Ambasadori Mal Berisha, ligjëratë në Institutin e Studimeve Hebraike – YIVO

Beqir Sina

Beqir Sina

“Marrëdhëniet shqiptaro-hebraike dhe kontributet e ambasadorit amerikan në Shqipëri, Herman Bernstein (1876-1935)”

 

NEW YORK, NY – Të dielën, më 14 dhjetor, në Institutin për Hulumtime Hebraike, YIVO (Institute for Jewish Studies)- në Nju Jork, i ftuar nderi për të mbajtur një ligjeratë, ishte diplomati dhe publicisti Mal Berisha – Ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe dhe jo rezident në Irlandë.
Ambasadori Berisha paraqiti ligjeratën:”Marrëdhëniet shqiptaro-hebraike dhe kontributet e ambasadorit amerikan në Shqipëri, Herman Bernstein (1876-1935)” – vepër e një hulutimi të thuktë të tij – përpara një audience të gjerë, ku të pranishëm ishin dhjetëra amerikanë, amerikanë hebrej, shqiptaro amerikanë, studiues dhe të interesuar për lidhjet e Shqiptarëve me hebraizmin.
Ai foli në mënyrë të detajuar mbi historinë e hebrejve dhe lidhjet e tyre me shqiptarët, para dhe pas Holokaustit, duke u bazuar në kujtimet e lëna nga ambasadori amerikan.
Ligjerata e tij i dha përgjigje të mirë edhe shumë pyetjeve. Se si Shqipëria, arriti të të shpëtojë të gjithë hebrenjtë e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Se si deri në fund të luftës, Shqipëria kishte dhjetëfishuar popullsinë e saj hebreje, me hebrenjt të ardhur nga Austria, Gjermania dhe ish – Jugosllavia. Çfarë ka ndikuar që sot janë marrdhëniet më të mira shqiptaro hebraike. Apo edhe cili ishte roli dhe kontributi i Ambasadorit Bernstein, qysh në atë kohë në këto lidhje.
Pas rënies së komunizmit dhe hapjes së Shqipërisë, organizata amerikane, politikanë shqiptarë, studiues dhe individë të zakonshëm, kanë bërë përpjekje për të shpalosur këtë histori në botë, përfshirë këtu edhe diplomatin dhe studiuesin Mal Berisha i cili ka bërë një punë të madhe dhe të rëndësishme.
Veprimtarinë në Institutin YIVO për Hulumtime Hebraike, në New York, e hapi (duke prezantuar Ambasadorin Mal Berisha) Drejtori Ekzekutiv i këtij instituti Jonathan Brent. Ai tha se diplomati dhe studiuesi shqiptar “do të fokusohej në një pjesë të vogël të kësaj historie të gjatë dhe interesante : lidhur në jetën dhe punën e ambasadorit amerikan Herman Bernstein (1930-1933), vepra e tij përkrah marrëdhënieve mjaft pozitive shqiptaro-hebreje, si dhe implikimet e përpjekjeve të tij – për të shpëtuar në kohën e Mbretit Zog – hebrenjët para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri”.


Lidhur me këtë ligjeratë ai shtoi se:”Duke pasur parasysh historinë institucionale, YIVO-së dhe angazhimin e saj për të shqyrtuar jetën e hebrenjve në Evropën Lindore, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, sot, përfshirë Shqipërinë, dhe mbrojtjen që u bën shqiptarët, atyre, ne besojmë se Instituti YIVO – është vendi më i mirë për këtë diskutim. Ne jemi shumë të kënaqur për të mirëpritur këtë leksion të shquar të dhënë nga diplomatiti shqiptar, Ambasdori Mal Berisha”.
Ambasadori Berisha ligjeroi mjaft bukur mbi figurën mjaft të rëndësishme që ka pasur ndikim në marrëdhëniet shqiptaro-hebraike, para Luftës së Dytë Botërore.
Herman Bernstein shërbeu në Shqipëri me gradën diplomatike “i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm” nga 17 shkurti i vitit 1930, deri në 24 shtator 1933. Ambasadori Berisha tha se: “Puna e diplomatit amerikan gjatë këtyre viteve ka pasur një rëndësi të veçantë, jo vetëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, por kryesisht edhe për kontributin e jashtëzakonshëm që dha për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.”
Aktiviteti diplomatik, gazetaresk, por dhe si shkrimtar i Berstein gjatë misionit në Shqipëri dhe roli i tij në shpëtimin e hebrenjve në vendin tonë, ka qenë në qendër të një hulumtimi të veçantë të diplomatit shqiptar Mal Berisha.
Ai tregojë se puna e tij për përgatitjen e këtij prezantimi kishte filluar që me kohë dhe autori kishte përgatitur përveç prezantimit me video screen edhe një broshurë të plotë prej 50 faqesh ilustruar me fotografi të kohës, si dhe një biografi ilustruese të tij, të cilën ua shpërndau falas të pranishmëve.
Ambasadori Berisha – foli në mënyrë të detajuar dhe pasqyroi një pamje të gjerë të asaj se përse në Shqipëri – gjatë kohërave më të vështira të holokaustit, por edhe në etapa të tjera nuk u dëmtua asnjë hebre.
Duke folur për diplomatin Berstein dhe qëndrimine tij në Shqipëri, z. Berisha tha se” Bersteni ishte një emër i njohur i atyre viteve në komunitetit hebraik në SHBA dhe një prej publicistëve që evokoi me punën e tij rezikun nazist ndaj këtij komuniteti. Ardhja e tij ambasador në Shqipëri ka qenë jo vetëm një vlerësim i diplomacisë amerikane për vendin tonë, por edhe një mision që la gjurmë në marrëdhëniet shqiptaro-hebraike”.


