Një darkë e bukur e gastronomisë shqiptare në Manhattan

Nga Ruben Avxhiu

Fotografitë nga Ilir Rizaj

Mjeshtri i ri i kuzhinës, Fejsal Demiraj dhe Fondacioni Rrno organizuan mbrëmë në Manhattan një nga veprimtaritë më interesante dhe më të veçanta të viteve të fundit.
E titulluar Darka Gastronomike Shqiptare, ajo mblodhi dhjetëra anëtarë të komunitetit po edhe miq të tyre amerikanë për një prezantim të bukur të kuzhinës shqiptare dhe planeve të Fondacionit Rrno po të gjurmuar traditat e bukura e të lashta të gatimit shqiptar nëpër trojet tona kombëtare.
Bujtës ishte një nga restorantet më të vjetra e më të famshme në Manhattan, “One If by Land, Two If by Sea”, që përkthehet “Një nëse nga toka, dy nëse deti”.
Shprehja vjen nga fillimet e historisë amerikane, në kohën e Revolucionit që çliroi 13 kolonitë amerikane nga perandoria britanike. Një nga revolucionarët e parë të njohur Paul Revere kishte caktuar si sinjal me një nga rojet e tij, se sa fenerë duhet të ndizte nëse shihte që po vinin britanikët, në mënyrë që revolucionarët amerikanë ta dinin nëse britanikët po u vinin nga toka apo nga deti.
Shprehja është bërë e pavdekshme nga një poemë e poetit të madh Longfellou, për koinçidencë, po ai që u ka prezantuar amerikanëve heroin shqiptar Gjergj Kastriotin, me poemën e tij të famshme Skënderbeu.
Për t’i plotësuar rastësitë e bukura, pronar i këtij restoranti me famë është një shqiptaro-amerikan Zef Deljevic, i cili ofroi mjediset e tij për këtë ngjarje të bukur.
Fejsal Demiraj i ka shprehur pikëpamjet dhe ëndrrat e tij në një intervistë për gazetën “Illyria” pak javë përpara veprimtarisë. (Mund ta lexoni këtu)
Me gatimin si pasion që nga mosha e hershme, ai ka studjuar për t’u bërë shef kuzhine e pastaj ka punuar nëpër ristorante anembanë botës, përpara se të vendosej si zv-shef kuzhine, në restorantin më të mirë të botës, Noma, në Danimarkë, të mjeshtrit të famshëm të gatimit, Rëne Rexhepi, që ka prejardhje shqiptare e që ka emër të madh në gjithë botën. Fejsal e ka atë si shembull në jetë dhe si mentor.
Shqetësimit të tij të sinqertë për njohjen e paktë të traditave shiptare të gatimit, në brezat e rinj të diasporës shqiptare, ai ka vendosur t’i përgjigjet me një nismë që do ta çojë nëpër trojet shqiptare për të zbuluar dhe dokumentuar traditat origjinale të gatimit shqiptar.
Ideja që i ka lindur së bashku me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë të Fondacionit Rrno, Nikolin Kola është duke u studjuar me kujdes. Rrugëtimi do të përfshijë një interes të veçantë për ingredientët që kanë përdorur shqiptarët në shekuj deri në ditët tona.
Darka e djeshme në Manhattan shërbeu pikërisht për të financuar fillimin e këtij projekti të bukur e të veçantë të fondacionit që është konceptuar si një rrjet bashkëpunimi të mjeshtrave shqiptarë të kuzhinës në vendlindje dhe jashtë saj.
Darka ishte gjithësei edhe një hap i parë për të edukuar shqiptaro-amerikanët me pasuritë e kuzhinës shqiptare si dhe për planet e nismës së Fejsalit dhe shokëve të tij.
Pjesëmarësit dëgjuan me kureshtje prezantimin me pamje e ndihmesa pamore të zv-shefit të Noma-s, si dhe dëgjuan një fjalë të bukur e shumë interesante nga Prof. Aleksander Shundi. Etno-gastronomisti 84-vjeçar kishte sjellë edhe disa nga librat e tij për të cilët pjesëmarrësit treguan kuriozitet dhe vëmendje.
Fejsali përmendi në veçanti gjysën e tij Nita si dhe gratë shqiptare, të cilat, tha ai, janë heroinat e vërteta të trashëgimisë kulinare shqiptare. Një fotografi e bukur bardhezi nga një veprimtari e fondacionit në Tiranë u shfaq me këtë rast në ekranin e madh për pjesëmarrësit.
Të gjithë folësit folën për etapat e historisë dhe ndarjet politike të trojeve shqiptare për të shpjeguar një pjesë të larmisë shqiptare në fushën e gatimit.
Fejsal foli për ingreditentë të caktuar që përdoren në kuzhinën shqiptare. Foli për itinerarin që do të kryejnë në trojet shqiptare po edhe në komunitetet e mërgimtarëve jashtë vendit, sidomos mes arbëreshve dhe arvanitasve, po edhe në Çamëri e Turqi, ku shqiptarët dhe pasardhësit e tyre ruajnë sekrete të trashëgimisë kulinare shqiptare.
Në ekranin e madh të vendosur për këtë ngjarje u shfaq më tej një intervistë me studjuesin e shquar Andrea Pieroni, një nga etnobotanistët dhe etnobiologjistët më të shquar në botë, i cili ka studjuar për 20 vjet hapësirën e Kelmendit në Shqipëri. Fejsal e përshkroi prof. Pieronin si një frymëzim personal për të.
