Nis ndarja e pagës së luftës, plotësohen formularët për ngrirjen e qirave dhe kredive

Prej së hënës, Drejtoria e Tatimeve ka nisur shlyerjen e pagës së luftës. Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, në një intervistë për Rtv Ora, shprehet se pas verifikimit të dokumentacionit u alokuan menjëherë edhe fondet.

Delina Ibrahimaj: Kemi dorëzuar në Thesar listën me 9500 punonjësit e parë që kanë përfituar nga paga dhe duhet të jenë sot në llogaritë e tyre, paga 26 mijë lekë. Ndërkohë aplikimet për muajin do të mbyllen në fund të muajit.

Por formularët i kanë plotësuar edhe bizneset që përjashtohen nga skema.

Delina Ibrahimaj: Ka pasur subjekte që kanë aplikuar me qarkullim mbi 14 mln lekë që nuk e përfitojnë në bazë të VKM këtë pagë. Jemi të ndërgjergjshëm që të gjithë të punësuarit janë duke pritur pagën e  tyre. Ato aplikime që kanë pasur më shumë problematika do të verifikohen gjatë kësaj jave dhe besoj se në fund të javës do të përmbyllim procesin.

Aplikimet kanë nisur dhe për ngrirjen e qirave, por Ibrahimaj tha se interesi deri më tani ka qenë i ulët.

Delina Ibrahimaj: U bëj thirrje të gjithë individëve, studentëve apo tatimpaguesve që kanë një kontratë qiraje apo dokument që vërteton ekzistencën e një marrëdhënie kontraktuale të plotësiojnë formualtët pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të na kontaktojnë nëse kanë pyetje për procesin me qëllim identifikimin sa më mirë të tyre dhe mundësimin që përmes këtyre shifrave mund ti japim qeverisë për të krijuar një paketë shtesë për ta.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë të ditur se pranë institucionit që ajo drejton po trajtohen dhe rastet kur bankat kanë refuzuar të ngrijnë pagesën e kredive.

OraNews

Comment

*