Në Shqipëri, merr rrugë nisma për ndryshimin e Kushtetutës për proceset zgjedhore

Prishtinë, 30 qershor 2020 – Në Shqipëri, propozimi i deputetëve të opozitës për ndryshim të sistemit zgjedhor do të shqyrtohet në Parlament pas një muaji.

Kështu vendosën sot Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit me miratimin e kalendarit mujor të parlamentit.

Forcat kryesore politike arritën më 5 qershor një marrëveshje për reformën zgjedhore dhe po përgatitin amendamentet e Kodit Zgjedhor.

Janë 28 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë që kanë ndërmarrë nismën për të rishikuar dy nene të Kushtetutës, të cilat përcaktojnë sistemin zgjedhor dhe listtat e mbyllura për deputetë.

Nisma e tyre erdhi pas dështimit të një kërkese mbështetur nga mbi 50 mijë firma qytetarësj për t’i ndryshuar ato nene me referendum.

Deputeti i opozitës Myslim Murrizi tha në mbledhjen e sotme të komisionit se as neni 64 për sistemin zgjedhor dhe as neni 68 për listat e kandidatëve nuk duhet të ishin pjesë e Kushtetutës, por dy partitë e mëdha i vunë aty për të bllokuar zgjedhjen e lirë të qytetarëve, ndaj duhen ndryshuar për të kthyer në normalitet zgjedhjet në Shqipëri.

Deputetët e opozitës kërkojnë që në njërin nen sistemi zgjedhor të jetë me lista të hapura, ndërsa në nenin tjetër të ndalohen koalicionet parazgjedhore.

Nisma e tyre do të diskutohet gjatë gjithë muajit korrik nëpër komisione parlamentare, ku janë ftuar në seanca dëgjimore mbi 30 organizata dhe institucione vendase e të huaja, si dhe universitetet që kanë fakultete juridike, për të mbërritur deri te seanca plenare në fund të muajit.

Nisma e tyre po ecën paralel me reformën zgjedhore e dakortësuar tashmë në Këshillin Politik mes partive më të mëdha dhe me bashkëpunimin e afërt nga diplomatët amerikanë dhe europianë.

Pikat e asaj marrëveshje janë duke u shndërruar në amendamente të Kodit Zgjedhor.

Në janar forcat kryesore politike u angazhuan ta mbyllnin reformën zgjedhore brenda 15 marsit, pastaj u angazhuan sërish që ta përfundonin brenda 30 majit, marrëveshja u arrit më 5 qershor dhe sot më 30 qershor u vendos që dy nene të Kushtetutës, që lidhen me zgjedhjet do të diskutohen më 30 korrik.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)

Comment

*