Nisma: Kuvendi të mos mbajë seanca derisa të lirohet Haradinaj

Prishtinë, 2 mars 2017 – Nisma për Kosovën kërkon që Kuvendi i Kosovës të ndërpresë mbajtjen e seancave plenare deri në lirimin e Ramush Haradinajt.

Nisma për Kosovën paralajmëron se, nëse nuk do të ndodhë kjo, deputetët e saj do t’i bojkotojë punimet e Kuvendit të Kosovës, me përjashtim rë seancës për demarkacionin, sepse këtë çështje e konsideron si njërën nga çështjet e interesit të lartë shtetëror.

Kjo kërkesë vjen pas shtyrjes së vendimit të Gjykatës së Apelit në Colmar të Francës lidhur me kërkesën e Serbisë për estradimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për datën 6 prill.

Nisma e cilëson shqetësues sidomos faktin se shtyrja e vendimit është bërë për t’i dhënë kohë Serbisë që të sjellë “prova” shtesë kundër Ramush Haradinajt. Ajo kërkon që shteti i Kosovës të përdorë gjitë potenciale për përballje me tendecën e Serbisë që ta godasë Kosovën.

“Zhvillimet e ditës së sotme në rastin e Ramush Haradinajt dëshmuan se shteti i Serbisë i ka angazhuar të gjitha mekanizmat shtetërorë në funksion të arritjes së qëllimit të tyre, që gjykata të besojë në shpifjet e tyre. Prandaj, para shtetit të Kosovës, si detyrë mbi të gjitha detyrat, shtrohet nevoja e angazhimit të të gjitha potencialeve shtetërore për t’i dalë përballë kësaj tendence të Serbisë.

Nisma për Kosovën kërkon që shteti i Kosovës rastin Haradinaj menjëherë ta shpallë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe konform kësaj të ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Në kuadër të angazhimeve shtetërore duhet të përfshihen të gjitha institucionet e shtetit, sepse Serbia, përmes luftës kundër Ramush Haradinajt, ka për synim të godasë Kosovën, prandaj Kosova nuk guxon më ta lërë Ramushin vetëm në këtë përballje me Serbinë. (r.m.)

Comment

*