Pas fjalëve të bukura të profesor Pieronit për Shqipërinë dhe traditat e saj, foli Prof. Shundi, që ka botuar 47 studime, 9 prej të cilave kushtuar etnogastronomisë, si dhe që ka ligjëruar në disa universitete jashtë vendit.
Profesor Shundi foli shkurt por ishte i pasur në informacion dhe kuriozitete nga historiadhe të veçantat e kulinarisë shqiptare.
Një lidhje e drejtpërdrejtë me Tiranën, solli në restorantin njujorkez dy figura të projektit dhe të Fondacionit Rrno, Nikolin Kola dhe Bledar Kola, të cilët folën nëpërmjet programit Skype.
Profesor Pieroni do të jetë pjesë e projektit të Fondacionit Rrno, po si shpjeguan organizatorët, në punën e tyre do të bashkëpunojnë me shumë botanistë, agronomë, etnologë, historianë, arkeologë, etj nga institucione të respektuara shqiptare si Universiteti Bujqësor i Tiranës, Akademia e Studimeve Shqiptare, Drejtorinë e Arkivit Qendror të Shtetit, Muzeu Historik Shqiptar, Agjensia e Kombëtare për Hapësirat e Mbrojtura, Biblioteka Kombëtare etj.
Një videoclip i përgatitur nga Fondacioni u shfaq gjithashtu në ekran, bashkë me lulen e zgjedhur si symbol të fondacionit Rrno.
Në tavolina, të pranishmit patën kënaqësinë që të provojnë një darkë të rrallë me shtatë korsi dhe tre lloj verërash shqiptare. Ishte një prezantim i madh për Kallmetin e Bardhë e të Zi, për prodhimin Arberi të vitit 2006, që dolën si një surprizë e bukur për pjesëmarrësit shumë prej të cilëve shprehën interes për kohën se kur kjo verë do të fillojë të tregëtohet edhe në New York e më tej në SHBA. Ndoshta kjo do të meritojë një shkrim më vete në të ardhmen.
Menuja e mbrëmjes është botuar këtu bashkë me fotografi të tjera nga mjeshtri i fotografisë Ilir Rizaj, për ta lexuar e studjuar me ëndje lexuesi. Nga pikëvështrimi, pao nga gjuhëshijimi i pjesëmarrësve pjatat krijuan debate e diskutime, disa ofronin njohuritë e përvojat e tyre për pjata të ngjashme, disa kishin përshtypje e pikëpamje kundërshtuese e disa ishin edhe të hutuar.
Kjo nuk ishte nga ato darkat që ulesh dhe gjellët janë është aty për të ushqyer bisedën. Këtu ushqimet ishin vetë biseda, temë qendrore e mbrëmjes.
Nuk është çudi që disa dolën nga restoranti me më shumë pyetje sesa përgjigje për kuzhinën shqiptare, po pikërisht aty është edhe synimi kryesor i Fejsal Demirit dhe Fondacionit Rrno që të zbulojë misteret e trashgimisë kulinare shqiptare.
Prej biznesmenit dhe aktivistit të njohur Skënder Perolli njoha babain e Fejsalit që ishte krenar për suksesin e të birit dhe interesin e tij për këtë nismë kombëtare. Bashkë me botuesin e gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami, aktivistin Richard Lukaj etj, Skënder Perolli ishte nga të parët që u mundua të promovonte darkën e djeshme. Fejsal gjeti mbështetje jo vetëm në komunitet, po edhe nga familja e tij si dhe miq e dashamirës nga zona në Westchester ku u lind dhe u rrit.
Një program i shpallur i mbrëmjes mund të kishte ndihmuar sepse disa pjesëmarrës kishin menduar se do të uleshin menjëherë dhe ishin të papërgatitur për prezantimin e Fondacionit. Po këto janë hollësira të rparueshme. Do të ishte ideale që këto lloj darkash të përsëriten. Ndonëse nuk është e lehtë financiarisht, fizikisht e kërkojnë kohë e energji për t’u organizuar ato i shërbejnë shumë komunitetit shqiptar.
Fejsal Demiri shprehu dëshirën për të organizuar diçka të ngjashme në Detroit, po mundësitë janë të mëdha, në disa qytete amerikane, e përsëri disa herë në New York.
Studime të kulinarisë shqiptare janë kryer prej vitesh në Shqipëri. Gazetën “Illyria” e kanë kontaktuar gjatë kësaj periudhe një numër ekspertësh dhe shefash kuzhine për të ofruar përvojat e pikëpamje e tyre për këtë fushë. Po kjo është padyshim hera e parë që një shqiptaro-amerikan fillon një nismë të tillë të bukur, me një darkë gastronomike shqiptare në New York, me synimin e edukimit të brezave të rinj shqiptaro-amerikanë, me një aleancë kaq të gjerë specialistësh e institucionesh, me këtë vëmendje të bukur te ingridientët dhe traditat shqiptare, me gërshetimin e përvojës në ristorante moderne, përfshi edhe atë Noma, në Danirmakër, e me punën e bukur të Fondacionit Rrno, që si u shpreh Nikolin Kola e ka marrë emrin nga tituli i librit të martirit të madh të lirisë dhe demokracisë shqiptare, At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”.
Ne shqiptarët kemi shumë për të treguar për rrugën tonë të gjatë në histori. Si jemi ushqyer e si kemi gatuar është padyshim një nga historitë më të bukura që mund të shkruajën e të tregojmë. Ajo e mbrëmshmja ishte një episode i parë, i bukur e intrigues. Punë të mbarë Fejsalit, Nikolinit dhe Fondacionit Rrno!


Comment

*