Një drekë, në Manhattan, me Presidentin Meta, për të përtypur dilemat shqiptare të kohës

Një takim, javën e kaluar në Manhattan mes Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe një grupi shqiptarësh të komunitetit ishte gjithëpërfshirës e mbarëshqiptar për nga temat dhe pjesëmarrja.

 

Ruben Avxhiu

Ben & Jack Steakhouse është një restorant me pronë e administrim shqiptarësh, me shumë emër në New York dhe strategjikisht i ndodhur afër Selisë kryesore të OKB-së. Kjo e bën një nga vendet ideale për takime të këtij lloji me politikanë apo zyrtarë që vijnë për javën më të ngarkuar të Sesionit Vjetor të Asamblesë së Përgjithshme.
Takimin e hapi botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami, i cili foli për lidhjen e patundshme të shqiptarëve të Amerikës me atdheun. “Një fjalë e urtë thotë, sa më larg syrit aq më larg zemrës, po për ne shqiptarët e Amerikës është e kundërta. Sa më larg atdheut jemi, aq më të madhe e kemi dashurinë për të”.
Dëshira e shqiptarëve për të takuar vizitorët nga atdheu është pikërisht e lidhur me këtë. “Na duket sikur e sillni një pjesë të atdheut me vete kur vini këtu”, tha ai. “Për ne është një rast për t’u çmallur me atdheun po edhe për të biseduar për problemet e nevojat e tij”.
Presidenti Meta u ngrit pas tij, falënderoi pjesëmarrësit dhe vlerësoi lart rolin e diasporës. Përsëriti vargjet e Nolit, “Mbahu Nënë mos ki frikë…” dhe ngriti një dolli për të gjithë shqiptarët e Amerikës.
Presidenti vinte nga Shqipëria, po shqetësimi kryesor përreth tryezës vinte nga Kosova. Çfarë duhej bërë me këtë marrëveshje të propozuar? A mund të bëhej paqe me Serbinë përfundimtare? A mund të bashkohej vërtet Lugina me Kosovën?
Nuk kishte njeri në tryezë që i besonte Vuçiqit, disa nuk i besonin as Thaçit. Pothuajse të gjithë e shihnin dialogun me Serbinë si me përfitim vetëm në drejtim të Beogradit. Po gati të gjithë e pranonin se fati i Luginës së Preshevës meritonte vëmendje e kujdes. Ishte mbase i vetmi element i marrëveshjes fantazmë që i bënte miqtë nga atdheu dhe veprimtarët e komunitetit ta matnin e rimatnin edhe njeherë perspektivën e një pakti me vendin më pak të besueshëm në Ballkan, agresorin e djeshëm dhe ofenduesin e sotëm, Serbinë.
Lugina ishte e pranishme për shumë arsye të tjera. Një nga organizatorët kryesorë të takimit ishte botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, ishte vetë me origjinë nga Lugina e Preshevës; Presidenti Ilir Meta, ishte figura e parë politike nga Shqipëria në historinë e kombit tonë, që vizitoi Luginën e Preshevës; dhe jo më pak interesante, Presidenti Meta shoqërohej në atë tryezë, nga biznesmeni Muharrem (Marco) Salihu, “një biznesmen nga Medvegja që aktivitetin e tij e zhvillon në Venecia-Itali, por që nga fillimi i nëntorit të këtij viti fillon punën fabrika e tij, e ndërtuar, në vendlindjen e tij në Medvegjë, ku do te punesohen në fazën fillestare rreth 209 punonjës…”
Këto të dhëna për bizensmenin vijnë nga Ambasadori Flamur Gashi, njohës si rrallë kush i diasporës shqiptare, me të gjithë shkëlqimin dhe ndërlikimet e saj, diplomat e këshilltar presidencial, që ishte gjithashtu i pranishëm në këtë tryezë e në të gjitha takimet e presidentit, në SHBA.
E vendosur nga fati, në një cep të largët gjeografik e politik të botës shqiptare në Ballkan, Lugina ishte ulur në krye të vendit në tryezën e kësaj drake presidenciale në Manhattan.
Presidenti vetë e nisi bisedën duke treguar vizitën e tij të parë në Luginë, që do të ndiqej pastaj nga vizita të tjera të shumta, ai vetë u kthye aty, po ashtu si u vizitua mes sukses nga Sali Berisha, Edi Rama, Bujar Nishani e figura të tjera.
Ajo vizitë e parë, e vitit 2009, megjithatë mbetej e veçantë, se ende nuk ishte normalizuar vajtja e politikanëve nga Shqipëria në Luginë. Madje për të nuk u mor e nuk u dha leje.
