Ngjarja që paralajmëroi një epokë të re historike: Seminari kushtuar 300-vjetorit të Pjetër Bogdanit në New York

Ruben Avxhiu

30 vjet më parë, në 7 tetor 1989, komuniteti shqiptar në New York mbajti një Seminar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit.
Rëndësia e kësaj veprimtarie shkon shumë më larg se ajo e një ngjarjeje komunitare, kulturore, apo akademike. Vështirë që edhe vetë organizatorët dhe pjesëmarësit e kësaj ngjarjeje të kenë qenë të ndërgjegjshëm sesa monumentale do të mbetej aktiviteti në histori.
Do të mundohem për aq sa lejon një editorial të shpalos këtu ndikimin historik të Seminarit, po për një kuptim të plotë duhen lexuar përmbledhjet e medias të kohës, vetë ligjëratat e mbajtura, e kujtimet e pjesëmarrësve.
Në veçanti historia do t’i mbetet mirënjohëse Tonin Mirakajt, një nga organizatorët kryesorë, drejtues i Seminarit dhe autor i një libri që përshkruan me hollësi ngjarjen.
Kush ishte Pjetër Bogdani, që të meritonte një Seminar si ky? Një mënyrë për ta përshkruar është të thuash që ishte i fundmi i katër B-ve të mëdha të themeleve të gjuhës dhe kujtesës sonë kombëtare shqiptare, të prodhuara në perëndim të civilizimit të madh katolik në trojet tona. Pas Buzukut, Budit dhe Bardhit, Imzot Pjetër Bogdani ka lënë një trashëgimi të paçmueshme gjuhësore me “Çetën e Profetënve”. Me veprimtarinë e gati një jete, ai lidhet ngushtë me përpjekjen e fundit serioze për t’u shkëputur nga pushtimi otoman e për t’u rikthyer në gjirin e Perëndimit. Kjo ishte një periudhë historike që u paraprin ndërgjegjësimit të kombeve, po lëvizja e rezistencës që frymëzoi Bogdani ishte thelbësore për vetëdijen shqiptare për lidhjen historike me epoka e heronj të lavdishëm, për rolin e kësaj popullate e këtyre trojeve me gjenezën e fesë së krishterë, lidhje këto që do të shërbenin jashtëzakonisht shekujt më vonë kur shqiptarët të përballeshin me ndryshime që rrezikonin gjithë ekzistencën e tyre.
Pa figura si ajo e Bogdanit nuk do të kishte Rilindje Kombëtare, mbi bazën e të cilës shqiptarët mundën të mbijetojnë në hartën e botës. Po më shumë se një shekull që prej Rilindjes, bashkatdhetarët e Bogdanit ishin sërish në udhëkryqe historike që kërkonin ndihmën e tij. Në këtë 300-vjetor të Bogdanit, shqiptarët e Kosovës mund të hidhnin poshtë me krenari narrativën historike serbe që e përshkruante Kosovën si të përmbytur nga shqiptarët pas eksodit serb që shoqëroi dështimin e kryengritjes serbe në shekullin e 18. Veprimtaria e Bodganit shenjon në histori rezistencën shqiptare si pjesë e Ligës së Shenjtë Europiane shumë përpara se të zgjoheshin serbët nga ndikimi i Rusisë.
Ndërsa në Shqipëri ishin ndaluar të drejtat e njeriut dhe feja, ky kontribut madhor i Bogdanit shkëlqente nga e kaluara si frymëzim i refuzimit të një populli në kërkim të lirisë së tij.
Fakti që përkujtimi po bëhej i mundur nga një bashkëpunim të krishterësh e myslimanësh dëshmonte për frymëzimin mbarëshqiptar që prodhonte shembulli e kujtimi i Bogdanit.
Mes historisë së dikurshme dhe realitetit të kombit shqiptar në 1989, qendronte më mes komuniteti shqiptaro-amerikan. Kjo ngjarje shënon gjithashtu fillimin e një rilindjeje të madhe që do ta ngjiste komunitetin tonë në krye të sfidave kombëtare si kishte ndodhur vetëm në kohën e Nolit dhe të Konicës.
Seminari përkonte me daljen, si asnjëherë tjetër, në skenë të komunitetit katolik të Nju Jorkut që po e kthente suksesin ekonomik e shoqëror të dekadave në mërgim, në një forcë të madhe kombëtare. Familjet që dikur kishin mbërritur në këtë vend si mërgimtarë të rrënuar ia kishin dalë me sukses jo vetëm të mbijetonin po të realizonin ëndrrën amerikane. Ata kishin ndërtuar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre, kishin ruajtur identitetin e tyre kombëtar, fetar me traditat kulturore e zakonore. E tani ishin gati për të dhënë më shumë për atdheun e largët.
Vetëm pak ditë, përpara Seminarit, udhëheqësit e komunitetit katolik kishin blerë truallin ku do të ngrihej Kisha e Zojës së Shkodrës, në Hartsdale, që është sot një nga tempujt kombëtarë të shqiptarëve të Amerikës. Të bashkuar në një kishë të vetme, katolikët shqiptarë njujorkezë ishin një komunitet në ngritje të pandalshme gati për të folur me një zë autoritar për fatin e kombit.
Kush më mirë se ata mund të bënte një Seminar në këtë 300-vjeçar të Pjetër Bogdanit.
Suksesi tyre ishte edhe një sukses i mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan. Ishte zemërngrohëse bujaria e bashkëpunimi me vëllezërit myslimanë e të feve të tjera për këtë ngjarje të madhe.
Ishte dëshmi e ambicjes së re të këtij komuniteti që Seminari u zhvendos nga ku ishte menduar fillimisht, në mjedisin e një restoranti, në një nga hapërsirat e Fordham University. Ligjëruesit nuk do të ishin veprimtarë të njohur apo egot e rënda të komunitetit, po studjues e intelektualë të vërtetë, me tituj akademikë e me vepra kushtuar trashëgimisë së Pjetër Bogdanit.
Ngjarjet e mëdha janë shpesh të tilla se rastisin me kthesa historike dhe ndikojnë në to. Seminari për 300-vjetorin e Pjetër Bogdanit kishte rëndësi se u parapriu ngjarjeve të mëdha shndërruese të kohës. Vetëm pak më shumë se një vit më vonë do të rrëzohej komunizmi në Shqipëri, do të rivendoseshin lidhjet me SHBA-në, do të ligjërohej pluralizmi e me liritë fetare do të rihapeshin kishat e xhamiat.
Mes studjuesve të ftuar ishte edhe një emër që shumë shpejt do të bëhej më i njohuri i mbarë botës shqiptare. Në kohën, kur Tonin Mirakaj me shokë vendosën të ftojnë për në këtë Seminar Dr. Ibrahim Rugovën, ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në Jugosllavi. Ai u ftua si albanolog, studjues e njeri i letrave. Por, vetëm pak pas kthimit në atdhe, ai do të vihej në krye të partisë së parë demokratike në trojet shqiptare në epokën e re.
Ndonëse ky prezantim i parë me komunitetin në SHBA nuk ishte i natyrës politike, ai hodhi rrënjët e një bashkëpunimi politik që vazhdoi deri në fund të jetës së Presidentit historik të Kosovës.
Kur u kthye herën tjetër, Dr. Rugova ishte tashmë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, po për ta mbështetur në SHBA nuk ishin rreshtuar vetëm patriotët nga Kosova, po mbarë komuniteti dhe si rrallë më parë, komuniteti katolik i shqiptarëve, në New York, po edhe në Michigan e më tej.

