New York: Duke filluar nga qershori nuk do të ketë më makina në Central Park

“Parqet janë për njerëzit, jo për automjetet”, tha kryebashkiaku de Blasio

 

Kryebashkiaku i Nju Jorkut (New York), Bill de Blasio ka vendosur të ndalojë hyrjen e makinave edhe poshtë rrugës 72 në Parkun Qendror të qytetit (Central Park).
“Parqet janë për njerëzit, jo për automjetet”, u shpreh ai si dhe shtoi se nuk ka hapësirë të blertë më ikonë në botë sesa Parku Qendror.
Urdhëri që do të fillojë të zbatohet me rigorozitet duke nisur nga muaji qershor, shënon një fitore të madhe për aktivistët e mjedisit në qytet. Është fitorja dytë e këtij lloji në Nju Jork, pasi në 1 janar, Prospect Park në Brooklyn, gjithashtu shpalli çlirimin nga trafiku i makinave.
Në Manhattan, automjetet, përfshi edhe autobusët, do të vazhdojnë të përdorin udhëkalimet e mëdha përmes Parkut Qendor, por nuk do të ketë lëvizje të tjera në rrugët e brendshme dhe shtigjet e parkut.
Aktivistët për rrugë të sigurta kanë bërë prej vitesh fushatë për ndalimin e automjeteve në këtë park. Në 2005, Alternativat e Transportit mblodhën 100,000 nënshkrime për një peticion që kërkonte ndalimin e tyre të plotë. Në qershor, kjo ëndërr e tyre do të bëhet realitet.
35 milionë njerëz në vit vizitojnë parkun më të madh të Nju Jorkut, shumica e të cilëve në fakt, përdorin biçikleta, patina, ose hyjnë në këmbë. Duke nisur nga qershori edhe po të duan nuk hyjnë dot ndryshe. (Ruben Avxhiu)

Comment

*