Ngjarje historike, në SHBA themelohet e para katedër e albanologjisë

Frank Shkreli

Hapja e një katedre për studime shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë një ëndërrë e kahmotshme e komunitetit shqiptaro-amerikan, prandaj për këtë flitej si për një dëshirë të parealizuar sidomos nga akademikët e njohur të këtij komuniteti, si: Prof. Arshi Pipa, Prof. Stavro Skendi, Prof. Nick Pano, Prof. Sami Repishti, e shumë të tjerë.

Kjo nismë është me të vërtetë një moment i rëndësishëm në historinë e studimeve shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe i shumëpritur nga komuniteti shqiptaro-amerikan.  Ajo që nuk u arrijt dot për më shumë se një shekull — aq sa është edhe historia e shqiptarëve në Amerikë — më në fund u bë realitet, këtë vit.  Në Universitetin DePaul të qytetit Çikago të shtetit Illinois —  njëri ndër universitetet më të njohura amerikane dhe universiteti më i vjetër katolik në Shtetet e Bashkuara — është themeluar Katedra për Albanologjinë për Studime Shqiptare – “Katedra e re e Albanologjisë Hidai Bregu në Unversitetin DePaul”.

Katedra e parë e Albanlogjisë në Amerikë është hapur falë një donacionit të filantropit shqiptaro-amerikan, Z. Hidai Eddie Bregu, ndërsa drejtor i parë i kësaj katedre albanologjike në Universitetin DePaul është emëruar Profesori Gazmend Kapllani – duke e bërë kështu këtë universitet, të parin në historinë e universiteteve amerikane që i lartëson studimet shqiptare në nivel katedre kurse Profesorin Kapllani si drejtorin e parë të saj.

Natyrisht, merita e madhe i takon filantropit dhe patriotit të shquar shqiptaro-amerikan, Z. Hidai Eddie Bregu për fondet që ka dhuruar për themelimin e Katedrës Albanologjike.  Profesori Kapllani e ka cilësuar z. Bregu një “Njeri me një vizion të jashtëzakonshëm.  Sa patriot aq edhe i lidhur me rrymat më bashkëkohore, aq edhe mendjehapur, aq edhe i lidhur me bashkësitë e ndryshme në Amerikë.  Pra, për mua është model i patriotit bashkëkohor”, ka thënë z. Kapllani, duke shtuar se ai vetë ishte i nderuar të shërbejë si drejtori i parë i Katedrës dhe se ai do të bëjë ç’është e mundur që t’i shërbejë dhe ta nderojë emrin dhe vizionin z. Bregu.

Në një komunikim elektronik me mua, Drejtori i ri i Katedrës në Universitetin DePaul, Prof, Gazmend Kapllani u shpreh, për këtë artikull, se për momentin ai ka përqendruar përpjekjet dhe planet e tij fillestare që, siç u shpreh ai, “Ta bëjmë Katedrën e Albanologjisë në DePaul një pikë-takimi të akademikëve, artistëve dhe intelektualëve shqiptarë që do sjellin mendimin krijues dhe do nxisin debate të frutshme mbi temat Shqiptare.  Për këtë arsye vazhdojmë edhe këto kohë të pandemisë eventet tona publike. Të shtunen do ta shfaqim online filmin ‘ZANA’ që do shoqërohet me një diskutim me regjizoren e filmit Antoneta Kastrati dhe drejtoren e fotografisë Sevdije Kastrati. ‘Zana’ është emëruar si filmi pjesëmarrës i Kosovës në Oscar. Është një film i jashtëzakonshëm”, shtoi Profesor Kapllani.

Në të njëjtin komunikim, Dr. Kapllani njoftoi gjithashtu se në Universitetin DePaul është krijuar tashmë Aleanca Kulturore Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Cultural Alliance), themeluar nga studentë dhe të rinj të këtij universiteti dhe të universiteteve tjera.

“Një nga projektet që kemi nisur të punojmë quhet ‘Speak Memory’. Projekti ka si synim të mbledhë historitë personale të Shqiptaro-Amerikanëve, fillimisht në Cikago dhe mandej në gjithë Amerikën gradualisht”, tha Prof. Kapllani.

Ai tregoi se ky është një projekt afatgjatë, synim i të cilit është “krijimi i një arkivi të kujtesës së komunitetit (historitë do të regjistrohen dhe do të ruhen në bibliotekën e Universitetit DePaul, bashkë me dëshmi të tjera që mund të na ofrojnë të intervistuarit, si kopje fotografishë, ditare, karta postale që lidhen me historinë e tyre personale dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan. Sipas rezultateve që do kemi, historitë mund të bëhen libër, ekspozitë ose dokumentar“, theksoi Dr. Kapllani.

