Nga debatet, 10 vjet më parë, me kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës

Redaktori i gazetës “Illyria” u përgjigjet tezave serbe në gazetën e prestigjioze, “Wall Street Journal”

 

Ditën e hënë, më 27 gusht 2007, gazeta e njohur “Wall Street Journal” botoi një reagim të redaktorit të gazetës shqiptaro- amerikane, “Illyria”, Ruben Avxhiu. Letra e redaktorit tonë i përgjigjej një shkrimi të Alan J. Kuperman, profesor në Shkollën e Marrëdhënieve Publike “LB Johnson” në Teksas.

Përgjigjia duhet kuptuar në kontekstin e debateve të kohës, në SHBA, për pavarësinë e Kosovës.

Kuperman, duke reflektuar vijën zyrtare serbe, kishte paralajmëruar Perëndimin, me një opinion të botuar në 16 gusht, në gazetën “Wall Street Journal” se po rrezikonte një luftë të re në Ballkan duke njohur një pavarësi të re në kurriz të një pakice tjetër serbe, siç kishte bërë, sipas tij, në Slloveni, Kroaci e Bosnje.

Ai sugjeronte ndryshimin e Planit të Ahtisaarit në mënyrë që të kënaqte më mirë interesat serbe në Kosovë. Konkretisht, ai propozon që pjesë veriore e Kosovës, me popullatë të madhe serbe të shpallej autonome. Kuperman ka marrë doktoratën në shkencat politike në universitetin e njohur, Massachusetts Institute of Technology dhe është vetëm një nga zërat proserbë të rikthyer edhe njëherë gjatë muajit në median amerikane për të penguar pavarësinë e Kosovës.

Letra e redaktorit Avxhiu kundërshtonte shtrembërrimin e historisë, duke treguar se fajtori i vërtetë i gjakderdhjeve në Ballkan nuk ishte futja e hundëve nga Perëndimi, por diktatori Millosheviç. Nëse kishte faj Perëndimi ishte pse nuk u përzje më herët e më fort dhe jo e kundërta. Teksti i plotë i reagimit që u botua në gazetën “Wall Street Journal” me titullin “Mos ia vini fajin botës për krimet e Millosheviçit”, në faqen A9 të numrit të 27 gusht, vijon këtu:

 

Mos ia vini fajin botës për krimet e Millosheviçit

Ruben Avxhiu

Lidhur me opinionin e datës 16 gusht të Alan J. Kuperman’s (Plani me të meta i OKB-së për Kosovën), autori është tërësisht i gabuar. Luftërat e përgjakshme etnike në Ballkan nuk ndodhën për arsye se “komuniteti ndërkombëtar njohu më shpejt se ç’duhej pavarësinë e një ish-territori jugosllav, pa iu përgjigjur shqetësimeve të pakicës së tij serbe” (citim nga shkrimi i Kuperman-it).

Të fajësosh botën për pasojat e ambicjeve fashiste të diktatorit serb, Sllobodan Millosheviç, është qendrimi i gabuar ndaj historisë ballkanike të kohëve të fundit. Ajo që ka ndodhur vërtet është e kundërta e asaj që shkroi Kuperman. Sikur bota ta kishte njohur menjëherë, pa hezitim publik, të drejtën e kombeve ish-jugosllave për vetëvendosje, kjo do të kishte dekurajuar përdorimin e dhunës nga Millosheviçi dhe si dhe besimin e serbëve se ishte e lejueshme t’u pengohej jugosllavëve të tjerë e drejta për t’u shkëputur.

Për më tepër, amendamenti i propozuar nga zoti Kuperman do ta shtynte edhe më tej Panin e Ahtisaarit në drejtim të krijimit të një Kosove të përçarë sipas vijave etnike, në vend që të frymëzonte dhe institucionalizonte integrimin dhe një të ardhme të përbashkët për qytetarët e saj. Më keq akoma, një provincë autonome veriore, brenda ish-provincës, vetëm sa do të inkurajonte serbët e Kosovës që të besonin se një ndarje e re është e realizueshme dhe e pranuar heshturazi nga bota. Do të ishte gjithashtu një sinjal për ambicjet shkëputëse për serbët e Bosnjës dhe Malit të Zi, shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë e kështu me radhë.

Në vend që të mbyllte, kapitullin e fundit të shpërbërjes Jugosllave, siç pretendon, propozimi i zotit Kuperman rrezikon të hapë një të ri, një fazë shkëmbimesh territoriale që jo vetëm do të provokonte rishikimin e shumë kufijve në Ballkan, por do të përfundonte në plotësimin e shtetit-komb që ëndërronte Millosheviçi

Ruben Avxhiu

Editor

Illyria Newspaper

New York

Comment

*