditës së Falenderimeve

 

Ka tri vite që shoqatës sonë i është shtuar edhe një veprimtari e rëndësishme që zhvillohet në Philadelphia dhe përkon bukur me festimet tona të festës sonë kombëtare: Është pjesëmarrja jonë në paradën “Holmsburg Mayfair Thanksgiving Parade”. Kjo paradë që nga viti 1976, viti i saj i themelimit, organizohet në Northeast Philadelphia (Philadelphia Verilindore) përghjatë Frankford Avenue. Në këtë paradë parakalojnë grupe të ndryshme: politikanë vendorë e në nivel të qytetit e shtetit, organizata, shoqata, biznese vendore, grupe artistike, banda muzikore shkollore, etj. Këtë vit parada u zhvillua ditën e diel më 24 nëntor, një ditë pak e ftohtë e me reshje të herëpashershme (shi e borë) – kohë jo aq e përshtatshmë për të marshuar.

Kjo paradë për ne është një rast i mirë për t’u paraqitur para qytetarëve të Philadelphias, për të paraqitur veshjet (kostumet) tona kombëtare nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, muzikën dhe vlerat tona kombëtare, për ta bërë të njohur shoqatën dhe bashkësinë (komunitetin) tonë që tani është bërë një pjesë e organizuar e jetës së qytetit të Philadelphias. Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha jonë”, që drejtohet nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, ishin veshur me veshjet e bukura kombëtare dhe së bashku me mësueset, prindërit e bashkëkombasit e shumtë ishin bërë gati për të marshuar, por siç cekëm më larrt, për shkak të kushteve të vështira atmosferike shumica e pjesëmarrësve rrugëtimin e parashikuar të paradës e bënë me makina. Kryetari i shoqatës, Bujar Gjoka dhe anëtari i kryesisë dhe ish kryetari i shoqatës, Sadik Elshani, nuk u “dorëzuan” dhe ecnin në këmbë, duke i prirë grupit tonë dhe duke e mbajtur në dorë banderolën me llogon e shoqatës. Nga makina ku ishte vendosur qendra e zërit jehonin këngët e vallet shqiptare, ku mbizotëronin ato me motive atdhetare, duke filluar nga Himni ynë Kombëtar që gjithmonë i prinë marshimit të grupit tonë. Gati të gjithë pjesëtarët e grupit tonë mbanin në duar flamuj dhe nga dritaret e makinave i valvisnin flamujt Kuq e Zi dhe ata amerikanë. Kënga dhe vallja shqiptare jehonte në të katër anët e kësaj pjese të qytetit. Përcjellësit e kësaj parade edhe pse në numër jo aq të madh krahasuar me vitet e tjera, i pëlqenin shumë kostumet tona me ngjyra vezëlluese e të stolisura e të dizejnuara me plot shije. Ndërsa shumë prej tyre me gjeste me duar e me trup u bashkoheshin ritmeve plot dinamizëm të muzikës sonë. Në pikën e fundit ku mbaronte parada të gjitha grupet shfaqnin nga një program treminutësh, ndërsa grupi yne vallëzoi nën ritmet e këngës “Xhamadani vija vija”. Konferencierët (paraqitësit) bën edhe një paraqitje të shkurtër për shoqatën tonë, me këtë rast ata theksuan edhe blerjen e godinës sonë të re që ka vlera historike për qytetin e Philadelphias dhe shtetin e Pennsylvanias, si godina më e vjetër shkollore në tëtë shtetin që ende qëndron në këmbë.

Edhe në këto kushte jo aq të përshtatshme për paradë, paraqitja jonë edhe këtë vit ishte mjaft dinjitoze dhe e organizuar mirë dhe të gjithe mezi që po presim për paradën e ardhshme, sidomos fëmijët, për të cilët kjo duhet të jetë një përvojë e mirë jetësore dhe atdhedashuri, krenarie kombëtare.

 

Në sheshin e bashkisë së Filadelfias u ngrit flamuri Kuq e Zi

Sot më 26 nëntor, 2019 shqiptarët në Filadelfia për të tetën herë e ngriten flamurin Kuq e Zi në sheshin e bashkisë së qytetit – këtë radhë në gjysmë shtizë. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme dhe shumë e gëzuar për bashkësinë shqiptaro – amerikane të Filadelfias. Në sheshin e bashkisë jehon kënga dhe vallja shqiptare, sheh vetëm fytyra të qeshura, por sot atmosfera ishte shumë hijerëndë, seriooze, sepse vetëm disa orë më parë Shqipëria jonë e dashur ishte goditur nga një termet shumë i fuqishëm që shkaktoi edhe vdekjen e 24 bashkëkombeësve tanë (me vonë ky numër arriti në 51). Meqenëse në bashkëpunim me institucionet përkatëse të qytetit të Filadelfias data e ceremonisë së ngritjes së flamurit ishte caktuar një vit më parë dhe nuk mund ta shtynim për ndonjë ditë tjetër, atëherë vendosëm që ceremonia të vazhdojë, por këtë radhë pak më ndryshe se herave të tjera. Prandaj, në rrethana të tilla shumë serioze për Shqipërinë dhe gjithë kombin tonë ne nuk mund të festonim, por mund ta ngrenim flamurin tonë. Në raste të gëzueshme dhe në raste të vështira si sot, shqiptarët mblidhen rreth flamurit të përbashkuar, ashtu siç na thërret edhe Himni ynë Kombëtar. Edhe këtu ne Filadelfia në këtë ceremoni hijerandë shqiptarët u mblodhen rreth flamurit të përbashkuar dhe u zotuan se do ta ndihmojnë Shqipërinë në këto çaste të vështira. Që aty filloi edhe fushata për mbledhjen e fondeve monetare.

