Në Serbi, zhduket gazetari që ka shkruar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Beograd, 14 qershor 2018 – Autoritetet në Serbia thanë se janë vënë në kërkim të gazetarit Stefan Cvetkoviq nga Bela Crkva, i cili është zhdukur që nga mbrëmja e së mërkurës.

Dëshmitarët okularë kanë thënë se vetura e tij i kishte dyert e hapura. Afër veturës është gjetur një orë dore me rripin e këputur, gjë që shpie në përfundimin se, me gjasë, ai është nxjerrë me dhunë nga vetura.

Autoritetet thanë se kanë dërguar helikopterë, trupa shtesë të xhandarmërisë dhe njësitë e zhytësve për të kërkuar gazetarin e zhdukur, raportojnë mediet serbe.

Gazetari Cvetkoviq ishte i njohur për hulumtimin e shumë aferave, përfshirë edhe vrasjen e politikanit lokal serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Në muajin shkurt ai ka mbajtur konferencë për gazetarë në Beograd me titullin “Sa kushton likuidimi në veri të Kosovës?” Me atë rast ai ka treguar edhe fotografi të njerëzve që thuhet se kanë qenë të përzier në likuidimin e Oliver Ivanoviqit dhe ka përcjellë pretendimet se ky atentat është paguar 40,000 euro.

Më 19 maj të këtij viti, Cvetkoviq u ka thënë mediave se është mbajtur 6 orë në vendkalimin kufitar mes Kosovës e Serbisë në Jarinjë. Ai ka treguar se më pas nga Policia e Kosovës e ka marrë një dokument që konfirmonte se ai ishte ndaluar me urdhër të Prokurorit Special që i udhëheq hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Muajt e fundit, ai është ankuar disa herë se është kërcënuar për shkak të hulumtimeve të tij. (r.m.)

Comment

*