Nexhmije Pagarusha kremton 85 vjet të lindjes me nderime në Shqipëri

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i dha “Çelësin e Qytetit” këngëtares së dashur për shqiptarët, Nexhmije Pagarusha

Arben Subashi

Mbretëreshës së Këngës së shqiptarëve Nexhmije Pagarushës iu dha “Çelësi i Qytetit të Tiranës” në një takim të zhvilluar në bashki, nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj.

Nexhmije Pagarusha e festoi 85-vjetorin e lindjes me çmimin e marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump si dhe me çmimin më të lartë të Tiranës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Nexhmije Pagarusha ka mirënjohje të madhe nga krejt shqiptarët për gjithçka që ka bërë për muzikën dhe artin e tyre.

Kryebashkiaku tha gjithashtu se se Pagarusha mbetet simbol i patjetërsueshëm, i pakontestueshëm i artit dhe kulturës:

“Për gjeneratën që vjen, që ndoshta nuk e mban mend as komunizmin, as ish-Jugosllavinë, as luftën, as sakrificat, nuk besoj se do të kishte testament më të mirë se sa i gjithë repertori, këngët, CV-ja e pashtershme e Nexhmije Pagarushës”.

Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha nuk i shmangu dot emocionet:

“Këto momente janë që njeriu nuk mundet me i tregue! Veç shpirtin e ndin se, çka kam përjetue unë në këto vjet! Jam shumë e lumtun në kët’ pritje, në kët’ dashuri që keni ndaj meje, në kët’ respekt! Sa ju e keni, edhe unë ju due shum dhe ju kam dasht edhe kur s’jemi pà e kur s’kemi guxu me u pà”.

Presidenti Ilir Meta e priti gjithashtu në takim të veçantë këngëtaren Nexhmije Pagarusha. Zoti Meta tha se ishte privilegj për t’i uruar ditëlindjen Pagarushës si dhe jetë sa më të gjatë.

###

Tirana ka nderuar sot me “Çelësin e Qytetit” një nga këngëtaret më të dashura për të gjithë shqiptarët, Nexhmije Pagarushën, e cila ka festuar 85 vjetorin e lindjes.

E njohur si bilbili i Kosovës dhe mbretëresha e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha u prit në Bashkinë e Tiranës në një ceremoni të veçantë, ku kryebashkiaku Erion Veliaj i dha “Çelësin e Qytetit”, në shenjë mirënjohje për gjithçka ajo ka bërë për muzikën dhe artin shqiptar. Veliaj e cilësoi Pagarushën si simbol i pakontestueshëm i artit, kulturës edhe i asaj çka përfaqëson Shqipëria dhe shqiptarët.

“Me këtë nderim në emër të qytetit të Tiranës, jo vetëm i japim ‘Çelësin e Qytetit’, por edhe mirënjohjen tonë të thellë për një kohë kur të ishe artiste ishe në fakt përfaqësuesja më e denjë e të gjitha aspiratave të kombit tonë. Sot i japim ‘çelësin e shtëpisë’ Nexhmije Pagarushës sepse mendojmë që kjo shtëpi, është edhe shtëpia e saj”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Këngëtarja Nexhmije Pagarusha, e emocionuar për pritjen, falenderoi kryebashkiakun për “Çelësin e Qytetit”, duke shtuar: “Edhe juve ju falenderoj shumë se kurrë s‘më harroni, më çmoni dhe më doni kaq shumë. Gëzohem kaq shumë që e marr këtë çelës, se ndoshta nuk e meritoj. Tash kush do me ardh në Tiranë, le të vijë tek unë. Eh, ta kishim pasur këtë çelës më përpara dhe i lutem zotit që të jetoj sa më gjatë që ta shijoj”, tha ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Kreu i Bashkisë së Tiranës shtoi se Nexhmije Pagarusha dhe këngët e saj janë trashëgimia më e mirë që i lihet brezit të sotëm, për të njohur të shkuarën e Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar. “Sot kemi një sfidë për gjeneratën që vjen, një gjeneratë që ndoshta se mban mend as komunizmin, as Ish-Jugosllavinë, as luftën, as sakrificat dhe besoj që për të gjithë ne që do të duhet t’ua shpjegojmë dhe të kalojmë stafetën gjeneratës tjetër nuk besoj se do të kishte testament më të mirë se sa repertori i këngëve të pashtershme të Nexhmije Pagarushës”, tha Veliaj.

Comment

*