Një dhuratë e veçantë nga Kiço Çeku

Skicë

 

Fuat Memelli-Boston

Në Boston jemi një grup shokësh që mblidhemi herë pas here, pimë kafe (nganjëherë edhe ndonjë gotë raki)e bisedojmë për tema nga më të ndryshmet, por “çekani” më tepër rreh te Shqipëria.Grupi ynë përbëhet nga dardharët Sotir Pani e Kiço Çeku, korçari Jani Plasa, gjitokastriti Kostandin Mosko dhe unë nga Sinica.Për të bërë pak humor, grupin e kam quajtur:”Na bashkoi Bostoni”. Para disa ditësh kur u takuam te kafja jonë e preferuar, ishim: Sotiri Kiçua dhe unë. Shokët e tjerë mungonin me arsye. (Ne i “shkruajmë mungesat” si në shkollë dhe arsyet e tyre.) Këtë rradhë Kiçua ardhi me një pako të mbështiellë. Pasi shijuam kafenë e bëmë ca muhabet, Kiçua hapi pakon e na tha: “Sot iu kam sjellë një dhuratë të veçantë. Është kjo tufa e çajit, farat e të cilit i kam sjellë nga Shqipëria, që janë marë më parë në malin e Gramozit.U mora rreth 20 vjet me to për t’i përshtatur në klimën e ashpër të Bostonit.Te shtëpia ime kam disa rrënjë por unë u mplaka, jam 80 e ca vjet por nuk dua të humbasë këtu në Boston çaji shqiptar i malit.Mbilleni në një vazo te shtëpitë tuaja, ujiteni nga pak në fillim sa të zihet , pastaj kur të ritet e të lëshojë shumicën e luleve, mblidhini ato, thajini dhe pini për mall një çaj mali shqiptar.Më parë i kam dhënë filiza çaji Kostës e Janit, tani e kini rradhën juve”.
Kaq tha Kiçua e pastaj na dha sejcilit nga disa filiza çaji. I kish mbështjellë me letër të lagur me ujë që filizat të qëndronin të freskët. Më emocionoi kjo dhuratë e vogël në dukje , por mjaft domethënëse. Nxora aparatin dhe bëra foton që shikoni. Ajo flet më shumë se këto rradhë.Dy fotot e tjera me çaj, Kiçua i ka bërë më parë te shtëpia e tij. Zëri i profesionit të agronomit, e ka ndjekur pas shqiptaro- amerikanin Kico Çeku edhe në Amerikë, prandaj u mor për shumë vite këtu jo vetëm me çajin, por edhe me bimë të tjera etero-vajore të sjella nga Shqipëria e të mbjella te shtëpia e djemve në Florida.
Në 15 ditëshin e dytë të tetorit dhe fillimin e nëntorit, ai do të jetë në Shqipëri. Do takojë miqtë e tij të vjetër në Tiranë e gjetkë ku ka punuar. Do takojë inxhinierin e vjetër të pyjeve, Pirro Xhumetiku, të cilin e ka patur krah të djathtë kur mbolli për herë të parë në zonën e Malësisë së Madhe në rreethin e Shkodrës , sherebele dhe bimë të tjera etero-vajore në tokat gurishtore të asaj zone.(Theksoj se pas viteve ’90, shumë familje në atë zonë mbjellin këto bimë nga të cilat sigurojnë të ardhura të mira. Ato i janë mirënjohës Kiços, i cili futi ato për herë të parë në atë zonë.)Do takohet në Tiranë edhe me Kadri Ballën e do ta ndihmojë atë për të mbjellë çaj në disa toka të varfra larg Tiranës. Do takojë miq të tjerë në Tiranë, në rrethin e Krujës ku punoi për shumë vite dhe kultivoi në atë rreth( e të tjerë) borzilokun, nga mori edhe nofkën: Kiço Borziloku.Do shkojë edhe në Korçë e Dardhë , fshat ku ka edhe origjinën. Në Dardhë ka kultivuar për shumë vjet çajin e malit, duke i sjellë të ardhura ish kooperativës. Do takojë edhe fshatarë, me të cilët ka punuar vite me rradhë në regjimin e kaluar. Fshatarët janë miqtë e tij më të afërt, Për ata na flet shpesh me dashuri e mall këtu në Boston. Do takojë në Tiranë edhe Viktor Demirasin, zv. kryeredaktorin e gazetës “Devolli”, për të marë prej tij disa kopje të kësaj gazete për ne këtu në Boston. E presim të na vijë shpejt Kiço Çekun, ngarkuar me mbresa e mall Shqipërie.

One Response to “Një dhuratë e veçantë nga Kiço Çeku”

Read below or add a comment...

  1. Ramadan Garo says:

    Fuat, do te kisha deshire dhe do te ndjehesha shume i kenaqur ti bashkohesha grupit tuaj me Kiçon, Sotirin etj. ne ate kafen e mengjezit aty ne Boston. Me vjen mire qe Kiçua duket mire me shendet dhe une me Nelin, bashkeshortja ime, i urojme atij dhe familjes shendet e mbaresi. Sepse ne njihemi dhe familjarisht. Me Kiçon kemi punuar bashke ne Katedren e Pedologjise, ne rrethin e Krujes dhe me tej ne punen e tij shkencore me bimet eterovajore. Me Kiçon kam kujtime te mira dhe te pa haruara nga puna per studimet e tokave. Kiçua, si agronom, studjues dhe punonjes shkencor, ka lene gjurme ne Shqiperi per krijimin nga e para te kultures pojektuese eksperimentale e zbatuese per kultivimin dhe perhapjen ne vend te bimeve te ndryshme eteovajore ne tokat me pjellori te kufizuar. Sherebela, Lavandoja e Caji i Malit jane vetem disa nga llojet e shumta te ketyre bimeve me vlere dhe qe pershtaten mjafte mire ne kushtet e klimes e te tokes ne Shqiperi. Midis bimeve te tjera, aty tek obori i shtepise ne qender te Tiranes eksperimentonte kultivimin e seleksionomin e Cajit te Malit dhe dekustimin e tij. Kemi pire bashke disa lloje te ketij Caji, me origjine nga Gramozi dhe male te tjere te vendit. Kiçua ishte njeri praktik dhe me humor te embel, zemer bardhe gjithmone.

Comment

*