Nis rinumërimi votave të 1.472 vendvotime në Kosovë

Prishtinë, 13 nëntor 2019 – Të mërkurën pasdite në Kosovë ka nisur rinumërimi i fletëvotimeve të 1.472 vendvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Rinumërimin e votave e ka urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), bazuar në ankesat e partive politike ndaj rezultatit përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Organizatat që monitorojnë procesin zgjedhor thonë se ky proces mund të zgjasë deri në tri javë.

Ndaj këtij vendimi nuk është ankuar askush në shkallën e dytë, përkatësisht në Gjykatën Supreme.

Në ditët në vazhdim, Gjykata Supreme pritet të vendosë për ankesën e tre kandidatëve për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët rrezikojnë të humbasin vendet e tyre, nëse kjo gjykatë e mbështet vendimin e KQZ-së për heqjen e mbi 3000 votave nga rezultati përfundimtar.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë fituar më së shumti vota.

(REL)

Comment

*