Nevojiten edhe dy vota për ratifikimin e demarkacionit

Prishtinë, 27 shkurt 2018 – Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se deri më tash janë konfirmuar votat e 78 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

“Deri tash janë të konfirmuara 78 vota. Deri nesër, kur demarkacioni të hidhet në votim, presim të bëhen votat e nevojshme për miratim”, ka deklaruar Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Kur është pyetur se ku do të sigurohen edhe dy votat e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes, ai ka thënë se ato vota do të jenë të deputetëve që vënë interesat e qytetarëve para interesave partiake.

“Në Kuvendin e Kosovës, prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës, prej atyre që do të jenë racionalë për t’i vënë interesat e qytetarëve të Kosovës, pa dallime, para interesave të tyre partiake ose politike”, ka thënë Krasniqi, citon Kallxo.com.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit, ku janë caktuar tri m bledhjet e radhës të Kuvendit, nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i Listës Serbe. (r.m.)

Comment

*