Një 8-vjeçar i pastrehë fiton kampionatin e shahut për fëmijë në New York

Tanitoluwa Adewumi, një fëmijë refugjatësh nga Nigeria, që e thërrasin shkurt Tani ka mundur rivalët në kampionatin e moshatarëve të tij për Shtetin e New York-ut.
“Dua të bëhem Mjeshtri i Madh më i ri i shahut”, tha ai për “The New York Times” pas fitores në turneun ku morën pjesë kryesisht fëmijë nga mosha e kopshtit deri në klasën e tretë fillore.
Asnjë fëmijë i kësaj moshe nuk e ka fituar ndonjëherë këtë turne, e sidomos jo ndonjë i pastrehë.
Familja e “Tanit” është larguar nga Nigeria në 2017 për shkak të sulmeve ndaj të krishterëve që kanë ndodhur në këtë vend.
Ka qenë trajneri i shahut Shaën Martinez që e ka zbuluar se Tanitoluwa kishte talent, kur e pa duke luajtur në mënyrë të shkëlqyer përpara disa javëve.
Ai u interesua dhe e gjeti familjen e tij në strehimin e qytetit për njerëzit pa shtëpi dhe u kërkoi që ta regjistronin djalin për në kampionatin e shahut. Po regjistrimi ishte tepër i shtrenjtë për gjendjen e familjes. Për fat të mirë organizatorët e kampionatit vendosën ta pranonin falas djaloshin e ri duke i siguruar edhe udhëtimin për në vendin ku bëhej turneu.
Një nxënës i fali Tanit një orë shahu. Kurse e ëma filloi ta çonte në Harlem ku mund të praktikonte lojën e shahut. Babai që së fundi ka blerë një laptop e la që të luante në internet me fëmijë të tjerë.
Këto përpjekje dhanë rezultat. Tani është një nga lojtarët më të mirë të shahut për moshën e tij.
Martinez që po e ndjek përparimin e tij tha se nigeriani i vogël mund të fitojë titullin e Mjeshtrit në një ose dy vjet.
Që prej fitores shumë njerëz janë mobilizuar për ta ndihmuar atë dhe familjen e tij që të fillojnë një jetë normale. Së shpejti, në sajë të djalit të tyre 8-vjeçar familja do të bëhet me shtëpi të vetën. (Përgatiti Ruben Avxhiu)

Comment

*