Nga Historia e Postës Amerikane

Albana M Lifschin

Imagjinoni sikur po lexoni një reklamë për punë e cila kërkon këto cilësi për kandidatin: “Mosha 18 vjeç, i fuqishëm, i palodhur, trim, kalorës me eksperiencë, i gatshëm për të sakrifikuar edhe jetën. Preferohen jetimët..”
Kjo reklamë ishte vendosur në një gazetë të Kalifornisë pothuaj një shekull e gjysëm përpara. Në pranverën e vitit 1860, Kompania e Xhon Baterfilldit (John Butterfield) po bëhej gati për lançimin e postës toksore amerikane “Pony express”. Deri atë kohë letrat nga Nju Jorku në San Francisko merrnin 30 ditë me anije, e cila duhet t’i binte rreth e qark bregut jugor të Amerikës. 30 ditë për tregëtarët dhe bankierët qe një kohë shumë e gjatë. Me vënien në shërbim të Pony Express rruga postare bëhej me kalë dhe nisej prej St. Josef, Misuri, e kalonte nëpërmjet shteteve të Kansasit, Nebraskës, në verilindje të Kolorados, Wyoming, Utah, Nevadës, dhe mbërrinte në Sakramento, Kaliforni dhe anasjelltas. Posta e parë me Pony Express arriti Sakramenton, në 13 April, 1860. Postjeri i parë që u nis nga St.Josef në drejtim të perëndimit ka qënë Johnny Fry. (Xhoni Fraj). Si postjerë-kalorës shërbyen gjithësej 183 djem të rinj e të fuqishëm. Pagesa e tyre ishte 100 dollarë në muaj. Udhëtimi postar kryhej ditën edhe natën. Letrat e shkruara mbështilleshin në mëndafsh futeshin në çanta me xhepa të mëdhenj lëkure që ngarkoheshin mbi kurriz të kalit. Kuajt e postës ndërroheshin çdo 10-15 mile në stacionet e ngritura nga kompania e postës për këtë qëllim. Rruga ishte e gjatë 2,000 mile dhe e rrezikshme. Djemve të postës u duhej të përballonin jo vetëm të ftohtin e stuhitë e dimrit, thatësinë e verës, por sulmet e papritura të indianëve dhe të grabitësve të ndryshëm duke marrë në sy rrezikun e vdekjes. Nisjet bëheshin në dy drejtime njëherësh, nga lindje e nga perëndimi, çdo ditë, me përjashtim të së dielës. Udhëtimi zgjaste 10 ditë në stinë vere dhe 12 deri 16 ditë gjatë periudhës së dimrit. Vetëm shpërndarja e fjalimit të inagurimit të presidentit Abraham Linkoln u bë në kohë rekord, brënda 8 ditësh. Mendoni që kalorësit postjer i është dashur të bënte rreth 250 mile në ditë.
Megjithëse zgjati vetëm rreth një vit e gjysëm (Prill 1860 – Tetor 1861) “Pony Express” pati rëndësi historike sepse qe i vetmi dhe më i shpejti mjet komunikimi i kohës midis lindjes dhe perëndimit, deri me shpikjen e telegrafit. “Pony Express” fitoi respekt dhe postjerët trima fituan admirimin e njerëzve. Gjatë këtij shërbimi një kalorës postjer u vra nga indianët dhe posta humbi vetëm një herë. “Pony Express” zgjoi imagjinatën dhe interesin e krijuesve. Për të u shkrua shumë dhe ende vazhdon të shkruhet. U bënë filma artistikë të cilët shijohen me ëndje nga publiku amerikan.

Ne foto: Postjeri i pare amerikan Xhoni Fraj.

Comment

*