Sa u përket planeve të mëvonshme, Drejtori i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin De Paul të Çikagos tha se, varësisht, nga kushtet, ai do të dëshironte që vitin e ardhshëm të organizojë një konferencë për Holokaustin dhe për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, në bashkëpunim me Muzeun e Holokaustit në Çikago. Kjo konferencë, sipas Profesor Kapllanit, do shoqërohet me botimin e një libri në anglisht për këtë temë.

Pritet që në shtator, kur të fillojѱ viti i ri akademik, Katedra e Albanalogjisë në Universitetin DePaul të Çikagos të fillojë zyrtarisht punimet. Planet për zhvillimin afatgjatë të katedrës, Profesor Kapllani i ka shpalosur pjesërisht në një intervistë me Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe, në marsin që kaloi.

“Po punojmë për të krijuar platformën dhe nga momenti i krijimit të saj brenda këtij viti çdo student do të mundet të drejtohet tek ne dhe të regjistrohet.  Do jetë anëtar si të thuash i diplomës që ne do japim, sepse ne duam që t’u japim diploma studentëve tanë.  Dhe studenti do të mësojë nga një anë gjuhën shqipe dhe nga ana tjetër ato që i quajmë ne lëndë përmbajtjeje, pra lëndë që do të jenë në shqip dhe anglisht për tema dhe tematika të ndryshme të albanologjisë”, i ka thënë ai Zërit të Amerikës.

Në intervistën me VOA-n, Dr. Kapllani ka thënë se Katedra e parë albanologjike në një universitet amerikan do të ofrojë lëndë gjithëpërfshirëse nga të gjitha disiplinat, me qëllim për të tërhequr studentë shqiptarë dhe të huaj.

“Do t’i kemi të gjitha disiplinat nga gjuha, letërsia, historia, arkeologjia, filozofia.  Dhe duam që të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore, sepse albanologjia ka mundësi të jashtëzakonshme, sidomos kur lidhet me çështje që janë në qendër të diskutimeve globale sot, qoftë për letërsinë e diapsorës, qoftë për historinë dhe gjeostrategjinë, qoftë për fenë.  Pra, ne do të mundohemi të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore që nuk do t’u flasë vetëm studentëve shqiptaro-amerikanë të cilët janë qendra dhe publiku kryesor i yni, por t’i flasë çdo studenti nga çdo lloj origjine apo nga çdo lloj baze etnike”, ka thekësuar z. Kapllani.

Nismë më të rëndësishme se themelimi i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin më të vjetër katolik DePaul në Shtetet e Bashkuara, me qendër në Çikago, për komunitetin dhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan nuk besoj të ketë pasur në këto 100-vjet. Do të jetë një qendër kulture arbërore në Shtetet e Bashkuara, në një vend që ka bërë aq shumë gjatë historisë për kombin shqiptar, për ruajtjen e kulturës dhe të identitetit të shqiptarëve në trojet e veta.  Jam i bindur se katedra do të jetë një qendër ku do të mbizotërojë atmosfera e veçantë e Arbërit, aty ku — për shqiptaro-amerikanët dhe jo vetëm – kultura, gjuha dhe traditat tona do të përtërihen në një botë të huaj, por mike për shqiptarët, siç është Amerika.  Si të mos e mirëpresim themelimin e një qendre akademike si kjo, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një katedre që do të merret me historinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën e trojeve tona, një qendre e cila do të hapë shtigje të reja në fushën e hulumtimeve historike dhe në shtjellimin e tyre? Si të mos kënaqemi dhe të mos brohorisim e të duartrokisim për themelimin e kësaj katedre në njërin prej universiteve më të njohura dhe më të vjetra amerikane – katedrës, e cila, jam i sigurt, se do sjellë dritë mbi çështjet më të rëndësishme të historisë shqiptare të përdhosur nga historiografia komuniste dhe, për më tepër, do të luajë një rol të rëndësishëm në paraqitjen e shqiptarëve si një komb i denjë dhe i pajisur me vlera perëndimore për të zenë vendin e tij aty ku i takon, krahas kombeve të qytetëruara?   Vetë themelimi i kësaj katedre tregon fisnikërinë, jo vetëm të filantropit Hidai Bregut, por edhe të vetëvetes sonë, si një komunitet tashmë i pjekur e serioz në këtë vend me kulturë e histori të veçantë dhe krenare.  Gjëja për t’u dëshiruar është vetëm që themelimi i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin DePaul të Çikagos të jetë një shembull për t’u ndjekur edhe nga filantropë të tjerë shqiptaro-amerikanë si Hidai Bregu dhe që kjo nismë të jetë një frymëzim dhe fillim i një veprimtarie më aktive në thememlimin e programeve të tilla në universitetet anembanë Shteteve të Bashkuara nga individë të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilëve Perëndia dhe Amerika ua ka dhënë mundësitë për të bërë një gjë të tillë.

