Në Shqipëri nis vaksinimi anti-Covid 19

Tiranë, 11 janar 2021 – Shqipëria nisi të hënën procesin e vaksinimit kundër Koronavirusit, falë një sasie të parë prej afro 1 mijë dozash të dhuruara nga një prej vendeve të Bashkimit Europian. Në javën e tretë pritet të mbërrijnë dhe 10 mijë dozat e para të një sasie prej 500 mijë vaksinash të siguruara nga një marrëveshje direkte me kompaninë Pfizer/BioNTech. Të parët që u vaksinuan ishin një pjesë e personelit shëndetësor të spitaleve ku kurohen të sëmurët e prekur nga Koronavirusi, Por dhe kryeministri Edi Rama i cili shpjegoi se e bënte këtë për të dhënë mesazhin e qartë që vaksina, siç u shpreh ai, jo vetëm është e sigurt, por është arma asgjësuese kundër virusit.

Prej ditësh, në stadiumin “Air Albania”, të paktën 60 vende për realizimin e vaksinën, ishin bërë gati për ditën e sotme, që shënon nisjen e procesit të vaksinimit kundër COVID 19. Në fillim të vitit kryeministri Edi Rama kishte njoftuar se ishin garantuar 500 mijë dosa nga kompania Pfizer/BioNTech. 10 mijë dozat e para pritet të mbërrijnë në javën e tretë të Janarit.

Paralelisht autoritetet shpjeguan se kishin qenë në bisedime bilaterale dhe me disa vende të tjera. “Vaksinimi që fillojmë sot është rezultati i parë i një prej kanaleve bilaterale me një vend të Bashkimit Europian, të cilit nuk jam i autorizuar ta bëj me dije se cili vend është dhe kjo për shkak të kërkesës së tyre vetë”, theksoi zoti Rama.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shpjegoi se në bazë të planit kombëtar të vaksinimit, “mjekët, infermierët që ofrojnë shërbimet në spitalet tona COVID, do të jenë të parët që do të vaksinohen, dhe vaksinimi i tyre, fillon sot dhe do të shtrohet në ditët në vijim sipas kapaciteteve të planifikuara”.

Më pas do të vijohet me të gjithë personelin shëndetësor, afro 23 mijë vetë, alternuar dhe me moshat e thyera, mbi 75 vjeç, duke nisur me ata që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve dhe në institucionet e kujdesit shëndetësor e social.

Në ditët në vazhdim, Shqipëria pret të marrë dhe afro 2 mijë doza të tjera, nga të cilat një pjesë do të shkojnë për personelin shëndetësor të spitalit Infektiv të Prishtinës. “Kosovën nuk do ta lëmë veç. Kosova është në COVAX, por nuk dihet se kur mund të fillojë. Ne nuk ja zgjidhim dot hallim, por që t’ia qajmë, jemi jo të detyruar, por jemi natyrshëm, shumë të prirur ta bëjmë këtë gjë”, deklaroi kryeministri.

Zoti Rama, u shfaq sërish kritik ndaj Bashkimit Europian i cili e la jashtë planit të vet të vaksinimit Ballkanin perëndimor: “Eshtë jo vetëm e papranueshme moralisht dhe politikisht, por edhe e pajustifikueshme logjikisht për një arsye shumë të thjeshtë; sepse Bashkimit Europian nuk i kushtonte asgjë që, ndërkohë që X vend merr X doza dhe i mban aty sepse nuk mund të bëjë vaksinimin me shpejtësinë që të ezaurojë të gjithë dozat që ka, fare mirë mund të linte një pjesë, sado të vogël, për vendet e rajonit dhe të thoshte se nga të gjitha këto, 6 vende të rajonit do marrin dozat për mjekët e Infektivit. Qoftë dhe vetëm për mjekët e Infektivit”.

Dozën e parë të vaksinës e bëri drejtuesja e Spitalit Infektiv Najada Çomo. Më pas ishte radha i kryeministrit i cili me herët kishte shpjeguar se “unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin e qartë që vaksina jo vetëm është e sigurtë, por vaksina është arma asgjësuese e këtij armiku të padukshëm dhe dokrrat me çipat e me manipulime të geneve e me transformime të ilirëve në vikingë apo aziatikë, janë qesharake”

Përveç stadumit Air Albania, strukturat ku do të kryhen vaksinat, do të ngrihen dhe në qytete të tjera duke filluar më Shkodrën e me Vlorën.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)

Comment

*