NGRITJA E FLAMURIT NË DURRËS, SALI BERISHA DHE STËRGJYSHI I EDI RAMËS -Pjesa e katërt

Ylli Polovina
(Fotografi nga Qerim Vrioni, tetor 2017)

Shkrimi i trembëdhjetë i ciklit për 550 vjetorin e pritshëm të vdekjes së Skënderbeut

 

Në 6 nëntor 2012 «Gazeta Shqiptare» botoi një intervistë me Eqerem Zenelaj. Siç ju vumë në dijeni shkrimin e mëparshëm, ajo e titulloi atë me fjalët e bujshme: «Zbulohet Deklarata e panjohur e Pavarësisë, shpallur në Durrës më 1912». Pjesa hyrëse fillonte me thirrmën tepër entuziaste «Një zbulim epokal!»
Gazetarja intervistuese përpiqej menjëherë, që në hyrje, ta shpjegonte përse asaj i qe krijuar kjo përshtypje, pra se si kishte ngjarë një gjë e paparë deri ato çaste, madje për plot njëqind vite rresht e pa diktuar nga breza tè tèrè historianèsh tè huaj dhe vendas. Përpiqej të sqaronte lexuesin pse qe një kryezbulim ajo çfarë studiuesi Eqerem Zenelaj pati gjetur në Arkivin e Vjenës dhe për cilën arsye këtë po ja rrëfente në mënyrë ekskluzive vetëm asaj të përditshmeje?
Ja argumentet e intervistueses për të jashtëzakonshmen e ndodhur: Dokumenti është në gjuhën osmane; ka pak rreshta; në fund janë edhe firmat e delegatëve; së bashku me të, në arkivat vjeneze Zenelaj ka siguruar edhe një kopje gazete të kohës, që lajmëron se Pavarësia e Shqipërisë u shpall në Durrës nga vetë Ismail Qemali; ka gjetur edhe një telegram që konsulli austriak dërgon nga Vlora në Vjenë, në të cilin thotë se “Sot ishte te unë Ismail Kemal Bej Vlora, i cili më njoftoi për Deklaratën e Pavarësisë në Durrës dhe se ai me mbi 20 delegatë ka udhëtuar më datë 26 nëntor, natën nëpër Fier për në Vlorë”.
Vijon gazetarja paraqitjen e kryezbulimit historik të Zenelajt dhe pohon se formulimin «zbulim epokal» e ka bërë vetë studiuesi dhe jo ajo. Me këtë rast gazetarja nuk anashkalon shumë të rëndësishmen: «Ditë më parë, ai u paraqit në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha për t’i dhuruar një kopje të Deklaratës».
Ishte ky takim, shpjegon më pas intervistuesja, i cili ia pati nxitur kërshërinë për të mësuar më shumë mbi këtë dokument të panjohur, i cili, pèr nga rèndèsia, kishte vënë në lëvizje vetë kryetarin e qeverisë.
Pyetja e parë që mbi këtë zhvillim ka të drejtë të bëhet prej secilit nga ne, është kjo: prova e shkruar e plotësonte sado pak sfondin e ngjarjes së njohur të mëvetësimit të pavarësisë në Vlorë apo ishte një përmbysje e tërë historisë kombëtare për këtë çështje? Në rast se qe varianti i parë, nuk kishte asnjë arsye që kryeministri, edhe nëse e priste studiuesin për shkak të ekspozitës që ky do të bënte, nuk do t’i jepte reliev dokumentit për gjoja shpalljen e pavarësisë kombëtare në Durrës, por do t’u thoshte këshilltarëve të tij që për këtë punë Zenelaj të paraqitej në Institutin e Historisë, tek specialistët.
Siç dihet prej atyre që këtë ndodhi mediatike e kanë përjetuar, kërkuesi bashkëkombës në Arkivin e Vjenës jo vetëm nuk u këshillua me historianë, por edhe i anashkaloi ata. Do të shohim prej përgjigjeve të tij për «Gazeta Shqiptare» se edhe i shpërfilli, nës mos edhe i ironizoi.
