Në Serbi vazhdojnë protestat kundër Vuçiqit

Beograd, 8 prill 2017 – Mijëra njerëz janë mbledhur përsëri të shtunën në mbrëmje para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, në Beograd, ku kanë protestuar kundër zgjedhjes së Kryeministrit Aleksandar Vuçiq për president të ri të Serbisë.

Protestuesve në Beograd u janë bashkuar edhe qindra policë dhe ushtarë, të cilët kanë protestuar për shkak të rrogave të ulëta dhe standardit të varfër për jetë.

Protestuesit konsiderojnë se Aleksandar Vuçiq është një lider autokrat, ndërsa Partia Progresiste Serbe është e korruptuar.

Kjo ishte protesta e gjashtë me radhë kundër fitores së Vuçiqit në zgjedhjet e 2 prillit, për të cilat opozita thotë se janë karakterizuar nga parregullsi të shumta, përfshirërë kontrollin e mediave, frikësimin e  votuesve dhe blerjen e votave.

Në mesin e pankartave të shumta që mbanin në duar protestuesit dominonte një pankartë e madhe në të cilën shkruante: “Vuçiq o hajdut, i ke vjedhur zgjedhjet”.

Protesta kundër autokracisë së Vuçiqit janë mbajtur edhe në disa qytete të tjera të Serbisë. (r.m.)

Comment

*