Nuk kishte dyshim se Dr. Rugova kishte fituar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve që e ndoqën gjatë asaj vizite e seminari në 1989. Ngjarja i shërbeu kauzës së Kosovës, në mënyra që as që mund të imagjinoheshin në atë kohë.
Pa ia hequr asnjë meritë Dr. Ëngjëll Sejdaj, pa ndërmjetësimin e të cilit, vizita e Rugovës mund edhe të mos kishte ndodhur e që ndoshta mes dy miqve nga Kosova ishte ai që ishte marrë më shumë me Bogdanin, po kjo vizitë e Rugovës ishte një ogur i mirë, një shenjë gati mbinjerëzore e ndryshimeve që po sillte koha.
Nga ana tjetër edhe vetë Dr. Ibrahim Rugova pati shansin të njihej me komunitetin shqiptar në SHBA. Ai gjeti mes komunitetit të Zojës së Shkodrës, një forcë që po zgjohej e që do të sillte kontribut të madh në jetën e fatin e kombit. Arkitekti i Kosovës së pavarur mori pjesë edhe vetë në vendosjen e gurthemelit të kishës në Hartsdale, New York, ku një ditë do të pritej me bujë si hero e mik i madh. Shqiptarët e Amerikës i dhanë mundësinë të njihej me ndërtesën e OKB-së, me ndërtesat qeveritare në Washington DC etj. Në një nga shkrimet për këtë temë, Frank Shkreli tregon për vizitën e Rugovës në shtëpinë e tij, në kryeqytetin amerikan. Për turin e ndërtesave qeveritare, Kongresin Amerikan, Shtëpinë e Bardhë.
Rugova mund të ishte thjesht një albanolog që vizitonte Amerikën, po mund edhe të kishte qenë një gjeneral që instikti e intuita e çojnë që të vizitojë fushën e betejës shumë përpara se të fillojë lufta. Nëse Rugova ka pasur nevojë për zemërdhënie dhe një provë se Kosova nuk do të ishte vetëm e se Amerika me gjithë shkëlqimin dhe lavdinë e saj ishte e arritshme, ai pa diskutim është furnizuar bujarisht gjatë kësaj vizite. Kujtimet e saj kanë qenë padyshim në mendjen e tij kur themeloi e mori në drejtim LDK-në dhe lëvizjen për pavarësimin e Kosovës.
Nuk kam dyshim se katolikët shqiptaro-amerikanë do të ishin bashkuar gjithësesi në përpjekjet shqiptaro-amerikane në lobimin historik për Kosovën. Mirëpo, kjo njohje paraprake me udhëheqësin vendimtar të lëvizjes për pavarësi shërbeu si një garanci e një nxitje e madhe për ta parë kauzën e Kosovës edhe si të tyren.
Komuniteti shqiptaro-amerikan është një, po është gjithashtu edhe i përbërë nga një numër komponentësh. Ky është një komunitet me pasuri të madhe njerëzore. Po ndarjet janë të natyrshme. Njerëzit orientohen sipas prejardhjes së vjetër në atdhe, sipas krahinës, lidhjeve farefisnore, tempujve të besimit, ideologjive, organizatave dhe kauzave të përbashkëta që kanë për zemër, miqësitë e krijuara, fqinjësia nga banesa në SHBA, vendi i përbashkët i punës, e profesioni. Këto lloj ndarjesh krijojnë segmente të natyrshme të organizimit të komunitetit. Mes tyre vështirë të gjesh një grumbullim më të madh, më të bashkuar e më përfaqësues se ai i Zojës Sonë të Shkodrës. Nëse dëshiron t’i japësh jetë e gjallëri një kauze në këtë komunitet mbështetja e komunitetit të famullisë së Zojës Sonë të Shkodrës është një nga faktorët idealë për t’u kooptuar.
Mjafton të kujtojmë Festivalin e përvitshëm folklorik kombëtar që mbetet ngjarja më e madhe e më e larmirshme artistike e kulturore e komunitetit shqiptar në histori. Sikur të mos mjaftonin këto është edhe ngjarja më afatgjatë, pas asaj obliguese të festimit të 28 Nëntorit. E nisur vetëm pak kohë pas Seminarit, përsëri nga Tonin Mirakaj me shokë, Festivali vijon edhe sot e kësaj dite. Edicioni i radhës do të organizohet së shpejti e nëse nuk e kendi ndjekur kurrë, mos e humbisni këtë radhë.
