Në Shqipëri kremtohet 6 Janari, Dita e Ujit të Bekuar

Dita e Epifanisë, ose ndryshe e njohur si dita e Ujit të Bekuar është festuar nga të gjithë besimtarët e krishterë. Pavarësisht temperaturave të ulëta të rinjtë janë futur në ujë për të marë kryqin që simbolizon bekim për gjithë vitin për këdo që e merr.

Dita e Epifanisë u festua nga të gjithë besimtarët e krishterë në të gjithë vendin.

Në Berat nën temperatura të acarta, është zhvilluar ceremonia e ditës së ujit të bekuar, që mbahet cdo 6 janar.

Festa e Ujit të Bekuar për herë të parë pas shumë vitesh është zhvilluar nën prezencën e borës, që ka shoqëruar gjithë ceremoninë.

Qindra qytetarë kanë sfiduar të ftohtin ekstrem, duke u bërë pjesë e ritit fetar të krishterë. Një grup të rinjsh u futën në ujërat e ftohta të lumit Osum për të kapur kryqin e shenjtë.

Urimet për këtë festë i përcolli nga Berati ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.

Ndryshe nga Berati ku kryqi u hodh në lumin Osum, në Fier prej vitesh ky ritual zhvillohet në një shatërvan.

Edhe në Korçë, ceremonia e hedhjes së kryqit u mbajt në një prej shatërvanëve të qytetit.

Në Vlorë, kremtimi i epifanisë u bë përmes hedhjes së kryqit ne det.

Por për shkak të temperaturave shumë të ulëta askush nuk është futur në det të presë kryqin e hedhur nga At Kostandin Prifti.

Ndryshe ndodhi në Durrës, ku të rinjtë e qytetit bregdetar sfiduan të ftohtin dhe u futën në det për të pritur kryqin. 19 vjecari Enkel Siani ishte ai që kapi kryqin e bekuar.

Në Gjirokastër, kryqi, simbol i ditës së ujit të bekuar u hodh në ujërat e lumit Drino

Ceremonia e hedhjes së Kryqit në lumë njihet edhe si dita e ujit të shenjtë dhe e ka zanafillën te pagëzimi i Jezu krishtit nga Gjon Pagëzori në lumin Jordan.

/Oranews.tv/

Comment

*