Prej kësaj vjen natyrshëm pyetja e dytë: Ku u mbështet shkencërisht kryeministri për mènyrèn si iu interpretua dokumenti që iu paraqit, sepse vetë kurrsesi nuk qe kopetent ?
Rezulton nga fillimi i kësaj ngjarjeje tepër të habitshme e deri në fund, që referent Sali Berisha ka pasur vetëm Eqerem Zenelajn. Mirëpo kryeministri është plot përvojë për të kuptuar se edhe për një ngjarje kombëtare të zakonshme e drejta e parë e gjykimit u takon historianëve profesionistë dhe jo më për më themeloren ndodhi të jetës së shtetit tonë, shpalljen e pavarësisë, që duhet të japin vlerësim institucione të tëra të mirë informuara.
Gabime të tilla janë tepër amatore dhe po ashtu shumë të rrezikshme që të të kthehen në bumerang. Me pak fjalë, përse iu vu në krah dhe e mbështeti me të tërë autoritetin e tij dhe fuqinë mediatike të qeverisë studiuesin në çështjen e dokumentit të gjetur?
E kemi ravijëzuar edhe më parë, por edhe po e përsëritim: «gabimin» e pranimit pa verifikim të gjykimit personal të Eqerem Zenelaj Kryeministri Berisha e kreu për arsye apo nevoja politike.
Rikthehemi tek intervista. «Profesor, nis pyetja e gazetares të «GSH» për të sqaruar bisedën e 6 nëntorit 2012 (të dytën, sepse të parën me Sali Berishèn e kishin realizuar në dhjetorin e një moti më parë): «Ju takuat kryeministrin Berisha dhe i dhuruat atij një deklaratë pavarësie. A mund të na shpjegoni se çfarë është kjo deklaratë dhe si ratë në gjurmët e saj?”
Vetëm tre javë para festimeve të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, Eqerem Zenelaj flet publikisht dhe ngul këmbë në «zbulimin e tij epokal» me këto fjalë: «Është “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”, shpallur në Durrës më 1912-ën». Më pas vijon të shpjegojë rrethanat e çudisë: «Rastësisht, në muajin gusht 2012, ndërsa isha duke hulumtuar në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare Austriake në Arkivin “Albertina”, aty ku janë gazetat që ruhen në mikrofilma të arkivuara, papritmas pashë një gazetë me emrin “Wiener Bilder” domethënë “Portrete (Foto) Vjeneze”. Në të pashë disa shkrime të datës 8 dhjetor 1912, ditë e diel, për konfliktet në Ballkan dhe në po atë faqe tri foto: dy ushtarakë austriakë dhe në mes tyre fotoja e Ismail Bej Vlorës. Nën foto lexova diçka të pazakontë që më intrigoi dhe që shkruante: “Der albanische Führer Ismail Kemal Bey, der an der Spitze einer Versammlung von Notabeln in Durazzo die Unabhängigkeitsdeklaration proklamiert hat”. E përkthyer në shqip do të thotë: “Udhëheqësi shqiptar Ismail Kemal Bej, i cili në krye të një asambleje nga paria në Durrës e shpalli Pavarësinë e Shqipërisë”.
Këtë çast tè shkrimit jemi të detyruar të saktësojmë se “Wiener Bilder” e 8 dhjetorit 1912 në të 32 faqet e saj nuk ka asnjë foto të Ismail Qemal Vlorës, por kjo që deklaron Zenelaj ekziston vërtet, veç në edicionin e një jave më herët: 1 dhjetor. Këtë pamje po ja paraqitim lexuesit të «Illyria».


