Nikolla P. Qafoku, shkencëtari shqiptaro-amerikan që na nderon

Frank Shkreli

E kam thënë shpesh se komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos këto 30-vjetët e fundit, është rritur dhe është pasuruar me njerëz të dijes në fusha të ndryshme, përfshirë bizneset e lloj-llojshme, teknologjinë informative, fushat akademike, mjekësinë dhe shkencën, vetëm për të përmendur disa fusha e profesione me rëndës, ku pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan po e dallojnë veten, qoftë në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Një prej tyre është Dr. Nikolla “Niko” Qafoku, njëri prej pjesëtarëve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan me arritje kulmore në fushën e shkencës, i njohur për veprimtarinë e tij shkencore në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë. Niko Qafoku, që prej vitit 2000 punon në firmën Pacific Northwest National Laboratory (PNNL), në Richland të shtetit Washington, në veri-perëndim të Amerikës.

Në një njoftim të Institutit Alb-Shkenca, një themeluesit e të cilit është edhe Niko Qafoku, bazuar në burime pranë firmës (PNNL), thuhet se ditët e fundit atij i janë akorduar dy tituj të lartë shkencorë në Amerikë dhe më gjerë.  Njëri prej tyre është titulli prestigjoz “Laboratory Fellow” i kësaj firme të madhe e të njohur amerikane, e cila jep për shkencëtarët më të dalluar në fushën e veprimtarisë së tyre.  Shkencëtari shqiptaro–amerikan Niko Qafoku, sipas Institutit Alb-Shkenca, një organizatë kjo me 250-300 anëtarë, studiues shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të ndryshme të botës, e ka marrë këto ditë gradën më prestigjoze – studiues i PNNL (Pacific Northwest National Laboratory), një institucion ky i krijuar dhe I financuar nga Departamenti për Energjinë në SHBA”, thuhet më tej në njoftim.

Njoftimi thekson gjithashtu se kompania “PNNL ua jep titullin “Laboratory Fellow” ose “Battelle Fellow”, atyre shkencëtarëve kërkues që kanë arritur majat e fushës së tyre e që kanë fituar njohje ndërkombëtare nga kolegët,  por edhe atyre që, njëkohësisht, demonstrojnë vazhdimisht krijimtari dhe prodhimtari të lartë në punën e tyre, në nivelet më të përsosura shkencore e profesionale.  “Jemi krenarë që një nga kolegët tanë më të hershëm dhe i palodhur në Alb-Shkenca ka korrur suksese në fushën e tij kërkimore-shkencore.  Është me të vërtetë frymëzuese” arritja e Niko Qafokut, bashkatdhetarit tonë me shumë vlerë – thuhet në njoftimin e botuar në portalin e Institutit Alb-Shkenca, me rastin e avancimit të Dr. Qafokut në pozicionin e “Laboratory Fellow”, në firmën Pacific Northwest National Laboratory (PNNL).  Dr. Qafoku punon në këtë firmë prej më shumë se 20 vjetësh, ku këto ditë iu akordua grada më prestigjoze e studiuesit të PNNL. PNNL është një institucion që financohet nga Departamenti për Energjinë në SHBA, një ent me rëndësi gjeo-strategjike për sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Disa ditë pas njoftimit të lartëpërmendur, Dr. Qafoku mori një tjetër lajm të mirë për karierën e tij, kur u njoftua se Shoqata Amerikane e Shkencës së Tokës (Soil Science Society of America) e zgjodhi atë si “Fellow” të kësaj shoqate, që është titulli më i lartë që e akordon kjo shoqatë amerikane me reputacion ndërkombëtar për shkencëtarët më të merituar.  Në letrën përshëndetëse, me të cilën njoftohet Dr. Qofaku për nderimin e tij me këtë titull prestigjoz, i dyti brenda disa ditësh,  Shoqata Amerikane e Shkencës së Tokës thotë se për titullin më të lartë që i është akorduar Dr. Qafokut kanë votuar antarët e Shoqatës, bazuar në arritjet profesionale dhe në shërbimin e merituar të tij, si shpërblim për kontributet dhe sukseset e arritura të Nikos.  Dr Qafokut do t’i dotëzohet zyrtarisht titulli “Fellow” në mbledhjen vjetore të shoqatës, ndërkohë që emri, fotografia dhe një biografi e Dr. Qafokut do të vendoset në sallën “Awards Hall of Fame” të shoqatës, gjithashtu një nderim i veçantë dhe i dokumentuar përgjithmonë në atë sallë, dhënë fituesve të këtij titulli prestigjoz.

