Në Shqipëri, opozita propozon reformën zgjedhore

Tiranë, 8 tetor 2018 – Partia Demokratike në opozitë bëri publike propozimet e saj për ndryshim të Kodit Zgjedhor.

Kryetari i saj, Lulzim Basha, tha se platforma e opozitës synon “shmangien e shitblerjes së votës dhe kapjen e procesit zgjedhor nga struktura kriminale”.

Basha tha se ecuria dhe rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri “diktohen me dhunë nga banda kriminale të lidhur me partinë socialiste, ndaj amendamentet e kodit zgjedhor duhet ta çlirojnë procesin zgjedhor nga krimi dhe paratë e tij”.

“Platforma eopozitës përmban 4 pika kryesore: 1. Dekriminalizimi i procesit zgjedhor – Vetting i politikës- pastrimi i Policisë së Shtetit nga lidhjet me krimin… 2. Sistem masash kundër shitblerjes së votës, e cila është evidentuar si problemi kryesor në raportin e OSBE/ODIHR për vitin 2017. Shitblerja e votës jo vetëm do të konsiderohet korrupsion zgjedhor që trajtohet nga SPAK, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit… 3. Financimi i partive dhe fushatës, 4. Përdorimi i teknologjive në votim, Identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik”, tha Basha.

Sipas tij, OSBE/ODIHR ka shënuar si probleme kryesore kandidatët me mbështetje dhe rekorde kriminale, përdorimin e parave të krimit në shitblerje votash, përfshirjen e policëve të inkriminuar në kërcenim, presion dhe blerje votash, presionet dhe kërcënimet ndaj votuesve, grupe banditësh që diktojnë votën pranë dhe brenda qendrave të votimit, kërcënimin e administratës, përdorimin e fondeve publike në zgjedhje.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka shprehur gatishmërinë e saj për të përmirësuar së bashku procesin zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE.

Bashkëkryetari socialist i komisionit për Reformën Zgjedhore, Bledi Çuçi, ka thënë se Partia Socialiste është e gatshme të depolitizojë plotësisht komisionetzgjedhore.

Shumica socialiste është shprehur se kjo ka qenë edhe shqetësimi kryesor i vëzhguesve ndërkombëtarë. Sipas tyre, votimi elektronik mund të provohet në zgjedhjet vendore në disa bashki, ndërsa votimi i emigrantëve parashikohet me ligj vetëm për zgjedhje parlamentare.

Socialistët thonë se janë gati të garantojnë përfaqësimin gjinor në 1/3 e listave.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)

Comment

*