Në Prishtinë, zbulohet obelisku kushtuar viktimave të 11 Shtatorit

Prishtinë, 11 shtator 2019 – Në oborrin e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës sot në mëngjes u zbulua një obelisku i ngritur në nderim të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në faqen ballore të obeliskut të mermertë është skalitur logoja e Qeverisë së Kosovës dhe dedikimi “Kosovo Remembers” dhe “Kosova kujton”, si edhe data 11 shtator 2001. Në katër faqet e saj janë shënuar emrat e ndërtesave dhe që kanë qenë cak i sulmeve.

Zbulimin e obeliskut e bënë bashkërisht kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett.

Në fjalën e tij, Haradinaj tha se edhe Kosova e përjetoi rëndë sulmin mbi popullin mik të Amerikës, para 18 vjetësh.

“Kosova kujton çdo vit të rënët e kësaj dite dhe bashkëndjejmë me Amerikën, këtë ditë do ta kthejmë në traditë në nderim të çdo 11 shtatori të çdo viti. Para se të fillojmë punën do t’i nderojmë ata që ranë në sulmet e 11 shtatorit, sepse i konsiderojmë si tanët, sepse Amerika është garanci për sigurinë në botë”, tha Haradinaj.

Ambasadori Kosnett tha se amerikanët nuk ishin viktimat e vetme dhe kujtoi se në këto sulme u vranë qytetarë nga 77 shtete të botës.

“Ky ishte vërtetë një sulm ndaj qytetërimit”, tha ai.

Ambasadori Kosnett e vlerësoi mbështetjen e qytetarëve të Kosovës:

“Amerika gjithmonë do të kujtojë ndihmën nga e gjithë bota dhe përgjigja e miqve tanë nga Kosova ishte e menjëhershme dhe e sinqertë. Pas sulmit në Kosovë njerëzit mblidheshin që të parakalonin dhe mbështesnin Amerikën me ndezjen e qirinjve, dhurimin e gjakut, madje disa qytetarë të Kosovës dolën vullnetarë që t’i bashkohen ushtrisë amerikane që të luftojnë në luftën globale kundër terrorizmit. Kjo mbështetje e përzemërt, spontane, është një konfirmim i një lidhjeje të thellë në mes të qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe qytetarëve të Kosovës. Ky partneritet tejkalon çdo parti politike ose udhëheqës individual”, tha ambasadori Kosnett.

Pas zbulimit të obeliskut, Haradinaj dhe ambasadori Kosnett, si edhe pjesëmarrësit tjerë në ceremoni, bënë homazhe për viktimat e sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001.

Në sulmet terroste të 11 shtatorit në SHBA e kanë humbur jetën rreth 3 mijë qytetarë amerikanë. (r.m.)

Comment

*