Në Vjenë u përuruan tri vepra të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Vjenë, 13 qershor 2019 – Të mërkuren, në Institutin për Kohën e re dhe hulumtimin e historisë bashkëkohore (Institut für Neuzeit und Zeitgeschichtsforschung Forschungsbereich Balkanfor-schung) të Akademisë Austriake të Shkencave, Apostelgasse 23, në Sektorin e hulumtimeve për Ballkanin, u bë përurimi i tri botimeve të reja të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK):

  1. Wilfried Fiedler: Gramatikë e krahasuar e gjuhëve të Ballkanit I. Krahasim morfologjik-tipologjik i shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit/ Vergleichende Grammatik der Balkan-sprachen. Morphosyntaktisch-typologischer Vergleich des Albanischen mit den anderen Balkansprachen, ff. 826, Prishtinë 2018;
  2. Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht/ Albanistische Forschungen in den deutschsprachigen Ländern, Aktet e Konferencës ndërkombëtare shkencore të mbajtur në Prishtinë me organizim të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përgatitur nga Rexhep Ismajli, ff. 861, Prishtinë 2018;
  3. Norbert Jokl: Gjurmime linguistike-historikekulturore në fushën e shqipes/ Linguistisch-kultur-historische Untersuchungen aus dem Bereich des Albanischen (1923), gjermanisht dhe shqip me përkthim të Skender Gashit, ff. 759, Prishtinë 2018.

Vepra e anëtarit të jashtëm të ASHAK-ut, prof. dr. Wilfried Fiedler është studim shumë i gjerë krahasues i sistemit foljor të shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit. Shquhet për vrojtimet e hollësishme të këtij sistemi më parë në shqipen në të gjitha varietetet e saj dhe pastaj në të gjitha gjuhët e Ballkani, madje me materiale shumë të begatshme për ato gjuhë dhe varietetet e tyre. Kjo është pjesa e parë e kësaj vepre të madhe, që do të jetë themelore për studimet ballkanistike, ndërsa pritet që ajo të ndiqet nga një vëllim i dytë për sistemin emëror. Fiedler njihet si bashkautor i Gramatikës së madhe të shqipes (bashkë me O. Buchholz), 1987 dhe i Fjalorit gjermanisht-shqip/ shqip-gjermanisht, të botuar në Gjermani dhe autori i monografive të mëdha Das albanische Verbal-system in der Sprache des Gjon Buzuku (1555) (Sistemi foljor i shqipes në gjuhën e Gjon Buzukut 1555), Prishtinë 2004, ff. 812; Die Pluralbildung im Albanischen (Formimi i shumësit në shqipen), Prishtinë 2007, ff. 508, dhe i një numri të madh studimesh për shqipen nëpër revista. Njihet dhe si përkthyes i letërsisë shqipe gjermanisht.

Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht / Albanistische Forschungen in den deutschsprachigen Ländern, është botim i akteve të Konferencës ndërkombëtare shkencore të mbajtur në Prishtinë me organizim të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në të cilën morë pjesë 58 studiues nga vende të ndryshme të botës dhe shqyrtuan çështje nga më të ndryshme në këto studime, duke sjellë kështu dhe një informacion të gjerë për zhvillimet në këtë fushë. Kjo është konferenca e dytë e madhe e këtij lloji e organizuar nga ASHAK-u, e para u kushtohej studimeve albanistike në Amerikë, ndërsa sivjet do të mbahet konferenca vijuese për studimet albanistike në Itali.

Vepra e Norbert Joklit, Gjurmime linguistike-historike-kulturore në fushën e shqipes/ Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereich des Albanischen (1923), vjen e përkthyer në shqipen e sotme nga dr. Skender Gashit, është kryevepra e albanologut të madh dhe përbën vëllimin e tretë të veprave të Jokl-it të botuara nga ASHAK-u. Deri tash janë botuar veprat Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin shqip, më 2011 (434 ff), Studime historik-krahasuese për gjuhën shqipe, 2017 (941 ff) dhe, sipas planit të Seksionit përkatës, pritet edhe një vëllim i katërt për ta sjellë tërë veprën e Jokl-it në gjuhën shqipe, bashkë me origjinalet në formë anastatike.

Për këto tri vepra kanë folur: Prof. Dr. Rexhep Ismajli, anëtar i ASHAK-ut, Prof. Dr. Wilfried Fiedler, anëtar i jashtëm i ASHAK-ut dhe Prof. Dr. Heiner Eichner, anëtar korrespondent i Akademisë Austriake të Shkencave.

Me këtë rast, u paraqiten dhe botimet  tjera të ASHAK-ut në fushën e filologjisë, në mënyrë të veçantë botimet e projektit afatgjatë të botimit të veprave të albanologëve të traditës.

Deri tash janë përfshirë studiuesit e shquar: Holger Pedersen, Wacław Cimochowski, Franc Miklošič, Eric P. Hamp, Rajko Nahtigal, Leonardo Savoia, Irena Sawicka, Norbert Jokl, Selman Riza, Idriz Ajeti, Eqrem Çabej, etj. Në disa raste, këto projekte janë realizuar dhe përmes bashkëpunimit me akademitë simotra (me Akademinë Sllovene – Miklošič e Nahtigal).

Veprat që u promovuan dhe botimet tjera të ASHAK-ut që u prezantuan në Vjenë zgjuan interes të madh të studiuesve të filologjisë.

Ky është ndër projektet e rëndësishme të Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHAK-ut.

Me përjashtim të veprave të W. Fiedler-it, që botohen për herë të parë, prandaj dhe vijnë vetëm në origjinalin gjermanisht, por me parathënie edhe shqip, të tjerat janë botuar ndonjëherë vetëm shqip, herë të tjera shqip dhe në gjuhën burimore. (r.m.)

Comment

*