Nesko Selim, i paharruar për këdo që e njohu

Më datën 27 Korrik 2017, u nda nga jeta, në një moshë të re, Nesko Selim, djali i madh i Bardhonja dhe Hysen Selim. Kush e ka njohur nga afër Neskon, e ka shumë të vështirë të mësohet me faktin që Nesko nuk jeton më.
Nesko ka lindur në Amerikë, në Michigan, në 6 Prill të 1969 nga prindër shqiptarë dhe që i vogël ai u rrit dhe u edukua me ndjenjen e atdhedashurisë si dhe respektin për fenë bektashiane.
Nesko ishte një djalë i bukur në shpirt dhe në pamje. Sapo u hap Shqipëria, ai së bashku me nënën e tij, Bardhonja, udhëtuan atje për tu njohur me vendin e prindërve të tij.
E donte Shqipërinë, saqë në krahun e tij shikohej simboli yne kombëtar, shqiponja, si për të treguar me krenari prejardhjen e tij.
Nesko ishte i qeshur, me humor, i donte udhëtimet, sportin, artin, e donte shume jetën, adhuronte familjen, miqtë e tij. Ai ishte trim, ashtu si shqiponja që mbante në krahun e tij.
Edhe pse mësoi për sëmundjen e tij të vështirë, Nesko kurrë nuk hoqi dorë nga jeta. E jetoi jetën në mënyrën më dinjitoze deri në momentet e fundit të tij dhe nga shtrati i tij ai vazhdoi të jepte mesazhe dashurie dhe paqje.
Ditët e fundit i kaloi pranë familjes së tij që e donte aq shumë, e kaloi pranë nënës së tij, Bardhonja, për të cilën kishte një dashuri që kalonte në adhurim, pranë babait, Hysenit, pranë vëllait, Arbenit, që e kishte mikun e tij më besnik.
Nesko do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij, por të gjithëve atyre që e kanë njohur. Do të na mungojë buzëqeshja, energjia pozitive, humori i tij. U prehsh në paqe Nesko!

Comment

*