Ngjarje që rrënqethin

Astrit Lulushi

Romani “Vajza e Gjeneralit” nga Aleko Likaj, ka dy anë; dashuri e dhimbje – shëmti e neveri. Ngjarjet vendosen në Shqipëri e Francë në të kaluarën (vitet ’70 – ‘90 të shekullit XX). Në atë kohë ishte bërë traditë që të rinj shqiptarë të përzgjedhur nga rradhët e elitës komuniste dërgoheshin për të studiuar jashtë shtetit, që një ditë të bëheshin mbrojtës, itharë, trashëgimtarë e pasues të regjimit. Shumica e tyre vërtetë u bënë, mund të thotë dikush që jeton në Shqipëri sot.

Shqipëria ishte vend tmerrësisht i mbyllur nën sundimin e diktaturës, e cila mbi të gjitha, i fuste njerëzve frikën për jetën, dhe krijonte ankthin pambarim. Sistemi ishte ngritur për të kufizuar dhe vrarë lirinë e njerëzve, thotë Bardhi, personazh kryesor në libër. Fatkeqësisht ai e kuptoi këtë shumë vonë, pasi e kishin kthyer nga Franca, dhe tani ndodhej në pritje të turturave në një nga birucat e errëta të hetuesisë. “Faji” i tij kishte qenë dashuria me një franceze kur të dy studionin në univeritetin e Bordosë. Vajza ishte bijë gjenerali, dhe Bardhi akuzohej se ishte rekrutuar për të spiunuar vendin e tij. Kjo ishte puna e “sigurimit”, për të intriguar e krijuar dosje me shpifje sa më monstruoze, sot qesharake. Shkrimtari e përshkruan këtë gjendje me art por edhe vërtetësi. Lexuesi i ngul sytë mbi faqet e librit. Nuk ka mundësi tê ketë ngjarë, thotë, dhe mpihet i tëri kur zbulon të vërtetën.

Njerëzit kishin gabuar për njerëzit me rëndësi, të cilët dolën nga një luftë vëlla-vrasëse dhe pastaj u idolizuan aq shumë, saqë e morën veten po aq seriozisht; u vendosën në vila të vjedhura e të grabitura, zhdukën pronarët, krijuan “Bllokun”, dhe filluan të ngjisnin shallët, si të tjerë dikur në kullën e Babelit, për të kapur e zëvendësuar Perëndinë. Ata ishin ata, të tjerët ishin krijuar për t’u bërë skllevër të tyre. Të gjitha idetë që shprehnin i quanin të rëndësishme; për zbatimin e tyre prisnin, internonin, edhe pse dëshmonin se vetë ishin injorantë sa herë që hapnin gojën pêr fjalime, raporte e kongrese turmash

Lufta e klasave, vendosja e ligjeve në favor të një pjese dhe paragjykimi e shtypja e pjesës më të madhe ishte politika më e gabuar ndër të gabuarat. Këto masa që krijonin inate, xhelozi dhe armiqësi brenda një shteti (lufta e klasave), sollën edhe pasoja, si intriga e rreziqe, përndjekje, burgosje e vrasje, përmbysje.

Comment

*