Nëse doni green card, tregohuni të kujdesshëm me ndihmat që merrni nga qeveria

Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Një vendim gjykate i datës 11 shtator, 2020 i lejon Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) të rivërë në zbatim në shkallë kombëtare Rregulloren Përfundimtare të Papranueshmërinë me bazë barrën publike. Vendimi hodhi poshtë një vendim të mëparshëm, të lëshuar gjatë kohës së pandemisë së Covid-19-s, sipas së cilit i vihej pengesë qeverisë për vënien në zbatim të kësaj rregulloreje si dhe nuk i lejonte DHS-it zbatimin e saj gjatë gjendjes së jashtëzakonshme shëndetësore në shkallë kombëtare. DHS-i do të zbatojë rregulloren përfundimtare të barrës publike për të gjitha aplikimet dhe peticionet e dërguara me postë apo të paraqitura më ose pas datës 24 shkurt, 2020, përfshirë këtu dhe aplikimet dhe peticionet që kanë qenë në pritje për t’u gjykuar. DHS-i nuk do të rigjykojë peticionet apo aplikimet që janë aprovuar që prej 29 korrikut, 2020 deri në ditën e daljes së këtij njoftimi. Ky vendim i lejon DHS-it që të rivërë në zbatim rregulloren përfundimtarë të barrës publike në shkallë kombëtare, përfshirë këtu dhe New York-un, Connecticut-in dhe Vermont-in.

Nëse keni aplikuar për Green Card (Formulari I-485, Application to Register Permanent Residence or Adjust Status) pas datës 24 shkurt, 2020, duhet të paraqisni formularin I-944, Declaration of Self-Sufficiency. Nëse DHS-i merr një formular I-485 që nuk ka të gjithë formularët dhe dokumentacionin e kërkuar përpara datës 13 tetor, 2020, atëherë DHS-i do të bëjë kërkesë për dokumentacionin dhe formularët që mungojnë. Pas datës 13 tetor, 2020, DHS-i do të hedhë poshtë aplikimin I-485 nëse ky i fundit nuk përmban të gjithë formularët dhe dokumentacionin në kohën që është paraqitur.

Sipas DHS-it, prej kohësh ligjet e emigracionit të Shteteve të Bashkuara kanë përmbajtur dispozita që kanë patur për qëllim të kufizojnë shpenzimet e qeverisë në ndihmë të shtetasve të varfër jo-amerikanë. Një personi mund t’i hidhet poshtë kërkesa për t’u pranuar në Shtetet e Bashkuara ose kërkesa për të fituar statusin e  rezidentit të përhershëm (LPR) nëse ai ose ajo “ka të ngjarë të kthehen në barrë publike”. Kategori të caktuara, si ato të azilantëve dhe refugjatëve, për momentin nuk preken nga kjo rregullore.

Megjithëse ligjet e emigracionit nuk e përkufizojnë qartë termin “barrë publikë”, sipas përkufizimit të dhënë në vendimet e mëparshme, ky term nënkupton një individ që është ose ka të ngjarë të bëhet dikush që “është kryesisht në varësi” të “ndihmës publike në të holla si mjet sigurimi të të ardhurave” ose “nën kujdesin afatgjatë të një institucioni të specializuar, me shpenzimet e qeverisë”.

DHS-së i kërkohet ta bazojë vendimin e marrë lidhur me barrën publike, në faktorë siç janë mosha, shëndeti, statusi familjar, pasuria, burimet e ndryshme të të ardhurave, gjëndja financiare, arsimimi dhe aftësitë. Gjithsesi, DHS-i do ta konsiderojë tashmë përfitimin nga ndihmat e caktuara publike që kalojnë nivele të caktuara dhe që janë marrë më parë dhe aktualisht, si faktor negativ me shumë peshë.

Zgjerimi i madh i asaj që përfshihet në termin “barrë publike” — si përfshirja e personave të punësuar që marrin përfitime sipas të ardhurave të verifikuara, qoftë dhe për periudha të shkurtra kohe — përbën distancim nga interpretimi sipas të cilit termi në fjalë kufizohej tek ata individë që vareshin kryesisht nga ndihma afatgjatë të ofruara nga qeveria.

Sipas rregullores së mëparshme, ata që merrnin përfitime që nuk ishin në të holla, përfshirë këtu kupona për ushqim dhe ndihma shëndetësore Medicaid, nuk konsideroheshin barrë publike. Sipas vendimit përfundimtar, tani me barrë publike nënkuptohet një i huaj që merr një ose më shumë përfitime të caktuara publike për më shumë se 12 muaj, në total, brenda një periudhe 36 mujore.

Gati dy të tretat e më shumë se 500,000 aplikanëtve vjetorë për green card duhet t’i nënshtrohen rregullores së re. DHS-ja dhe Departamenti i Shtetit (DOS) mbajnë përgjegjësinë kryesore për vënien në jetë të dispozitave të rregullit të barrës publike të parashikuara nga INA. Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së, (USCIS) mund të vendosë lidhur me një çështje të barrës publike në momentin kur një person bën kërkesë për green card brenda SHBA-së. Jashtë vendit, oficerët konsullorë të Departamentit të Shtetit mund të marrin vendim lidhur me çështjen e barrës publike nëse personi bën kërkesë për vizë. Rregulli në fjalë mund të bëjë që jo-emigrantët që marrin ose ka të ngjarë të marrin përfitime të tepruara publike, të mos kualifikohen më qoftë për ndryshim statusi qoftë për shtyrje të vizës.

Rregulli i barrës publike vë në rrezik mundësinë e imigrantëve që janë punëtorë të palodhur dhe që hapin bizneset e tyre, për të marrë green card. Ky rregull do ta dobësonte ekonominë në vend duke u krijuar barriera arbitrare në marrjen e statusit atyre që mund të jenë në hapat e parë të rrugës drejt begatisë ekonomike.

Ky rregull është edhe një herë tjetër, tregues i përpjekjes së administratës së presidentit Trump për të ndryshuar në mënyrë thelbësore sistemin e emigracionit pa ndërhyrjen e Kongresit amerikan. I bëjmë thirrje edhe njëherë Kongresit që njëherë e mirë të miratojë legjislacionin e emigracionit që njeh rëndësinë e njësisë familjare dhe që bën të lehtë zhvillimin e komuniteteve të forta.

Do t’u bënim thirrje lexuesve tanë që nëse po bëjnë kërkesë për green card ose kanë ndërmend ta bëjnë, të këshillohen për këtë çështje me një avokat emigracioni me përvojë. Duhet të tregoni kujdes për këto çështje gjatë përgatitjes së aplikimeve tuaja që të mund të shmangni vendimet negative. Një vendim që ju sheh si barrë publike mund të merret edhe kur keni një sponsor që ka firmosur një afidavit për mbështetje financiare.

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet dhe pyetjet e vazhdueshme dhe në të ardhmen do të përpiqemi t’i përgjigjemi sa më shumë pyetjeve që të jetë e mundur. Ju ftojmё tё na dёrgoni pyetjet tuaja nё adresёn tonё elektronike [email protected]

 
 

Comment

*