Në Shqipëri thuajse dy orë u mblodh Këshilli Politik për reformën Zgjedhore

Ndonëse ka pajtim për bisedime, socialistët nuk pranojnë propozimin opozitar për qeveri kalimtare përpara zgjedhjeve.

Knid Ndrenika

Përfaqësuesit socialistë në pushtet dhe opozita e bashkuar demokratike ndahen thellësisht për rolin e Kolegjit Zgjedhor me ndikim të mundshëm të vetingut ndaj gjyqtarëve, administrimin e zgjedhjeve apo depolitizimin e procesit.

Socialisti Damian Gjiknuri bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm Kuvendar tha se opozita kërkon arsye të braktisë tryezën.

“Nëse për çështje shumë serioze kërkohet mbase një nivel final i vendimmarrjes politike, zoti Rama e ka thënë që për çështje të rëndësishme të integrimit të vendit në këtë rast legjislacioni zgjedhor, është i gatshëm të ulet me zotin Basha në një tavolinë negociatash çdo moment”-tha ai.

Demokrati Oerd Bylykbashi i opozitës jashtë Kuvendit tha se socialistët u tërhoqën nga provokimet e Kryeministrit Edi Rama për miratimin e reformës zgjedhore pa opozitën.

Opozita thotë se administrimi kinse i depolitizuar nuk mund t’i lihet qeverisë që kërcënon me vende pune.

“Çdo lloj zgjidhje mbi administratën dhe çdo lloj zgjidhjeje me Kolegjin Zgjedhor nuk ka për t’i dhënë mundësi mazhorancës që ta bëjë vetë”-tha zoti Bylykbashi.

Sipas komisionerëve, të gjitha çështjet prekin Kushtetutën, andaj duhet konsensus.

Comment

*