New York: Të premten që vjen, katër shtete hapin plazhet

Shtetet New York, New Jersey, Connecticut dhe Delaware vendosin të hapin plazhet, duke respektuar traditën në fundjavën e Ditës së Përkujtimit

Ato të Qytetit, jo, thotë de Blasio

New York, New Jersey, Connecticut dhe Delaëare kanë vendosur së bashku që të hapin plazhet e tyre, të premten që vjen për fundjavën e Ditës së Përkujtimit, por vetëm me gjysmën e kapacitetit normal për njerëzit.
Lajmi i dhënë në konferencën e shtypit nga Guvernatori Andrew M. Cuomo, bie në kundërshtim me deklaratën e kryebashkiakut Bill de Blasio, vetëm pak orë më parë, se plazhet nuk mund të hapeshin në New York City.
Disa komentues kanë thënë se ndalimi i hapjes së plazheve nuk mund të pengojë njerëzit që të shkojnë afër detit. Ajo vetëm do të pengojë shërbimet e shpëtimit në raste mbytje, të tregëtimit të ushqimeve, transportit public, rojeve dhe pastruesve të plazheve.
Në përplasjen e zakonshme Cuomo-de Blasio, mesa duket plazhet si Jones Beach që janë nën autoritetin e Shtetit do të happen, kurse ato si Orchard Beach në Bronx, apo plazhi në Conney Island nuk do të happen.
Shtetet mund të kenë roje në plazhe për t’i detyruar njerëzit që të mbajnë distancën. Por, Cuomo tha se do të ishte e rrezikshme nëse autoritetet nuk do të ishin aty, duke i quajtur plazhet e mbyllura, kurse njerëzit do të vërshonin në to gjithësesi.
Vendimi ka rëndësi sidomos në New Jersey, ku bregdeti i njohur si “Jersey Shore”, është një nga motorët ekonomikë të shtetit. (Ruben Avxhiu)

 

TË MBASH APO TË MOS MBASH

Një pronar ndalon mbajtjen e maskave në dyqanin e tij

Një tregëtar në California është duke u përballur me një ortek kritikash pasi ka deklaruar se nuk do të lejojë njerëz me maska në dyqanin e tij.
Zakonisht, dyqanet në SHBA, sidomos marketet e mëdha nuk vendosin dot mes detyrimit dhe këshillimit për të mbajtur maska.
Tani që besohet se maskat janë vendimtare në pengimin e përhapjes së virusit në mjedise ku grumbullohen njerëz, qendrat tregëtare duan që të sigurojnë klientët se do të jenë të sigurtë në to.
Mirëpo, disa klientë kërkojnë që të gjithë të mbajnë maska ndryshe kanë frikë të shkojnë e disa refuzojnë të vënë maska duke thënë se është e drejta e tyre, liria e tyre e individit që të mos i vënë. Po sa kohë që nuk sëmur dikë tjetër je i lirë të bësh çfarë të duash. Problemi është se kur je marrës e bartës i virusit, je njëkohësisht edhe transmetues e ngjitës i tij.
Kështu disa pronarë e kanë bërë të detyrueshme e disa e kanë lënë në dorë të klientëve por e këshillojnë që të mbani maskë. Ky në California është një rast i rrallë që i detyron klientët të mos mbajnë maskë. Po kështu ka rrezikuar të nervozojë edhe ata që i vënë rëndësi të madhe mbajtjes së maskave por edhe ata që thonë se njeriu duhet të jetë i lirë të zgjedhë vetë.

Comment

*