Nisma: Jakup Krasniqi i është përgjigjur drejtësisë çdo herë

Prishtinë, 4 nëntor 2020 – Partia Nisma Socialdemokrate ka reaguar lidhur me veprimet e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në shtëpinë e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Sekretari i kësaj partie, Bilall Sherifi, në një konferencë për media, tha se veprimet e së mërkurës në shtëpinë e Krasniqit kanë qenë të panevojshme, pasi që ky i fundit, çdo herë i është përgjigjur drejtësisë.

“Ne vlerësojmë se, skenat që i kemi parë sot, kanë qenë të panevojshme dhe traumatike për familjen. Krasniqi çdoherë u është përgjigjur ftesave që kanë ardhur nga organet e drejtësisë, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare”, tha Sherifi.

Gjatë ditës, pjesëtarë të EULEX-it, kanë kryer një bastisje në shtëpinë e Jakup Krasniqi.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë njoftuar të mërkurën se Zyra e Prokurorit të Specializuar aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë.

Jakup Krasniqi, i cili nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është intervistuar në korrik të vitit të kaluar, ka qenë zëdhënës, si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

(REL)

Comment

*