Në QKUK vdes një pacient, familja njoftohet se i ndjeri ishte me Covid-19

Prishtinë, 29 qershor 2020 – Një pacient nga komuna e Malishevës ka vdekur të hënën në mbrëmje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Komuna e Mlishevës njofton se i ndjeri nuk ishte në mesin e pacientëve të prekur nga Covid-19, por, pas vdekjes, autoritetet spitalore e kanë njoftuar familjen se ai ishte i infektuar me këtë virus dhe kanë kërkuar që ceremonia e varrimit të mbikëqyret nga organet komunale.

Në njoftimin e komunës bëhet e ditur se i ndjeri ishte i shtruar për trajtim në Klinikën e Nurologjisë, por nuk saktësohet nëse ai ka vdekur në këtë klinikë apo është transferuar ndërkohë në ndonjërën prej klinikave të cilat janë shndërruar në qendra spitalore Covid-19.

“Organet komunale janë njoftuar për rastin, pasi i është kërkuar mbikëqyrja e varrimit, nga ana e inspektorëve komunalë, e po ashtu edhe familjarët kanë sqaruar se për këtë janë njoftuar vetëm pas vdekjes së familjarit të tyre, i cili ka qenë i shtrirë në neurologji dhe jo në klinikë infektive”, thuhet në njoftimin e komunës.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë njoftuar ende asgjë lidhur me këtë rast.

Në qoftë se konfitrmohet njoftimi se i ndjeri ishte i infektuar me Covid-19, numri I viktimave të kësaj epidemie në Kosovë shkon në 50. (r.m.)

Comment

*