Në Shqipëri, pozita dhe opozita përplasen rreth Kodit të ri Zgjedhor

Tiranë, 16 shtator 2020 – Në Shqipëri, shumica parlamentare dhe opozita jashtëparlamentare mbeten larg një pikëtakimi për ndërhyrjet e reja në Kodin Zgjedhor, pas ndryshimeve kushtetuese të miratuara më 30 korrik, që mundësojnë lista të hapura.

Opozita kërkoi thirrjen e një takimi tjetër të Këshillit Politik për të mërkurën. Në letrën drejtuar përfaqësuesit socialist, Damian Gjiknuri, ajo kërkon që për çështjet që nuk biem dakord palët në Këshillin Politik të merren parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, , siç parashikohet edhe në Marrëveshjen e 14 Janarit.

Kjo kërkesë iu drejtua Gjiknurit pak pasi në selinë e Partisë Demokratike kishte përfunduar një takim i kryetarit Lulzim Basha me zëvendës ambasadoren amerikane në Tiranë, Lejla Moses-Ones, me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, dhe me ambasadorin britanik Duncan Norman.

Por Gjiknuri e refuzoi kërkesën e opozitës, me arsyetim se ekspertiza e OSBEO/DIHR-it do të keqpërdorej për të zvarritur procesin.

“Nuk mund të kërkoni që anëtarët e tjerë të Këshillit Politik, për të cilët zbatimi i Kushtetutës është një çështje që as vihet në diskutim, as zvarritet dhe as anashkalohet të bëhen pjesë e kësaj kërkese, aq më tepër të kërkoni që ekspertiza e OSBEO/DIHR-it të keqpërdoret me prapamendim”, shkruan Gjiknuri.

Sipas tij, në të kaluarën, opozita e kishte refuzar përfshirjen e ekspertëve të ODIHR-it në debatet e mëprshme për çështjet që lidhen me kuadrin ligjor për zgjedhjet.

“Ju referoni tek marrëveshja e 14 Janarit për të mbështetur kërkesën Tuaj, por Ju nuk mund të bëni sikur sjellja Juaj e mëparshme ndaj ekspertizës së OSBE/ODIHR-it nuk ka qenë e Juaja. Me sjelljen tuaj të deritanishme, Ju e keni abroguar më shumë se sa një herë këtë pikë të marrëveshjes, pa motiv, pa shpjegim dhe me arrogancë. Unë nuk mund të mos ta kujtoj këtë fakt”, është shprehur Gjiknuri.

Ai ka thënë se opozita duhet të shprehë vullnet të mirë për përfundimin me sukses të këtij procesi.

”Taktikat e pengimit, zvarritjes, bllokimit dhe konfliktualitetit artificial nuk pijnë më ujë”, shkruan zoti Gjiknuri.

Ai paralajmëroi se në mbledhjen e Këshiilit Politike që është caktuar për të premten, ai do ta paraqesë draftin me propozimet konkrete që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

Opozita e cilësoi përgjigjen e Gjiknurit si dëshmi të “njëanshmërisë së akteve që Partia Socialiste po i bën gati për miratim”.

Më herët, presidenti i vendit, Ilir Meta, e ka cilësuar si parimore kërkesën e opozitës për të kërkuar ekspertizën e OSBE/ ODIHR-it.

“Tani që data e zgjedhjeve është dekretuar pas konsultimit me forcat politike, është domosdoshmëri që Këshilli Politik të realizojë sa më parë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me konsensus dhe duke respektuar pikë për pikë Marrëveshjen konsensuale të 5 qershorit. Kërkesa legjitime dhe parimore e opozitës për të kërkuar ekspertizën e ODIHR nuk duhet refuzuar”, ka shkruar Meta në Facebook.

(r.m.)

One Response to “Në Shqipëri, pozita dhe opozita përplasen rreth Kodit të ri Zgjedhor”

Read below or add a comment...

  1. Gege Kosova says:

    Vertet sa opozita ka Shqiperia?!!Njera ajo qe u largua nga Kuvendi dhe mbahet per opozite reale.Tjetra,ajo qe erdhi ne Kuvend,sipas listes se partivge parlamentare,z.vendsoje, Nje opozite,sic thot Rama, eshte Presidenti Meta,si nje kryeopozitar edhe kudner mazhorances, ndoshta duhet konsideruar edhe opozitaret mbrenda vet opoztes.Kjo eshte nje laramani “demokratike” ku nuk dihet kush me kend duhet dhe mund te bene “marreveshje” per problemet shteterore e qeveritare.

Comment

*