Në Shkup, xhudistet serbe nuk dolën në podium me xhudistet kosovare

Prishtinë, 11 shtator 2017 – Rreth një muaj më parë, kreu i Komitetit Olimpik të Serbisë, Bozhidar Malkoviq, deklaroi se sportistët serbë nuk do të largohen nga podiumi, edhe nëse atë e ndajnë me sportistë nga Kosova.

Por, sportistët serbë nuk e treguan sportivitetin e tyre që në rastin e parë, shkruan “Koha Ditore”.

Xhudistët serbë e shpërfillën urdhrin e presidentit të Komitetit Olimpik të Serbisë, Bozhidar Malkoviq, në Kampionatin Ballkanik që përfundoi të shtunën në Shkup.

Dy garueset nga Serbia nuk u ngjitën në podium gjatë ceremonisë së pranimit të medaljeve në kategoritë ku triumfuan Disitria Krasniqi (52 kg) dhe Loriana Kuka (70 kg). Krasniqi  dhe Kuka fituan medaljet e arta.

Serbet nuk e respektuan as intonimin e himnit të Kosovës dhe kjo nuk është hera e parë që sportistët e vendit fqinj tregojnë josportivitet.

“Nëse kjo nuk i pëlqen kreut shtetëror, atëherë le të më ndërrojë. Nëse dikush në shtet është kundër kësaj, atëherë duhet të më ndjekë. Nuk e njohim Kosovën, kjo është e qartë për të gjithë, por kur sportistët fitojnë medalje, duhet të qëndrojnë në podium, pavarësisht se kush tjetër është në atë podium”, pati thënë Malkoviq muajin e shkuar, në një intervistë për “Nedeljnik.rs” (r.m.)

Comment

*