Roli i katolikëve shqiptarë meriton një vëmendje që shkon përtej numrave të tyre kur flitet për pavarësimin e Kosovës. Ishte dëshmia e tyre e madhe historike që rrëzoi narrativën serbe se konflikti për Kosovën ishte një përplasje e “civilizimeve fetare”, mes të krishterëve serbë si mburojë e Europës dhe Perëndimit dhe e myslimanëve shqiptarë si agresioni që vjen nga Islami, Lindja apo Azia. Mbijetesa e madhe katolike e Kosovës është dëshmi e një krishterimi paraserb, madje edhe paraeuropian. Perëndimi e Europa ishin shekuj larg njohjes e përqafimit të Jezu Krishtit kur Shën Pali shkroi letrat e tij për Romakët nga trojet e Ilirisë. U desh madje një perandor ilir që të zyrtarizonte krishtërimin si fe të Perandorisë Romake e të fillonte epokën e madhe të fesë së krishterë në këtë kontinent. Serbët me manastiret e tyre e kishat që ua vodhën me dhunë katolikëve shqiptarë e ua ndërruan identitetin sjellin në debatin e sotëm data që janë të paktën 1,000 vjet më të vonuara se ato të shqiptarëve. Një mijëvjeçar nuk mund të fshihet kaq lehtë nga historia e njerëzimit e nëse serbët duan të kthehen e të flasin për Mesjetën, po ashtu edhe shqiptarët kanë të drejtë e të flasin për rrënjët e tyre ilire e për tradita që nuk mund të injorohen më.
Seminari për 300-vjetorin e Pjetër Bogdanit ishte i natyrës akademike e kulturore por ai ndihmoi në gjenerimin e një përkrahjeje të madhe politike. Në një farë mënyre, ai zgjoi në momentin e duhur historik shpirtin rebel të Bogdanit që u mishërua në hovin e ri shqiptar për të jetuar në liri e mëvetësi. Bogdani jetoi në një epokë kur ndërgjegjia kombëtare nuk ishte zgjuar. Mesazhi dhe thelbi i lëvizjes së tij ishte thjesht fetare e katolike, po në zemrën e vet kishte diçka universale që rezonon në çdo kohë: dëshira për liri, lidhja e natyrshme shoqërisë shqiptare me Perëndimin, mbijetesa dhe qendresa e traditave shekullore. Këto nuk vdesin kurrë.
Tre dekada më vonë, shqiptaro-amerikanët duhet të kujtojnë me krenari këtë Seminar. Për nga organizimi i përkryer ai mund të rradhitet mes aktiviteve më me nivel në mbarë New York City-n. Për nga niveli i ligjëratave, ai nuk ka dallim nga seminaret më të ndritura akademike të universiteteve amerikane. Për nga pjesëmarrja e kurioziteti ai dëshmoi një ambicje të komunitetit tonë që shkon përtej materializimit dhe zbrazëtirës shpirtërore e intelektuale të kohës. Për nga pikëpamja historike, Seminari ishte nga ato ngjarje që i ndajnë epokat në dysh, duke shënuar ose fundin e njërës ose fillimin e tjetrës. E çfarë fillimi i madh që ishte ai. Një nga kapitujt më të ndritur të historisë së kombëtare po fillonte duke nxjerrë mësimet e një kapitulli tjetër pothuajse të harruar 300 vjet më parë. Në një farë mënyre shqiptarët e Amerikës u ngritën dhe thanë, shikoni çfarë ka ndodhur përpara 300 vjetëve. Po shikoni më mirë se çfarë do të bëjmë në këtë shekull të katërt. Sot, në këtë përvjetor gjendja e shqiptarëve as që mund të krahasohet me atë të kohës së Seminarit. E shekulli ynë i premtuar vetëm sa ka filluar.

