Një dorëshkrim me vlera i Gjon Shllakut

Tiranë, 27 prill 2017 – Jetëshkrimi i përkthyesit të njohur shqiptar Gjon Shllaku është bërë publik nga mbesa e tij, Josefina. Shkruar nga vetë shqipëruesi ajo merr një tjetër vlerë në ditët tona.

Shllaku ishte vetëm 22 vjeç, kur regjimi komunist e dënoi me 101 vjet burg, prej të cilave i vuajti 11, nëpër burgje e kampe internimi.

Shllaku u bë i njohur me përkthimin në shqip të “Iliadës” së Homerit, si dhe të veprave të Sofokliut, Euripidit, Virgjilit etj.

Vitet e fundit, Shtëpia Botuese Gjonlekaj në Shtetet e Bashkuara botoi librin “Duke kapërcyer pragun e shpresës”, një intervistë me Papa Gjon Palin e Dytë, e përkthyer në gjuhën shqipe nga Profesor Shllaku.

Dramaturgu i njohur, Fadil Kraja, e ka quajtur Shllakun helenistin më të madh shqiptar dhe njërin ndër më të medhenjtë në Europë.

”Gjon Shllaku ua solli shqiptarëve Hektorin dhe Akilin, Ajaksin dhe Eneun, Antigonën dhe Kasandrën. Ai pruri flakën e madhe të pishtarit të Prometeut, shpatën çlirimtare të Paladinit të Rolandit. Ai solli në gjuhën e bukur shqipe kolosët e letërsisë botërore, figurat me të shquara të gjenisë botërore. Plot 100 mijë faqe të përkthyera nga ajka e letërsisë botërore dhe sidomos nga ajo letërsi, paraprirëse e të gjithë letërsive të tjera – letërsise antike greko-romake”, shkruan Kraja.

Në prag të 80-vjetorit të lindjes, gjatë një intervite për “Zërin e Amerikës”, Profesor Gjon Shllaku shprehej se, në përgjithësi, i kishte përmbushur dëshirat e veta krijuese, pasi kishte sjellë në shqip ”Iliadën” e Homerit, së bashku me tragjeditë e Euripidit e të Sofokliut.

”Nuk e kam mendue se mund të jetoj kaq gjatë. Prandaj i kam dhânë gajret vetes me i krye këto punë përpara se me arritë në këtë kohë. Sepse në këtë kohë, që më duket se janë vitet e mia të tepërta, që s’i kisha llogaritë, kam hy me bâ fjalorin diakronik latinisht-shqip që âshtë 65 mijë fjalësh”.

Pas viteve 90-të Gjon Shllaku u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, me urdhërin “Naim Frashëri”, me ”Pendën e Artë”, me ”Diskun e Argjentë”, si dhe u shpall ”Qytetar Nderi ” i Shkodrës.

/Shqip/

One Response to “Një dorëshkrim me vlera i Gjon Shllakut”

Read below or add a comment...

  1. sami repishti, Ph.D. says:

    I ndjeri Gjon Shllaku- figure e njohun dhe respektueme nga te gjithe te persekutuemet ne Shkoder dhe ma gjane ne te gjithe Shqiperine, ka qene nji shok i mire dhe i vlefshem i imi gjate dhjete veteve te burgut te perbashket. Etja e tij per letersi ishte e pafund, dhe deshira me prodhue e mbante te gjalle gjate diteve te veshtira te burgut. Piushofte ne paqen e perjeteshme qe aq shume e meriton, si nji njeri me karaker dhe me zemer shenjtori.

Comment

*