Tituj të tillë në Amerikë nuk jepen lehtë dhe as nuk sigurohen me miqësi, por bazuar në merita dhe në punë të madhe dhe serioze.  Mbi të gjitha, shpërblimet e tilla varen nga sukseset përfundimtare dhe nga rezultatet e punës, të mirëprovuara, të dokumenuara dhe të miratuara nga ekspertët e fushës.  E kam thënë edhe herë të tjera se në Amerikë askush nuk të jep gjë falas, as nëpërmjet miqve. Personat që punojnë shumë dhe janë seriozë në profesionet e tyre nderohen me tituj e shpërblime të tjera vetëm në bazë të meritave nga dhe firmat për të cilat punojnë shumë shqiptaro-amerikanë të suksesshëm, siç është shkencëtari Dr. Niko Qafoku.

Curricullum Vitae (CV) e Dr. Qafokut është vetëm një prej treguesve se me sa seriozitet, me punë të madhe dhe me përkushtim total e ka marrë ai detyrën gjatë viteve. Megjithëse unë nuk marr vesh shumë nga shkenca, biografia e tij është një dokument i gjallë i performancës dhe provë e veprimtarisë së tij të shkëlqyer në fushën e tij.  Punën dhe profesionin prej shkencëtari të dalluar në fushën e tij këtu, në Shtetet e Bashkuara, ku shpeshherë njeriu përballet me konkurencë të fortë të ekspertëve më të mirë e më të njohur në fushën e tyre, Dr Qafoku e ka zhvilluar, jo vetëm në ambientet dhe në hapësirat e disiplinuara të punës së tij në këtë vend, por edhe në konkurencë me ekspertët më të njohur të fushave të ndryshme shkencore nga mbarë bota.

https://energyenvironment.pnnl.gov/staff/staff_info.asp?staff_num=2047

Amerika dhe kompanitë e mëdha amerikane, përfshirë ato shumëkombëshe, janë tepër unike në këtë pikëpamje.  Pandaj, sukseset në punë dhe arrijtjet në fushën shkencore-akademike të Dr. Niko Qafokut, i cili për 20-vjet punon në hapësirë dhe ambient tepër konkurues, meritojnë të vihen në dukje si arritje të veçanta për një shqiptaro-amerikan që na nderon.  Jo vetëm për meritat e tij, të cilat duhet t’i theksojmë si komunitet, pasi janë të rralla, por të nënvijohen edhe si shembull suksesi për rininë tonë shqiptaro-amerikane, për të treguar se me punë të madhe dhe me përkushtim të vazhdueshëm mund të arrihen majat e suksesit, e, pse jo, edhe të realizohet “ëndrra amerikane” për të cilën flitet aq shumë.  Nënë Tereza ka thënë se “Zoti nuk kërkon nga ne që të kemi sukses, por kërkon që të përpiqemi” të arrijmë suksesin.  Duket se Niko Qafoku ka bërë më shumë se vetëm të përpiqet.

Dr. Qafoku është me fat që bën pjesë në një grup shkencëtarësh, inixhinjerësh dhe profesionistësh të tjerë nga mbarë bota që punojnë për firmën PNNL, në misionin për të zgjidhur disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet sot Amerika dhe bota, jo vetëm në fushën e energjisë.  Shkencëtari shqiptaro-amerikan dhe kolegët e tij, sipas firmës ku punojnë, e kryejnë misionin e tyre me devotshmëri, nëpërmjet kërkimeve shkencore në fushën bazë të shkencave për energji por edhe në mbështetje të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, me objektivin e vetëm për të krijuar një botë që jeton në paqe, një botë më të pastër, më të begatë dhe më të sigurtë për të gjithë.  Shikoni se çfarë ndodh kur mendjet më të zgjuara të botës punojnë së bashku për të zgjidhur sfidat dhe problemet e planetit tonë të përbashkët, thuhet në portalin e firmës Pacific Northwest National Laboratory, për të cilën punon shqiptaro-amerikani Dr. Niko Qafoku dhe e cila ia akordoi titullin e lartë “Fellow” për kontributin e tij shumë të çmuar gjatë viteve.

Dr. Qafokun e kam takuar pikërisht 5 vjet më pare, në Nju Jork, ku ishim të ftuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes të një shqiptaro-amerikani tjetër të shquar, Prof Sami Repishtit, i cili për shumë dekada ka lënë gjurmë të pashlyeshme me punën e tij prej edukatori dhe me veprimtarinë e tij të vazhdueshme këtu, në •Shtetet e Bashkuara, si edhe me kontributin e tij në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe të drejtave të njeriut, kryesisht për shqiptarët në trojet etniker, por edhe për njerëzit kudo, të drejtat e të cilëve janë shkelur nga diktaturat komuniste dhe nga despotë e diktatorë të të gjitha ngjyrimeve, anemban botës, përfshirë tokat shqiptare.  Me atë rast, Dr. Qafoku më tha se për Profesor Sami Repishtin kishte dëgjuar për herë të parë në programet e Zërit të Amerikës, aty nga fillimi i viteve të 80-a.  Kishte ardhur nga ana tjetër e Amerikës, një largësi mjaft e madhe, nga shteti i Washingtonit, për të falënderuar dhe për të nderuar profesor Sami Repishtin. Ishte i pranishëm, tha ai, për t’i shprehur Profesorit të nderuar shqiptaro-amerikan falënderimet e tij për gjithçka kishte bërë dhe po bën në mbrojtje të kauzave të drejta kombëtare dhe të të drejtave të njeriut.  Kishte ardhur që, në emrin e tij personal dhe të kolegëve të tij shkencëtarë shqiptaro-amerikanë, të angazhuar pranë Institutit Alb-Shkenca, ta nderonte Profesor Repishtin, këtë kolos dhe përfaqësues të shquar tëi këtij komuniteti, këtu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. dhe të mbijetuarit të burgjeve famëkeqe të regjimit komunist në Shqipëri, i cili ka lenë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve, ka thenë Dr. Qafoku për Prof Sami Repishtin.