2 Responses to “Ngjarja që paralajmëroi një epokë të re historike: Seminari kushtuar 300-vjetorit të Pjetër Bogdanit në New York”

Read below or add a comment...

  1. sami repishti, PhD. says:

    I dashtuni koleg Ruben Avxhiu: Pergezimet e mia ma te thella per kete Editorial te shkelqyeshem qe na dhuron sot, si material leximi ndertues, ashtu edhe si kujtese e frymezimit tone tridhjete vjet ma pare. Pershkrimi i ngarjeve te Konferences mbi Bogdanin ashte preciz, dhe i frymezuem nga nji ndjenje pergjegjsie qe ti ke ndie per kete eveniment, si dhe per rrjedhimet e tij te medha megjithse jo te parashikueme.
    Per kete ti meriton mirenjohjen tone te pergjithshme.
    Roli i kolegut tim te mire, Tonin Mirakaj, ashte per tu levdue dhe çmue nga te gjiithe.Gezohem qe e ke theksue ashtu si e meriton. Edhe ma me randesi ashte roli i populisise katollike shqiptare ne veprimtarine e tashme dhe te kalueme per pavaresine e Shqiperise; dhe ne keto kohet tona per pavaresine e Kosoves. Me nji grupim te ketille koshient dhe te bashkuem, komuniteti i jone shqiptaro-amerikan ka te drejte te jete optimist per te ardhmen. Fryma e bashkepunimit nderfetar e nderkrahinor duhet te mbahet gjalle sepse ashte shpirti i atdhetarizmit shqiptar: shume besime por nji atdhe i vetem per te gjithe, pa dallim, pa perjashtim.
    Ti ke te drejte kur thue se ky ashte nji fillim i mire i nji shekulli premtues. Edhe une mendoj se e ardhmja e kamunitetit shqiptaro-amerikan do te jete edhe ma e mire. Ndjenja kombetare, dhe sidomos e bashkepunimit ne mes ta pjestareve te komunitetit ashte zhvillue me nji populi ma te arsimuem dhe ma te suksesshem ne jete.
    Perseri, pergezimwt e mia!

  2. Thanas L. Gjika says:

    I dashur Ruben ju pergezoj per editorialin e sotem, nje sinteze mbi seminarin shkencor kushtuar 300-vjetorit te vdekjes se Pjeter Bogdanit, intelektualit me te shquar shqiptar te shek. XVII-te, vepra e te cilit e ka nderuar dhe e nderon popullin tone ne mbare boten europiane. Keni bere disa percaktime origjinale si ndaj Bogdanit, seminarit perkujtimor, komunitetit tone te Amerikes dhe te ardhmes sone kombetare.
    Keni te drejte kur shkruani se shekulli i IV, ky qe po jetojme mbas vdekjes se Pjeter Bogdanit, eshte shekulli premtues per shqiptaret dhe ka nisur mbare me shkermoqjen e diktaures dhe lirine e Kosoves; dhe nenkuptohet se do te vijoje me te tjera arritje te medha deri te krijimi i shtetit tone kombetar, endrres se Rilindesve tane.
    Gjithashtu te falenderoj qe permende faktin se Shen Pali e shkroi letren drejtuar te krishtereve te Romes nga trojet ilire [Dyrrach / Durres].
    Gjithe te mirat,
    Thanasi

Comment

*