“Newsweek”: Serbia po nxit në heshtje shkëmbimin e territorit me Kosovën

“A do të ketë shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë? Një vështrim mbi propozimin më të ri për përfundimin e konfliktit”.

 

Ky është titulli i një shkrimi të gjatë, të publikuar në revistën amerikane “Newsweek”, lidhur me idenë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë.

“Serbia po nxit në heshtje një shkëmbim territoresh me Kosovën dhe duket se projekti nuk është përjashtuar plotësisht. Kjo do të realizohej me marrëveshjen që pjesa veriore e Kosovës të shkëmbehet me një pjesë të Serbisë jugore. Ky ndryshim i kufijve mund të hapë rrugën që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, gjë që do t’i afronte të dyja vendet më afër qëllimit të tyre që të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”, shkruan autorja e shkrimit, Cristina Maza.

Autorja shkruan se takimi i fundit i presidentëve të të dy vendeve, në Bruksel, i cili u mbajt në fund të muajit korrik, nuk rezultoi me ndonjë sukses.

“Serbia tha se udhëheqja e Kosovës nuk ishte e gatshme për kompromis, ndërsa Kosova tha se udhëheqja e Serbisë vuan ende nga mentaliteti i së kaluarës”, shkruan autorja.

“Vuçiq, një ish-nacionalist, i cili ka qenë ministër i informacionit në qeverinë e ish-shefit të fuqishëm të shtetit, Slobodan Millosheviq, është përcaktuar që Beogradi t’i bashkohet BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur. Për këtë arsye, ai thuhet se synon që pjesa veriore e Kosovës, e banuar me një shumicë të madhe serbe, të shkëmbehet me një pjesë të vogël të Serbisë jugore, e njohur si Lugina e Preshevës, ku shumica e popullsisë janë shqiptarë etnikë, sikurse edhe në Kosovë”, shkruan ajo.

“Vuçiqi duket se e dëshiron një marrëveshje të tillë dhe ka fuqi të mjaftueshme (politike) që ta kalojë atë në Serbi, por duket se ai do të arrijë ta bëjë këtë vetëm nëse e sheh se ka fituar diçka në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, në mënyrë implicite ose eksplicite”, ka thënë për “Newsweek” Agon Maliqi , analist politik nga Kosova.

Autorja e citon edhe ekspertin e Institutit për Kërkim të Politikave të Jashtme të SHBA-së, Richard Kraemer, i cili e konsideron shumë rrezikshme idenë për shkëmbimin e territoreve në baza etnike.

“Shkëmbimet e territoreve në baza etnike dhe ndryshimet e kufijve sjellin në kujtesë disa nga kapitujt më të errët të Evropës të shekullit të 20-të”, ka thënë Kraemer për “Newsweek”.

“Kjo do ta hapte Kutinë e Pandorës të precedentëve të rrezikshëm për vende të tjera, si Ukraina dhe gjetkë, ku ndërlidhen në mënyrë shqetësuese kombi dhe identiteti kombëtar”, ka theksuar Kraemer.

Revista e citon edhe shqiptarin 25-vjeçar nga Mitrovica, Agron Beqiri, i cili pajtohet me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se ndryshimi i kufijve do të çonte në luftë.

“Ideja për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë përbën kërcënim për paqen e brishtë që mbretëron në vend prejse Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia”, ka thënë Beqiri për “Newsweek”.

“Mijëra shqiptarë etnikë i kanë shtëpitë e tyre në pjesën veriore të Kosovës, Liqeni i Gazivodës është një burim shumë i rëndësishëm i ujit të pijshëm, kurse një pjesë e minierës së ‘Trepçës’ mund të mbetet matanë lumit që e ndan qytetin [Mitrovicën]”, ka thënë Beqiri.

“Shtytja përpara e kësaj ideje do të ishte sikur t’i hidhej gaz zjarrit. Cili do të ishte fati i mijëra shqiptarëve që i kanë shtëpitë e tyre atje (në veri), në atë pjesë që Serbia dëshiron të marrë? Kush beson se shqiptarët do të pajtohen me rrëmbimin e një vendi të tillë nga Serbia?”, ka thënë 25 vjeçari nga Mitrovica.

Autorja Cristina Maza shkruan se shumë analistë vlerësojnë se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës e Serbisë do të kishte pasoja të rrezikshme në gjithë rajonin.

“Ideja për ndarjen e Kosovës është vetëm një riaktualizim i projektit të Millosheviqit për ‘Serbinë e Madhe’, objektiv përfundimtar i të cilit nuk është Kosova, por Bosnja e Hercegovina”, ka thënë për “Newsweek” Jasmin Mujanoviq, një analist për Ballkanin.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare pajtohet me shkëmbim territoresh në Kosovë, Vuçiqi do të insistojë – siç bëjnë tash sa kohë ai dhe varësit e tij – se Bosnja e Hercegovina është shtet jofunksional dhe se pjesa lindore e saj (Bosnjës), ku është kryer pastrim etnik nga regjimi i Millosheviqit në vitet 1990,  e cila tani njihet si Republika Srpska, është më mirë t’i bashkangjitet Serbisë”, ka theksuar Mujanoviq.

Autorja shkruan se Departamenti Amerikan i Shtetit nuk i është përgjigjur kërkesës për të komentuar në lidhje me idenë për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë. Ajo kujton se ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, gjatë një interviste televizive në Klsovë, në muajin korrik, ka refuzuar ta përjashtonte mundësinë që Uashingtoni ta mbështeste ndarjen e Kosovës.

(Ramadan Muçolli, Illyria)

Linku i shkrimit

Comment

*