Në Slloveni, promovohet libri “Skanderbeg, Princi i Epirit”

Kopër (Slloveni), 14 janar 2019 – Libri në gjuhën shqipe “Skanderbeg Princi i Epirit” është promovuar në Kopër të Sllovenisë, në mjediset e Qendrës Kulturore “Kulla e Koperit”.

Libri u përkthye në gjuhën shqipe nga origjinali në gjuhën e vjetër italiane “Commentario de le Cose de Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg, Principe di Epyrio”, i vitit 1544.

Në hapje të manifestimit promovues, kryetari i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Iliria”, Heset Ahmeti, e ka vlerësuar me shumë interes përkthimin e këtij libri, ndrësa për përmbajtjen e librit kanë folur dy përkthyesit e tij: Albert Gjoka dhe Frida Vokopola Gjoka.

Më pas, në një diskutim të hapur, u prezantuan të dhëna, fakte e tregues të shumtë rreth figurës së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, mbështetur në dokumente të kohës.

Në promovimin e këtij libri kanë marrë pjesë anëtarë të Shoqatës Kulturtore Shqiptare ‘Iliria” në Koper, kryetarja e Shoqatës Shqiptare “Ecim së bashku” nga Trieste e Italisë, Mardena Kelmendi, veprimtarja e njohur shqiptare Vitore Stefa Leka, studjuesi slloven Peter Štoka, ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Pëllumb Qazimi, etj.

Gjatë veprimtarisë janë prezantuar edhe dy libra të tjerë në gjuhën shqipe, të autorëve Frida Vokopola Gjoka dhe Albert Gjoka, “Gjuha e Albanëve ose Shqipëtarëve” dhe “Historia dhe Gjuha e Shqiptarëve dhe Vllehëve”.

Në fund janë shpërndarë edhe libri për heroin kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, të përshtatur për fëmijë dhe kalendari i përgatitur nga Zyra e Ministrit të Shtetit për Diasporën. (r.m.)

foto galeri

Comment

*