Nesër, takim masiv i shqiptaro-amerikanëve në Zoom për kandidatin Joe Biden

Nderohet kongresisti Eliot Engel, flasin Senatori Gary Peters dhe Guvernatorja e shtetit Michigan, Gretchen Whitmer, njofton lidhjen surprizë ylli ndërkombëtar i muzikës, Dua Lipa

Përkrahësit e kandidatit demokrat për president, Joe Biden do të mblidhen nesër në një takim masiv në internet për të shprehur mbështetjen e tyre.
Kushdo që ka dëshirë është i ftuar që të marrë pjesë. Mes figurave politike që pritet të flasin gjatë takimit janë Senatori Gary Peters, një përkrahës i njohur i kauzës shqiptare në Senatin Amerikan, Guvernatorja e shtetit Michigan, Gretchen Whitmer, kongresistja Debbie Dingell etj.
Një nderim i veçantë për kontributin e tij për Kosovën dhe çështjen kombëtare shqiptare është rezervuar për kongresistin Eliot Engel, i cili gjithashtu do të ketë një mesazh me video.
Sipas një njoftimi të orës së fundit, në lidhje të drejtpërdrejtë do të jetë edhe ylli i muzikës ndërkombëtare Dua Lipa.
Figura të tjera nga bota e artit do të jenë James Biberi dhe Tess Biberaj.
Shqiptaro-amerikanët që mbështesin kandidatin Joe Biden kanë disa muaj që punojnë me angazhim që të ndihmojnë në fitoren e ish-Zv-Presidentit. Ata kanë botuar një reklamë në gazetën Illyria, kanë krijuar grupe në rrjetet sociale, kanë marrë pjesë në struktura të fushatës presidenciale etj.
Komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë historikisht dypartiak. Në mënyrë të ngjashme ka grupe që po punojnë për rizgjedhjen e Presidentit Donald Trump. Edhe ata kanë bërë deklarata publike, kanë grupe në rrjete sociale dhe po bashkëpunojnë me fushatën e Partisë Republikane.
Përkrahësit e kandidatit demokrat shpesh tregojnë mbështetjen historike të tij, në vitet 1990, kur nga kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, mbështeti kauzën e Kosovës, argumentoi në favor të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s që solli çlirimin e Kosovës, si dhe më vonë mbështeti nga të parët idenë se Kosova duhej të bëhej e pavarur. Joe Biden ka vizituar Kosovën dhe njihet mirë në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Mbështetjen për të e kanë shprehur si ish-drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan ashtu edhe drejtues të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane, me në krye ish-kongresistin Joe DioGuardi.
Për t’u regjistruar dhe lidhur me takimin e shqiptaro-amerikanëve në favor të Joe Biden-it, trokisni në këtë lidhëz: https://www.mobilize.us/joebiden/event/327566/

One Response to “Nesër, takim masiv i shqiptaro-amerikanëve në Zoom për kandidatin Joe Biden”

Read below or add a comment...

  1. Sali Bollati says:

    Jam plotesisht dakort qe Presidenti i ardhshem i USA te zgjidhet z. Joe Biden

Comment

*