Dekani i Universitetit DePaul, Dr. Guillermo Vasquez de Velasco, PhD, në faqen e internetit të universitetit, deklaron: “Ne u sigurojmë të gjithë studentëve tanë arsim që balancon studimin e thelluar me një përvojë të madhe në disiplina të ndryshme që formojnë thelbin e njohurive njerëzore.  Të gjitha programet tona për dhënien e diplomave kërkojnë të rrisin njohuritë e studentëve dhe aftësitë e të menduarit kritik, ashtu që ata të ngrenë pyetje me vlerë e me kuptim dhe t’i zhvillojnë ato si pjesë të pandara të zemrës dhe të mendjes, të qenësishme në të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe zhvillimit të mendimit të pavarur”.

Pjesë e këtyre “njohurive thelbësore” që ofron Universiteti DePaul, duke filluar nga viti 2020, do të jetë edhe albanologjia, gjuha, letërsia, kultura dhe historia e shqiptarëve.  Komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe të gjithë shqiptarët kudo qofshin ata, duhet të ndjehen krenarë për aktin fisnik të shqiptaro-amerikanit  Hidai Bregut, kurse punë të mbarë në detyrën e tij të re e fsinike t’i urojnë drejtorit të parë të Katedrës së Albanologjisë në Universitetin DePaul, Dr. Gazmend Kapllanit.

Këta dy burra meritojnë nderimet tona dhe mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve mendjendritur.

 

One Response to “Ngjarje historike, në SHBA themelohet e para katedër e albanologjisë”

Read below or add a comment...

  1. Perparim Kabo says:

    Ky vendim dhe kjo kateder e studimeve albanologjike ne USA eshte nje ngjarje me rendesi historike. Shpesh studimet albanologjike ose kane qene te pjeseshme ose te manipuluara. Prej vitesh germimet arkivale jane ndalur, psh ne Bibloteken e Vatikanit, dhe disa qytete si Roma, Milano, Napoli apo Venecia ku lidhjet e heroit tone kombetar Skenderbeut kane qene tejet te ethshme, dhe ne kemi lejuar qe arkivat te flene. Studimet duhet te thellohen ne lidhje me historine dhe vlerat primordiale te gjuhesh shqipe, duke tejkaluar kufizimet dhe duke u futur me guxim ne studimet e Petro Zhejit, ku evidentohet roli primordial i shqipes edhe ne raport me Sanskritishten karakteri paradoksal i saj dhe roli mesianik. Eshte me ineteres qe te thyhen shume tabu dhe te menjanohen shume manipulime qe i jane bere shqipes, si dhe ceshtjes se vazhdimesise pellazgoilire-arberore-shqiptare. Germimet arkielogjike ne Shqiperi po thuaj jane ndalur, studimet ne etnologji dhe etnomuzikologji, ne kostmuografi dhe ne epiken historike. Kohet e fundit Lahuta e Malcise u botua e plot ne gjuhen frenge nje botim jashtezakonisht serioz, ai liber por edhe versioni anglisht duhet te jene pjese e asaj kurrikule. Duhet te zene vend stuimet e antropologjise historike dhe asaj kultrore. Kontributet e prof Isuf Luzaj, Konices Nolit. Koste Cekrezi ka nje studim te thelle per origjinen pellazge te shqiptareve e keni ne bibloteken e Harvardit….Une ju falenderoj per inisiativen por duhet bere kujdes qe mos deminoje thjesht aspekti ceremonial apo festiv folklorik. Duhen studime themelore sepse sulmi ndaj albanologjise eshte i orkestruar nga jashte Shqiprerise me stradegji shekullore dhe me fonde dhe mekanizma okult cka reflektuar edhe brenda vendit ne nje zbehje te ndjeshme te ketyre studimeve.www.scribd.com/document/9771514/Albania-past-and-present-Constantine-Chekrezi-Kostandin-Cekrezi-1919?fbclid=IwAR0SXCfHrGeWYfduL5jVU1-rXds1TXKG2c_DnWd0o

Comment

*