Nikoliq heq dorë nga gara për një mandat të dytë presidencial

Beograd, 20 shkurt 2017 – Presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka thënë se ai nuk do të kandidohet për një mandat të dytë presidencial.

Nikoliq e ka marrë këtë vendim pas takimit që ka zhvilluar të hënën me Kryeministrin Aleksandar Vuçiq, i cili do të jetë kandidat i Partisë Përparimtare të Serbisë për president të ardhshëm të vendit.

“Nuk do të jem kanidat oër president”, ka deklaruar Nikoliqi për gazetën beogradase “Veçernje Novosti”.

Ai ka thënë se ai do të drejtojë vendin deri në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen këtë verë, kurse për të ardhmen e tij do të bisedohet pas përfundimit të zgjedhjeve.

Me gjasë, Nikoliqi ka hequr dorë nga gara për një mandat të ri pasi e ka kuptuar se është Vuçiqi ai që e ka marrë mbështetjen e fuqishme të Partisë Përparimtare të Serbisë dhe të partnerëve të saj të koalicionit.

Sipas gazetës, për të ardhmen politike të Nikoliqit në parti ose në Qeverinë e arshme të Serbisë nuk është arritur kurrfarë marrëveshjeje, por të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë.

“Presidenti dhe Kryeministri pajtohen plotësisht se Serbia gjendet para sfidave dhe sprovave serioze, të cilat kërkojnë përgjigje gjithëpërfshirëse të udhëheqjes shtetërore. Uniteti i të gjithë funksionarëve shtetërore për zgjidhjen e problemeve rajonale dhe për shmangien e një krize të përmasave më të gjera, janë detyra prioritare të Presidentit Nikoliq dhe Kryeministrit Vuçiq”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Serbisë.

(Ramadan Muçolli, sipas gazetës “Veçernje Novosti”)

Comment

*