Në Shqipëri, opozita bllokon rrugët në 12 qarqe

Tiranë, 2 maj 2019 – Në Shqipëri ka nisur sot në mbrëmje një tjetër protestë e opozitës së bashkuar, e cila ka bllokuar akset kryesore të rrugëve kombëtare të vendit, sikurse ndodhi edhe javën e shkuar.

Por, ndërsa një javë më parë mbështetësit e opozitës i kishin bllokuar vetëm në 5 pika kyçe që paralizuan qarkullimin në akset rrugore që çonin nga Tirana drejt veriut, drejt jugut dhe drejt juglindjes së vendit, sot ata janë grumbulluar në të 12 qarqet e vendit.

Në disa raste, mbështetësit e opozitës kanë djegur dhe goma në vendet ku e kanë bllokuar qarkullimin rrugor, raporton Zëri i Amerikës.

Një ditë më parë, kryetari Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se protesta e sotme është sinjal i “një përshkallëzimi të mosbindjes civile”.

Që prej muajit shkurt, kur vendoi ta braktisë parlamentin dhe të heqë dorë në mënyrë kolektive nga mandatet e deputetëve të saj, opozita i ka organizuar 10 protesta, kryesisht para ndërtesës së qeverisë dhe ndërtesës së parlamentitit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që do të kkrijonte kushte për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të lira dhe të ndershme.

Partitë e opozitës kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve vendore, të cilat janë caktuar për 30 qershor.

“Më 30 qershor nuk ka për të patur zgjedhje në Shqipëri. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Ato vetëm zgjedhje nuk janë. Dhe opozita as nuk klonohet, as nuk shpiket dhe as nuk krijohet siç krijohen shërbëtorët dhe mercenarët e Edi Ramës. Ka vetëm një opozitë dhe ajo jemi ne, e bashkuar me popullin, e bashkuar me njerëzit. Nuk do të lejojmë ,me asnjë formë, me asnjë çmim, krimin elektoral. Zgjedhje fallco, zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të ketë më. Mos të lejojmë më krimin elektoral në asnjë qendër të vetëm votimi, por të luftojmë sy për sy e dhëmbë për dhëmbë për votën e lirë”, ka deklaruar Basha, javën e shkuar.

Ai ka theksuar se largimi i Ramës nga pozita e kryeministrit është “kusht i panegociueshëm” dhe ka shtuar se krijimi i një qeverie kalimtare është “shansi i fundit për të shmangur përplasjen totale të popullit me klikën që sundon në mënyrë të paligjshme”.

Por, shumica parlamentare thotë se nuk e ka ndërmend të tërhiqet dhe se zgjedhjet vendore do të mbahen në datën e caktuar.

Kryeministri Edi Rama edhe sot tha se liderëve të opozitës “i gënjen mëndja se do të ndalojnë Shqipërinë të bëjë zgjedhjet vendore në datën e përcaktuar nga Kushtetuta e kësaj Republike, sepse ende kujtojnë, me sa duket, se do të gjejnë budallenj që të shkojnë me këmbët e tyre burgjeve, pasi të sulmojnë kutitë e votimit për llogari të gramafonit të Lulit dhe filxhanit të Monikës”.

“Në demokraci askush nuk është i detyruar të hyjë me zor në zgjedhje. Kushdo është i lirë të vendosë të hyjë apo të mos hyjë në zgjedhje dhe s’është as detyrë e qeverisë të fusë me zor në zgjedhje partitë që s’duan të votohen nga populli, as e drejtë e shumicës qeverisëse të shtyjë zgjedhjet përtej afateve kushtetuese, pse disa parti nuk duan të hyjnë në zgjedhje. Ndërsa për parti apo individë që i japin vetes të drejta që s’jua njeh as Kushtetuta, as ligji, për t’i rënë ndesh Kushtetutës dhe ligjit, duke u kthyer në zjarrvënës të zgjedhjeve, ka një kapitull të veçantë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Rama.

“Është e nevojshme që ne ta informojmë në vijimësi publikun për përmbajtjen e këtij kapitulli, për t’i dalë borxhi deri në fund, jo ish-ligjvënësve që e kanë votuar çdo nen të kapitullit dhe i njohin shumë mirë pasojat e çdo akti kriminal ndaj zgjedhjeve, por për t’i dalë borxhit kujtdo që mund të bjerë pre e padijes së vet, duke shkuar pas berihait ditën e zgjedhjeve”, është shprehur Rama.

(r.m.)

One Response to “Në Shqipëri, opozita bllokon rrugët në 12 qarqe”

Read below or add a comment...

  1. Rruga says:

    Me ç’te drejte i bllokojne rruget e popullit keta bandite!? Rruget nuk janet tyre. Rruget shteterore nuk jane as prone e ndonje partie kundershtare.

Comment

*