Ceremoninë e hapi z. Sadik Elshani, anëtar i kryesisë dhe ish kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, i cili i përshëndeti të pranishmit, duke e shprehur pikëllimin për ngjarjen tragjike që e ka goditur Shqipërinë dhe i njoftoi të pranishmit për ndryshimet në ecurinë e ceremonisë së ngritjes së flamurit. Pastaj ai i ftoi të gjithë të pranishmit që të mbanin një minutë heshtje në nderim të viktimave të termetit të sotëm. Për të ngritur flamurin ishte caktuar zoti Banjamin Risilia, veprimtar i vjetër i bashkësisë shqiptaro – amerikane në Filadelfia. Familja Risilia për më shumë se gjysëm shekulli ka qenë në shërbim të bashkesisë shqiptaro – amerikane të Filadelfias. Falë mjeteve financiare të dhuruara nga Familja Risila, shoqata “Bijtë e Shqipes” që nga viti 2006 e ka godinën e saj. Pas këndimit të himneve kombëtare të ShBA-ve dhe atij të Shqipërisë, fjalën e rastit e mbajti z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, i cili që në fillim e shprehu dhimbjen për viktimat dhe tragjedinë që e ka goditur Shqipërinë. “Sot cerermoninë e ngritjes së flamurit nuk do ta bëjmë si heret tjera, pasi siç jeni njoftuar, në orët e para të mëngjesit atdheu yëe u godit nga lëkundje të forta termeti e si pasojë deri më tani kemi14 viktima, rreth 300 të plagosur dhe shumë dëme materiale… Në kooperim me personelin e bashkisë kemi vendosur që në nder të viktimave flamuri ynë kombëtar të ngrihet në gjysëe shtize (half-staff). Që sot ne do të fillojmë fushatën për ngritjen e fondeve financiare dhe materiale për të ndihmuar sado pak familjet e dëmtuara”, u shperh z. Gjoka. Pastaj ai foli për rëndesinë e 28 Nëntorit, kësaj Dite të Madhe, Dite të Shenjtë, ditës më të shënuar në historinë e lavdishme shumëshekullore të popullit tonë. Në vazhdim ai foli edhe për miqësinë ne mes të ShBA-ve dhe Shqipërisë, dashurinë e shqiptarëve për Amerikën. Gjithashtu ai e theksoi edhe rolin e shqiptarëve, të cilët me talentin dhe punën e tyre në të gjitha fushat e jetës janë duke e dhënë ndihmesën e tyre për zhvillimin e Filadelfias dhe gjithë Amerikës.

Ne emër të kryebashkiakut (Mayor) të Filadelfias, Jim Kenney, përshëndeti zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit të Filadelfias. Edhe zonja Hess që në fillim të fjalës së saj e shprehu pikëllimin e saj për tragjedinë që e ka goditur Shqipërinë dhe u shprehu ngushëllimet e saja gjithë të pranishmëve, Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve. Pastaj ajo falenderoi shoqatën “Bijtë e Shqipes” për ndihmesën e dhënë për të organizuar këtë ceremoni të përbashkët. Ajo shtoi se Filadelfia është një qytet i pasuruar me llojshmërinë e popujve të ndryshëm që vijnë nga të gjitha anët e globit dhe e zgjedhinë Filadelfinë si shtëpi të tyre për të rritë familjet, bërë biznes dhe për të përparuar. Ndërsa për rolin e shqiptarëvë në Filadelfia ajo u shpreh: “Qyteti mirëpritës i Filadelfias përparon (lulëzon) me kontributin që e bëjnë shqiptaro – amerikanët e Filadelfias në të gjitha fushat e jetës së qytetit – zhvillimin ekonomik e tregtar si dhe karakterin dhe pasurinë kulturore të lagjeve tona.” Ajo gjithashtu i njoftoi të pranishmit se qyteti i Filadelfias dhe kryebashkiaku Kenney janë të përkushtuar për t’i mirëpritur emigrantët nga të gjitha anët e botës. Pas mbarimit së fjalës së saj zonja Hess i dorëzoi kryetarit Bujar Gjoka Proklamatën me të cilën kryebashkiaku Kenney e shpallte ditën e marte, 26 nëntor, 2019 si ditën për të respektuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Ne emër të Zyrës për Çështje të Emigrantëve përshëndeti drejtoresha e kësaj zyreje, zonjusha Amy Eusebio. Edhe ajo e theksoi se Filadelfia është qytet ku emigrantët janë të mirëpritur dhe zyra që ajo drejton gjithmonë do të jetë në shërbim të emigrantëve, për t’i ndihmuar ata, për t’i bashkërenduar veprimtaritë e ndryshme kulturore, shoqërore, sportive dhe për t’u integruar më mirë në jetën e qytetit

Edhe në çaste të gëzueshme edhe në ditë të vështira gjithmonë do të brohorasim: Rroftë 28 Nëntori, Dita e Flamurit, Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë! Rroftë Shqipëria.

Kështu ndodhi edhe sot në Filadelfia. Amerikanët për raste të tilla e përdorin fjalën, “bittersëeet” (e embla e hidhur), një ndjenjë e përzierjes së gezimit dhe hidhërimit. Tani jemi duke bërë përpjekje maksimale për të mbledhur sa më shumë fonde financiare për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti që e goditi shqipërinë më 26 nëntor.

Sadik Elshani

Filadelfia, 2 dhjhetor, 2019

 

 

Comment

*