Me gjithë angazhimet e tij të mëdha në firmën ku punon, ndonëse fizikisht larg Shqipërisë dhe Kosovës, Dr. Qafoku dhe kolegët e tij në Institutin Alb-Shkenca nuk e harrojnë vendlindjen e tyre.  Nëpërmjet Forumit të Alb-Shkencës ata janë pranë Atdheut dhe në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kolegët e tyre në trojet shqiptare.  Rreth 300 intelektualë të fushave të ndryshme të shkencës,  nga diaspora dhe nga trojet shqiptare, të cilët janë anëtarë të Alb-Shkencës, komunikojnë dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për interesa të përbashkëta dhe për të parë se si, me mundësitë e tyre, mund të ndihmojnë vendlindjen në këto kohë të vështira.  Në këtë përpjekje, Dr. Qafoku me kolegët e tij, gjatë viteve kanë organizuar takime me kolegët e tyre në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ku instituti Alb-Shkenca i ka degët e veta, me qëllim forcimin e bashkëpunimit me autoritetet vendore dhe akademike për të zhvilluar programe shkencore për të cilat kanë aq shumë nevojë, si Shqipëria ashtu edhe Kosova.  Nuk jam i sigurt se si ka shkuar ky bashkpunim gjatë viteve të fundit dhe çfarë rezultatesh mund të jenë arritur, por për një gjë jam i sigurtë: në qoftë se këto lidhje nuk kanë arritur sukseset e pritshme, jam i bindur se kjo nuk ka ndodhur për arsye të mungesës së vullnetit të mirë dhe të gatishmërisë së Forumit Alb-Shkenca dhe intelektualëve dhe shkencëtarëve të dalluar të kësaj organizate, si Dr. Niko Qafoku,  që me ekspertizën dhe përvojën e tyre shkencore, të ndkihmojnë Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.

Me arritjet e tij, Dr. Niko Qafoku e nderon veten dhe e nderon firmën për të cilën punon, e cila ia ka dhënë mundësitë për të arritur majat e suksesit në profesionin e tij.  Por, ai e nderon njëkohësisht komunitetin shqiptaro-amerikan dhe emrin shqiptar në përgjithësi, në qarqet shkencore e profesionale të këtij vendi të madh, dashamirës dhe mik i  shqiptarëveve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast, mikun dhe bashkatdhetarin tonë Dr. Qafoku e përshëndesim sinqerisht dhe e urojmë për titujt e mkirënjohjetme të cilat u nderua. Njëkohësisht, urojmë që në të ardhmen të korrë edhe suksese të tjera në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si edhe çmime e mirënjohje të shumta në qarqet më prestigjoze shkencore, amerikane dhe botërore.

Dr. Qafoku e nderon edhe emrin e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara. Edhe për këtë ia shpreh edhe përgëzimet dhe urimet e mia më të përzemërta, si edhe admirimin tim të thellë për titujt prestigjozë dhe për veprimtarinë e tij shkencore këtu, në Shtetet e Bashkuara. Atij dhe kolegëve të tij duhet t’u jemi mirënjohës edhe për ndihmën dhe kontributin e tyre për vendlindjen, nëpërmjet Institutit Alb-Shkenca apo në forma të tjera.

Si shkencëtar me përmasa botërore, Dr. Qafoku është krenaria e komunitetit shqiptaro-amerikan. Arritjet e tij në Shtetet e Bashkuara, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, janë frymëzuese për të gjithë ne dhe për t’u admiruar.

 

Dr. Niko Qafoku, Laboratory Fellow Chief Scientist and Team Lead, Environmental Geochemistry, Pacific Northwest National Laboratory

Image

Dr. Niko Qafoku (ulur, i treti nga e majta në rendin e parë), në 90-vjetorin e lindjes së Prof. Sami Repishtit, korrik 2015

Image

Dr. Qafoku duke mbajtur fjalën e rastit në seminarin kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Prof. Sami Repishtit, me rastin e 90-vjetorit të lindjes

Comment

*