Në rast se do të qe gabim pasaktësie prej gazetares (gjatë zbardhjes së bisedës së incizuar) nuk kish si të ndodhte që dita e botimit të binte e diel, siç edhe e përjavshme qe «Wiener Bilder». Vendosja e datës tetë përbën pasaktësi të Eqerem Zenelajt, e paqëllimtë sigurisht, thjesht moskujtesë e çastit. Veç data e vèrtetè, 1 dhjetori, ka rëndësi për lexuesin dhe për historinë e Shqipërisë, sepse përhapja e lajmit se shpallja e pavarësimit të Shqipërisë ka ndodhur në Durrës është kronologjikisht më afër ngjarjes reale.
Në shkrimin e nëntë të këtij cikli (për 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut) kemi pasur rastin të botonim pamje të shtojcës kulturore të «Wiener Bilder», «Das intressante Blatt», ku në botimin e përjavshëm të 28 nëntorit 1912, ishte vendosur po ajo foto që shfaqet tek gazeta mëmë tri ditë më pas. Po ashtu është po i njëjti tekst: “Konflikti midis Austrohungarisë dhe Serbisë. Udhëheqësi shqiptar Ismail Qemal Beu, i cili në krye të një asambleje të fisnikëve në Durrës shpalli pavarësinë e Shqipërisë”.
Në shkrimin e nëntë ne i paraqitëm lexuesit edhe pamjen e faqes së parë të gazetës «La Stampa» të 28 nëntorit, ku ky lajm, deklarimi publik i pavarësisë kombëtare në Durrës, shoqëruar me titullin “Shpallja e autonomisë shqiptare” bënte të ditur tekstin “Pavarësia e Shqipërisë u shpall në Durrës dhe në Vlorë. Në Durrës në godinën qeveritare u ngrit flamuri shqiptar dhe u ulën gjithë flamujt turq që deri ato çaste ndodheshin në port. Pas kësaj nëpunësit turq nxituan të njohin regjimin e ri. Popullsia ka kërkuar mbrojtjen e Italisë, Austro-Hungarisë dhe të Francës”.
Atëherë ku jo vetëm tek shkresa osmanisht, por edhe tek “Wiener Bilder” ndodhet zbulimi për herë të parë i këtij fakti? Siç shprehet Eqerem Zenelaj në intervistën e tij tek «Gazeta Shqiptare», pyetjes «Por Pavarësia është shpallur në Vlorë. Çfarë menduat?» ai iu përgjigj me fjalët «T’ju them të vërtetën u befasova, se nuk e prisja që një dokument të tillë do e zbuloja pas 100 vitesh, edhe atë pothuaj pa e ditur e pa pasur ndonjë ide. E gjeta krejt rastësisht, ndërsa bëja kërkime mbi veprimtarinë diplomatike të Ismail Bej Vlorës për hir të 100-vjetorit».
Vazhdon gazetarja të ngulë këmbë: «Ku kërkuat për të gjetur dokumentin?» Merr përgjigjen: «Më pas shkova në arkivin e Vjenës dhe mora tre austriakë, të cilët i pagova për të hulumtuar mbi 416 kartonë, ku secili përmbante mbi 500 dokumente etj. Mua më ra kartoni me numër 417, dhe nga mesi i dokumenteve gjeta njërin ku shkruhej: “Unabhängigkeitsdeklaration Albaniens” që e përkthyer në shqip do të thotë: “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”. Veç këtij shkrimi gjermanisht, ishte një letër e shkruar në osmanishte dhe kishte pak rreshta…”
Disa radhë më poshtë studiuesi Zenelaj shpjegon se «Unë kisha lexuar se Ismail Bej Vlora ka udhëtuar nga Durrësi për në Vlorë më datë 23 nëntor 1912, por në deklaratë del se ai është i nënshkruar 2 herë e pranë tij edhe djali i tij, Musa Qazimi. Gjeta edhe telegramin tjetër nga Vlora që i dërgohet Vjenës, ku Konsulli i Austro-Hungarisë në Vlorë, po ashtu thotë se “sot ishte te unë Ismail Kemal Bej Vlora, i cili më njoftoi për Deklaratën e Pavarësisë në Durrës dhe se ai me mbi 20 delegatë ka udhëtuar më datë 26 nëntor, natën, nëpër Fier për në Vlorë”. Pra, kjo është Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë e shpallur në Durrës. Po atë natë, sipas Konsullit të Austrisë, pas orës 12.00, dy pari shqiptare ia kanë dhënë menjëherë Konsullit për ta përcjellë për në Vjenë”.
Sigurisht që Musa Qazimi nuk qe i biri i Ismail Qemal Vlorës, por të habit ngulëkëmbja e Zenelajt në tezën e tij që në 26 nëntor, kur realisht pas dy ditësh e gjysmë udhëtimi të vështirë nëpër Myzeqenë e përbaltur nga shirat ngritësi i flamurit kombëtar sapo pati arritur në Vlorë, ai kishte gjetur në Arkivin e Vjenës edhe telegramin e mësipërm.
Këtë ditë, 26 nèntor, sipas këshillimit me librin “Shqipëria, dokumentet austro-hungareze 1912”, vëllimi VI, prej konsullit von Lejhanec në Vlorë nuk ka asnjë telegram. Një i tillë është nisur të nesërmen, më 27 nëntor dhe thotë: “Dje mbrëma erdhi këtu nga Fieri, Ismail Qemal beu së bashku më më shumë se 20 delegatë. Ai më njoftoi se shumë qytete si Durrësi, Tirana, Elbasani dhe të tjerë kanë proklamuar pavarësinë, sipas këshillës së tij….”
Pra Lejhanec nuk i ka shkruar qendrës asgjë nga ato që i vë studiuesi Zenelaj. Ai tekst është tërësisht e sajuar.
Përse?
Sigurisht Eqerem Zenelaj kërkon të fitojë famën e një zbuluesi të pazakonshëm, nuk ka rëndësi për të edhe pse kështu e përmbys kokèposhtè historinë dhe shpërfill të gjithë autorët e mëparshëm. Fillimisht në intervistën e tij ai i turret me nënvlerësim Lef Nosit: «Deklarata është firmosur në Durrës dhe aty janë të nënshkruar 21 delegatë. I keni më sipër të gjithë emrat, disa janë të palexueshëm. Nëse i krahasojmë emrat e Lef Nosit në librin e tij që e kam në Vjenë, nuk përputhen me emrat nënshkrues të Deklaratës së gjetur. Lef Nosi nuk ka qenë në Durrës, me gjasë e ka shkruar sipas të dëgjuarit dhe mbi 20 vjet pas kësaj date e viti».

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë më 25 dhjetor 2017

Faqja e Dyte e “Das Interessante Blatt” Edicioni ne 28 Nentor 1912

Fotografi e Ismail Qemalit me tekst shoqerues në “Das Interessante Blatt”, 28 Nentor 1912

Comment

*