Nis punimet Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Prishtinë, 14 gusht 2017 – Në Prishtinë nisi punimet Seminari I 36-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Në hapje të Seminarit ishin të pranishëm përfaqësues të Universitetit të Prishtinës dhe albanologë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjatë dy javëve do ta mësojnë gjuhën shqipe përmes kurseve intensive.

Drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi, tha se e veçanta e këtij viti është se ka pasur një interesim të madh për pjesëmarrje të brezave të mërgatës.

Ai shprehur keqardhje që Seminari nuk ka kapacitete për të përmbushur kërkesat e gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesë e programit.

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha se është obligim i Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që t’i përkrahin albanologët.

“Ky seminar do të ndikojë në internacionalizimin e albanologjisë”, tha ai.

Lindita Rugova, dekane e Fakultetit Filologjik, tha se e tërë Prishtina i gëzohet ardhjes së seminaristëve të huaj.

“Ky seminar është një rrugëtim i vështirë në kërkim të zhvillimit akademik, një tubim i lartë shoqëror që ka arritur të bëhet institucion. Dhjetëra studentë i kemi shkëmbyer falë këtij seminari”, tha ajo.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e pesë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. (r.m.)

Comment

*