Në tremujorin e tretë, ekonomia e Shqipërisë tkurret me 3.47 për qind

Tiranë, 24 dhjetor 2020 – Shqipëria regjistroi ecuri ekonomike negative edhe në tremujorin e tretë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Të dhënat zyrtare të publikuara sot nga Instituti i Statistikave tregojnë se ekonomia e vendit ra me 3.47 për qind në tremujorin e tretë, kundrejt të njejtës periudhë të një viti më parë.

Në tremujorin e dytë të këtij viti, ishte rregjistruar rënie prej 10.29 për qind, që është rënia më e madhe ekonomike në Shqipëri që nga vitit 1997. Ndërsa në tremujorin e parë, ekonomia shqiotare ishte tkurrur me 2.34 për qind, për shka të ndikimeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në tremujorin e tretë të këtij viti, disa sektorë të ekonomisë e rimorrën veten dhe shënuan ecuri pozitive. Rritjen më të lartë e pati aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme, me 9,54 për qind, e pastaj Ndërtimi me 8,72 për qind. Këto dy aktivitete kontribuan me 1.26 pikë përqindje në Prodhimin e Brendshëm Bruto

Por, rënia e fortë e grupit të aAktiviteteve profesionale dhe Shërbimeve administrative, me minus 16,63 për qind, dhe e grupit të Tregtisë, Transportit, Akomodimit dhe Shërbimit ushqimor, me minus 13 për qind, patën një kontribut negativ të ndjeshëm, prej 3.65 pikë përqindje në uljen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Mesatarisht, për nëntë muajt e parë të vitit, ekonomia e Shqipërisë është tkurrur me 5.3 për qind.

Qeveria pret që viti 2020- të mbyllet me një rritje negative prej 6.1 për qind, ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare kanë paralajmëruar një rënie që luhatet nga 7.5 në 9 për qind.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*