Në Serbi arrin kontigjenti i parë i vaksinave të kompanisë “AstraZeneca“

Beograd, 21 shkurt 2021 – Kontingjenti i parë prej 150.000 dozave të vaksinës kundër koronavirusit, të kompanisë “AstraZeneca“, të prodhuara në Indi, ka arritur në Serbi, të dielën në mëngjes.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se sigurimi i këtyre vaksinave është mundësuar nga bisedimet tripalëshe në mes Serbisë, Britanisë së Madhe dhe Indisë.

“Faleminderit për mbështetjen e Serbisë dhe për mundësinë që të importojmë nga India. Ky moment është me shumë rëndësi për ne,” ka thënë Vuçiq.

Ambasadorja britanike në Serbi, Sian McLeod, ka thënë se është e lumtur për arritjen e vaksinave të kompanisë “AstraZeneca“ në Serbi.

“Vaksinimi i botës do të thotë punë globale. Unë pres që këto vaksina të jenë në dispozicion në gjithë botën së shpejti,” është shprehur ajo.

Vijay Kumar nga ambasada e Indisë, ka thënë se Serbia është vendi i parë në rajon që siguron këto vaksina të prodhuara në Indi.

“Kryeministri indian Narendra Modi ka thënë në disa raste që India do t’i bëjë kapacitetet e saj të prodhimit, të disponueshme edhe për vendet e tjera,” ka deklaruar mes tjerash Kumar.

Serbia është një nga pak vende të botës që ka në dispozicion katër vaksina të ndryshme kundër koronavirusit. Deri më tani ajo ka siguruar vaksinën e kompanisë amerikane “Pfizer“, vaksinën ruse “Sputnik V“, vaksinën kineze “Sinopharm“ dhe vaksinën e kompanisë “AstraZeneca“.

Vuçiq ka  thënë se Serbia pritet të sigurojë vaksinat tjera kundër koronavirusit, përmes mekanizimit ndërkombëtar COVAX, në fund të marsit ose fillim të prillit.

(r.m.)

Comment

*