Nitaj: Javën e ardhshme diskutohet për ndarjen e ministrive

Prishtinë, 11 gusht 2017 – Koalicioni PAN ende nuk ka vendosur për ndarjen e posteve ministrore ani pse kandidati për Kryeministër Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova brenda dhjetë ditësh do ta ketë Qeverinë e saj. Por, kjo ndarje pritet të bëhet shumë shpejt.

Këtë e thonë zyrtarë të AAK-së.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se gjithçka do të sqarohet javën e ardhshme.

“Ende nuk janë ndarë postet ministrore  në mes të koalicionit PAN, por të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ndarjen e dikastereve do të ndodhin para votimit të Qeverisë”, ka deklaruar për gazetën “Express”.

Ai ka shpjeguar se ende nuk janë ndarë postet në mes të partnerëve të koalicionit dhe se gjithçka është ende në fazën e diskutimeve.

“Ende jo, sigurisht se do të zgjidhen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me dikasteret e qeverisë dhe me ndarjen e resoreve, përpara ditës se votimit të qeverisë. Por ky proces ende është në fazën e diskutimeve”, ka thënë Nitaj.

Ai ka thënë se java e ardhshme do t’i sqarojë të gjitha.

“Them që java që vjen do t’i sqarojë të gjitha gjërat”, ka theksuar ai.

Kandidati i koalicionit PAN për Kryeministër, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova do ta ketë qeverinë e saj brenda dhjetë ditësh.

Dy ditë më parë, Haradinaj e ka takuar edhe liderin e AKR-së Behgjet Pacollin. Haradinaj ka thënë se shpreson që Pacolli dhe AKR-ja “nuk do të presin pa kufi për të ndihmuar në konstituimin e Kuvendit e në formimin e Qeverisë, por edhe t’i marrin përgjegjësitë”.

Sipas marrëveshjes për koalicionin parazgjedhor, pozita e kryeministrit i takon AAK-së, pozita e kryetarit të Kuvendit i takon PDK-së, ndërsa pozita e zëvendëskryeministrit i takon Nismës për Kosovën.

Hyrja e AKR-së në koalicionin qeverisës do të shkaktojë ndryshme në ndarjen e “tortës” së pushtetit.

Krijimi i institucioneve të reja po vonohet për shkak se PAN-i po e bojkoton seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, me arsyetim sevendimi për vazhdimin e seancës po merret pa përfillur partitë e koalicionit PAN.

Seanca e radhës është vendosur të mbahet të hënën, më 14 gusht. (r.m.)

Comment

*