“Kemi 97 vjet që e presim një vizitë të tillë”, u shpreh në atë kohë kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa. Ilir Meta ka armiqtë dhe dashamirët e tij në politikë, po një gjë është e sigurtë, ai ka zënë një vend të veçantë në historinë e Luginës së Preshevës.
Presidenti Meta tregoi edhe për vizitat e mëvonshme dhe diskutoi për zona të Luginës e për qytete të caktuara të Kosovës që i kishte vizituar e kishte plot opinione për to. Në veçanti, e cilësoi, gati të ngjashme për nga rëndësia historike, vizitën e tij të fundit në Plavë e Guci.
Ky kontekts panshqiptar i lëvizjeve politike shqiptare është një arsye më shumë se pse takimet e udhëheqësve politikë me shqiptarë të Amerikës nuk përfundojnë në debate të ashpra për korrupsionin e zgjedhje të politikës së brendshme.
Presidenti Meta përshkoi gjendjen e Medvegjës, me ndihmën edhe të pjesëmarrësve, zbrazjen e fshtrave nga shqiptarët, hapësirën e madhe për numër banori të komunës, të gjitha këto për të nënvizuar sesa e koklavitur mund të bëhej me shpejtësi puna për shkëmbim territoresh apo “korrigjim kufijsh”.
“Janë të shumtë ata që po japin mendime sot, po nuk i njohin realisht se ku janë këto troje në hartë dhe sesi mund të luajë Serbia me to, nëse pranon të hysh në atë lloj negocijimi”, tha Presidenti.
Ai hodhi poshtë arsyetimin e disa pjesëmarrësve se zyra e tij duhej të dilte me një qendrim publik për këtë punë. Ai nuk ishte i mendimit se duhej të fliste pa pasur diçka më konkrete apo një kërkesë nga Kosova për ndihmë e këshillim. Ai bëri një dallim të qartë nga udhëheqës të opozitës dhe të qeverisë, përfshi edhe kryeministrin Rama si dhe ish-kryeministrin Berisha. Po, nga ana tjetër shprehu zhgënjimin e tij me mënyrën sesi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ishte kundërpërgjigjur ish-kryeministrit Berisha.
“Ishte e rëndë për Shqipërinë”, tha ai, “edhe nëse nuk je dakord me Sali Berishën, ajo përgjigje ishte pa vend dhe na damkoste të gjithëve”.
Presidenti Meta kërkoi opinionin e hapur të pjesëmarrësve për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe premtoi se nuk do të merrte asgjë lehtësisht e se do të respektonte pavarësinë dhe të drejtën e vendimmarrësve në Kosovë.
Një shtet i pavarur që tani ka institucionet e tij, u shpreh ai.
Por paralajmëroi se mungesa e kujdesit në këtë flirtim me korrigjim ndryshimesh mund t’i kushtojë shumë Kosovës. Në mund t’i themi Perëndimit që e zgjidhim me marrëveshje këtë punë. Sigurisht, SHBA nuk do të ndërhyjë e të thotë nuk jam dakord me marrëveshjen e arritur Kosovë-Serbi, se do të ishte marrëveshje mes dy vendeve sovrane. Po nëse ndodh kjo negociatë dhe kjo marrëveshje duke shpërfillur këshillën perëndimore, nuk mund të shkojmë pastaj pasi punët të kenë dalë ndryshe dhe të kërkojmë ndihmë që të na nxjerrin nga situate ku hymë vetë.
Bashkë me Ambasadoren Besiana Kadare, Presidenti Ilir Meta foli për ambicjen e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Këshillit të Sigurimit, në vitet 2022-2023. “Kjo është një punë që ka filluar nga mbrapa skenave që 15 vjet më parë”, tha ai. Një e vërtetë, që i është komunikuar autorit të shkrimit edhe nga ish-Ambasadori Ferit Hoxha, gjatë kohës që shërbeu si Përfaqësues i Shqipërisë në OKB, me marrëveshjen për të mos zbuluar për publikun këtë punë, pa e vendosur qeveria shqiptare.
Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Besiana Kadare përshkroi shanset e Shqipërisë, punën që po bëhet, rëndësinë historike që do të ketë etj.
“Jemi kaq afër garantimit të anëtarësisë në Këshillin e Sigurimit”, tha Presidenti Meta, “sa puna më e madhe në këtë fazë nuk është më lobimi, por përgatitja voluminoze nga ana e diplomatëve tanë për të përballuar detyrat që vijnë bashkë me këtë arritje”.
