New York Times: Zgjedhjet në Serbi gërryejnë demokracinë

Gazeta e përditshme amerikane, New York Times, ka shkruar në një editorial se zgjedhjet presidenciale të 2 prillit në Serbi shënuan edhe një hap më afër autokracisë të shtetit serb, si dhe ishin shenj e keqe për demokracinë në vendin ballkanik.

Më tej, editoriali flet edhe për ndikimin e madh që Vucic ka në media serbe, transmeton Express.

Më poshtë mund ta lexoni editorialin e plotë:

Me fitoren bindëse të kryeministrit Aleksandar Vucic në zgjedhjet presidenciale të 2 prillit, Serbia i është afruar edhe më tej autokracisë. Edhe pse presidenca është kryesisht ceremoniale, Vucic tash mund ta zgjedhë me dorën e vet pasardhësin e vet si kryeministër dhe ta konsolidoj pushtetin e tij, duke qenë se Parlamenti dhe gjyqësori janë gati të bllokuara tërësisht nga Partia Progresive e Serbisë e Vucicit. Pasi që e kanë cunguar rëndë lirinë e shtypit dhe e ka margjinalizuar opozitën, përqendrimi i pushtetit të tij është shenj e keqe për demokracinë e Serbisë.

Edhe pse Vucic fitoi më shumë se 50% të votave, duke e lënë shumë prapa kandidatin që zuri vendin e dytë, Sasa Jankovic, i cili fitoi pakëz më shumë se 16% të votave, zgjedhjet u prishen nga akuzat për frikësimin e votuesve dhe nga një dominim pothuajse total i mediave serbe nga Vucic dhe partia e tij.

Kjo flet shumë për cinizmin serb që Luka Maksimovic, një student 25-vjeçar, i cili garoi – fillimisht si shaka – nën nofkën Ljubisa “Beli” Preletacevic – një emër që i aludohet dikujt që i ndërron partitë politike për përfitime personale – fitoi 9% të votave. Por pakënaqësia e politikës serbe e tejkalon cinizmin.

Çdo ditë qëkur u mbajtën zgjedhjet, mijëra protestues, kryesisht të rinj, kanë dalë në rrugët e Beogradit duke fishkëlluar dhe shpalosur banere me mbishkrimin “Poshtë Diktaturës” dhe “Vucic, ti i vodhe zgjedhjet”. Por, Vucic lavdërohet se fakti se qeveria nuk i ka luftuar protestuesit është shenj e demokracisë. Duke pasur parasysh shtypjen e tmerrshme që u bëhet protestuesve në shumë shtete autokratike, Vucic e ka një argument – apo, mbase ai thjesht nuk i sheh studentët fishkëllyes si kërcënim të madh tash pasi që zgjedhjet janë mabjtur.

Në çdo rast, Vucic mund të tregojë përkushtim ndaj demokracisë duke e rikthyer lirinë e shtypit, duke i lejuar qasje publikut në mendime mospajtuese dhe në informata të burimeve të pavarura, si dhe duke urdhëruar një hetim të pavarur ndaj akuzave për frikësimin e votuesve me premtimin se do ta ndëshkojë secilin person të përfshirë.

Liderët evropianë të cilët e shohin një njeri të fortë siç është Vucic si forcë për stabilitet – dhe të cilët shpresojnë se Vucic do ta mbajë fjalën për premtimin e dhënë për të mbajtur Serbinë në binar për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian madje edhe me rritjen e ndikimit rus në Ballkan – duhet patjetër ta shmangin joshjen për të shikuar tjetër kah, teksa Vucic dhe aleatët e tij mbërthejnë kontroll monopolik mbi institucionet politike të vendit, si dhe mediave.

Ta miratosh një kontroll të tillë të Vucicit do të ishte tradhti ndaj vlerave themelore të Bashkimit Evropian, si dhe të shumë serbëve që i kanë sytë kah Bashkimi Evropian si  fener të drejtave dhe lirive demokratike në një kohë kur liderët e vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore po ia kthejnë shpinën demokracisë.

/Gazeta Express/

Comment

*