Në hulumtimin e tij, diplomati Berisha është ndalur në kontributin që ka dhënë Shqipëria për shtimin e hebrenjve, si një nga vendet e pakta europiane që arriti të kthehej në strehën më të sigurt për hebrenjtë gjatë represionit nazist. Zoti Berisha u evidenton fakte se si Shqipëria deri në fund të Luftës së Dytë Botërore e kishte trefishuar popullsinë e saj hebreje. Në qytete të ndryshme të Shqipërisë janë strehuar hebrenj nga Austria, Gjermania dhe Jugosllavia.
“Unë jam një shqiptar. Një nga traditat që unë vlerësoj së tepërmi tek popullin tim është BESA”.
“BESA është Kodi i Nderit i shqiptarëve. Ai udhëzon sjelljen tonë ndaj mysafirëve dhe kur dikush gjendet në nevojë të skajshme. Kodi ynë moral është i shprehur në këtë mënyrë: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut”. Kjo është arsyeja pse populli shqiptar ka strehuar dhe mbrojtur, jo vetëm hebrenjtë e vendit të vet, por edhe refugjatët hebrenj që dëboheshin gjermanët nazistë”, – u shpreh gjatë fjalës së tij diplomati Berisha.
Ai ka dhënë edhe shifra konkrete të hebrenjve që janë shpëtuar në Shqipëri. “Rreth tre mijë hebrenj u shpëtuan në Shqipëri. Në fakt, gjashtëdhjetë e nëntë shqiptarët i kanë pasur emrat e tyre të gdhendur në Yad Vashem (përkujtimorja në Jeruzalem). Myslimanët dhe të krishterët shqiptarë morën rreziqet më të larta mbi veten e tyre për të shpëtuar hebrenjtë”.
“Ambasadori Bernstein është një figurë shumëdimensioale, që ka lënë gjurmë në marrëdhëniet me Shqipërisë dhe SHBA-ve”, tha Ambasadori Berisha. “Kontributi i tij për Shqipërinë nuk lidhet vetëm me punën si diplomat, por edhe si gazetar dhe publicist i njohur. Gjithashtu, ai është një nga diplomatët dhe figurat e rëndësishme që vendosi precedentë të rëndësishëm në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe hebrejve. Ai shkroi dhe u bëri jehonë vlerave të rralla të kombit shqiptar, siç janë BESA dhe mikpritja, mungesa e plotë e antisemitizmit mes shqiptarëve dhe toleranca historike fetare e etnike. Duke njohur këto cilësi të kombit shqiptar, Benstenin ndikon në vendimmarrjen e Mbretit Zog për të ndihmuar hebrejtë. Vlen të theksohet se në vitin 1935, Mbreti Zog urdhëroi të gjitha misionet konsullore shqiptare në Europë që të jepnin viza për hebrejtë që kërcënoheshin nga përndjekja gjermane. Falë këtij vendimi u bë i mundur shpëtimi i mijëra jetëve të hebrejve që kërkonin shpëtim nga vala naziste e cila përshkoi në atë kohë Europën”.
Diplomati shqiptar foli se si e kreu detyrën e diplomatit në Shqipëri, Herman Bershtein, si e fitoi ai miqësinë me Mbretin Zog, me Ministrin e Shqipërisë në Washington Ambasadorin Faik bej Konica dhe çfarë roli luajti në forcimin e marrdhënieve me komunitetin hebrenj. Ai foli edhe se kush ishte Bernstein si njeri dhe intelektual, si gazetar, bashkëpunëtor i shumë gazetave, që nga “The New York Evening Post”, i të përkohshmeve “Nation”, “Ainslee’s Magazine” dhe”Independent” e deri tek korrespondent i “The New York Times” në Evropë në vitet 1908, 1909, 1911.
Në fund të ligjëratës Ambasadori Berisha iu përgjigj pyetjeve nga të pranishmit në sallën e Institutit të Kerkimeve Hebraike YIVO, ne New York.

Comment

*