New York, masa për parandalimin e valës së dytë të virusit

Kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut Bill de Blasio tha të dielën se për të parandaluar përhapjen e koronavirusit do të mbyllë duke filluar nga e mërkura bizneset jo-thelbësore si dhe shkollat në nëntë lagje të identifikuara si burime infeksioni me COVID-19. Muaj më parë ky qytet ka qënë epiqendër e pandemisë në Shtetet e Bashkuara.

Duke kërkuar miratimin nga organet e shtetit për mbylljen, zoti de Blasio tha se vendimi do të prekte nëntë zona ku shkalla e infeksionit është rritur, në disa raste si rezultat i dështimit për të mbajtur distancë fizike dhe mos përdorimit të maskave. Ai tha se 11 zona të tjera ishin në një listë vëzhgimi për shkak të rritjes së shkallës së infeksionit.

Nju Jorku është një prej 18 shteteve ku nuk janë rritur rastet gjatë dy javëve të fundit, sipas analizave nga agjencia e lajmeve Reuters. Nëntë shtete kanë njoftuar rritje rekord të rasteve me COVID-19 gjatë shtatë ditëve të fundit, kryesisht në pjesën qendrore dhe perëndimore të vendit, ku moti i ftohtë po detyron shumë njerëz të mbyllen brenda.

Nëse guvernatori i shtetit të Nju Jorkut Andrew Cuomo e miraton mbylljen, disa lagje në Brooklyn dhe Queens do të urdhërohen të mbyllin të gjitha bizneset jo-thelbësore, restorantet dhe shkollat private e publike. Rreth 100 shkolla publike dhe 200 shkolla private do të mbyllen deri në katër javë, nëse miratohet kërkesa e kryebashkiakut.

Zoti de Blasio tha se nxënësit dhe studentët në distriktin më të madh të arsimit publik në vend do të detyrohen të shkollohen përmes internetit. Ai tha se ata do të pajiseshin me mjete që u mundësojnë studentëve dhe nxënësve që të vazhdojnë arsiminin nga distanca dhe jo si më parë me praninë e tyre në bankat e shkollës.

Kryebashkiaku de Blasio tha se mbyllja kishte për qëllim lehtësmin e shqetësimeve se moti i ftohtë gjatë muajve në vazhdim do të detyronte qëndrimin në mjediset e brendshme të më shumë njerëzve dhe do të rezultonte në një valë të dytë infektimesh nga virusi vdekjeprurës, gjë që të sjell në mendje numrin e lartë të rasteve me COVID-19 që u dyndën në spitalet e qytetit të Nju Jorkut në pranverë.

“Duhet të mbajmë nën kontroll situatën dhe absolutisht ne do ta shmangim një valë të dytë”, tha gjatë një konference shtypi kryebashkiaku de Blasio të dielën. Ai tha se shkollat nuk ishin burim kryesor i përhapjes së virusit. “Nga dy shkolla në një zonë, vetëm një test rezultoi pozitiv”, tha ai. (VOA)

Comment

*