Lidhur me të drejtën e votës të shqiptaro-amerikanëve dhe përfaqësimit të tyre në parlament dhe institucionet shqiptare, Presidenti Meta bëri një ndryshim nga politikanët që kanë ardhur në vite në SHBA, duke e pranuar se është e vërtetë që politika shqiptare ka frikë nga vota e diasporës.
“Nuk ju vjen dot njeri këtu e t’ju thotë, voto për mua, se ndryshe të hoqa nga puna”, tha ai. Një shprehje që u vlerësua nga të pranishmit për mungesën e dorezave. Pjesëmarrësit dhanë mendime sugjerime për këtë punë. Shumë vende e kanë aprovuar legjislacionin, kanë madje edhe deputetë nga diaspora. Pse të mos e bëjë edhe Shqipëria?
Alfonco Pelinci e pyeti Presidentin për çështjen e Çamërisë.
Presidenti Meta tha se shumë më sukses do të kishte pasur kauza nëse do të ishte kapur aspekti njerëzor i saj. Ai u shpreh se e vërteta është se janë bërë shumë gabime në vite. Disa nga entuziazmi i tepruar, disa për arsye abuzimi, e disa nga budallallëku e papjekuria. Janë gabime që i vuan sot çështja çame që kur përmendet tani keqinterpretohet jo vetëm nga grekët, po edhe nga aleatët tanë.
Sa për këmbënguljen greke se çështja çame nuk ekziston, Presidenti Meta tha se ka të mbijetuar të tragjedisë që janë ende gjallë. Ekzistojnë fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të atyre që u viktimizuan nga tragjedia. Sa kohë që ekzistojnë ata, ekziston edhe çështja çame.
Ai u tregua i rreptë nga ana tjetër, nga propozimet politike në këtë drejtim. “Nëse doni që të hiqem si pseudopatriot me deklarata madhore, gjeni ndonjë tjetër”, tha ai. “Mos prisni t’u premtoj gjëra që nuk bëhen”.
Ai tregoi kuriozitet të madh për Eglantin Dashin nga Shqipëria dhe punën e tij me aeroportet ndërkombëtare nëpër botë. Dikur një nga pilotët e parë të helikopterëve shqiptarë, ai ishte përgatitur në universitetet turke e amerikane e tani ka një karrierë të shkëlqyer këtu në SHBA. (Një intervistë me gazetën “Illyria” do të botohet së shpejti).
Veprimtari i njohur Skënder Perolli ofroi kujtime nga takimet e para të komunitetit me vizitorët nga Shqipëria. Një nga dëshmitarët e rrallë të këtyre takimeve, ai tregoi për vizitën e parë të udhëheqësve të opozitës Sali Berisha dhe Gramoz Pashko, për pjesëmarrjen e tyre në ceremoninë e rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë, në praninë ish-ministrit të Jashtëm Muhamet Kapllani.Përfshi edhe incidentin jetëshkurtër mes tyre. Një epokë e re e marrëdhënieve diasporë –atdhe po fillonte në ato ditë.
Gena Bajrami foli për dashurinë e shqiptarëve të Kosovës për flamurin kuqezi e për problem të identitetit që mbeten dilema të forta në jetën e shqiptarëve të Kosovës sot megjithë pavarësinë e çmuar.
Ajo tha se ka ardhur koha që Shqipëria të bashkohet me Kosovën.
Avokati i njohur, Eduard Toptani, pyeti për marrëdhëniet konkrete sot mes SHBA dhe Shqipërisë, në momentin e largimit të Ambasadorit Donald Lu, dhe zhvillimeve të tjera në vend. Presidenti Meta tha se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë shumë të ngushta dhe të paprekshme. Ai ndërrimi i ambasadorëve kishte ndodhur sipas procesit rutinor. Përgjigjia ishte gjithësesi më diplomatikja e asaj dreke.
Në fund, pesëmarrësit bënë fotografi në grup e me njëri-tjetrin, bashkë me premtimet për t’u takuar përsëri, mbase në Tiranë.
Përshtypja kryesore që la Presidenti Meta ishte gatishmëria e tij për të dëgjuar mendimet e pavarura dhe shpesh të kundërta të të pranishmëve. Disa mund të kenë ikur madje me pendimin që nuk treguan më shumë guxim e ta shfrytëzonin më shumë shansin që rrallë ta japin politikanët nga Tirana e Prishtina. Nganjëherë, madje, nuk e fshehu zhgënjimin kur përgjigjia e marrë nuk kishte hapjen që priste. “Ma thuaj sikur të mos isha Presidenti”. Ky nuk është një inkurajim që e dëgjon shpesh nga politikanët shqiptarë. Mbase sinjalizon një ndryshim. Po mund të jetë edhe thjesht iluzioni i radhës.

Comment

*