Një ekspozitë që shfaq jetën e një vendi nëpërmjet imazheve fotografike të Marubëve

Intervistë me ekspertin e artit dhe profesorin Zef Paci, kuratorin e ekpozitës “MARUBI Jetë në imazhe”, të hapur në GR Art Gallery, në Stamford Connecticut

 

Intervistoi Ruben Avxhiu

Urime për ekspozitën “MARUBI Jetë në imazhe”, të hapur në Stamford, Connecticut. Si u bë e mundur kjo ekspozitë?
Ideja e kësaj ekspozite qe shtruar, rreth dy vjet më parë, kur u takova me piktorin Gjergj Pali në Shqipëri e më propozoi të organizonim një aktivitet në Galerinë e tij në Stamford, CT. Ndër idetë e hedhura aty ishte ftesa për Marubin. E Gjergji më tregoi se kur u ishte arratisur prej Shqipërie, ndër gjërat më të domosdoshme që kishte pasë me vete në atë sipërmarrje të rrezikshme ishte një album i Marubit e tesh që punët i shkonin mirë do të ishte i lumtur jo vetëm që të ekspozonte Marubët në galerinë e vet, por edhe të kryente realizimin konkret të çdo hallke të ekspozitës (printimet, disa prej tyre në alumin, kornizat, stereoskopet, transportin, posterat e ftesat, bufetin) pa asnjë shpërblim përveçse atij shpirtëror. Edhe për mua ishte një kënaqësi të ofroja kontributin tim si kurator i kësaj ekspozite. Që në verën që shkoi ai i dërgoi kërkesën për bashkëpunim përmes kësaj ekspozite Muzeut Marubi e Ministrisë së Kulturës. Kur kërkesa u aprovua filloi ndërtimi i ekspozitës që u hap më 17 mars 2017. E duhet të them se kemi pasur një bashkëpunim të frytshëm me Muzeun Marubi nëpërmjet gatishmërisë e ndihmës së drejtorit, z. Luçjan Bedeni e bashkëpunëtorëve të tij, z. Gjergj Spathari dhe zj. Tea Çuni.

 

Çfarë përparësish keni pasur në kurimin e kësaj ekspozite? Çfarë jeni përpjekur të realizoni?
Që në fillimet e ideimit mbi ekspozitën me rëndësi ishte të gjehej synimi i kësaj ekspozite dhe i zhvendosjes së Marubëve nga qyteti i lindjes dhe nga muzeu i tyre në një kontekst tjetër, në një kontinent, në një shtet tjetër dhe një galeri tjetër. Nisur nga këto shtrohej pyetja se kujt do t’i interesonte, kush do të ishte publiku i mundshëm i Marubëve. Natyrisht, sjellja e kësaj ekspozite fotografike në SHBA, CT, Stamford në GR Art Gallery çonte në vend skajshëm tiparin e përveçëm kontradiktor “këtu e tani” dhe “atje e atëherë” të fotografisë. Por veç kësaj, më vyente spektri i gjerë që kishte vepra fotografike e Marubëve e cila e shtrirë në gati njëqind vjet ofronte një thesar të madh në shumë drejtime. Një arkiv i çmueshëm në aspektin dokumentar, historik, etnologjik, social, artistik. Kështu duke pasë parasysh këtë shtrirje, interes dhe kohëzgjatjen e veprës së tyre (100 vjet), si temë e ekspozitës qe jeta që ata ndoqën përmes frëngjisë së aparatit fotografik por edhe duke marrë pjesë në të. Prandaj ekspozita mban këtë titull (Jetë në imazhe). Kështu u mendua për një ekspozitë që të shfaqte jetën e një vendi nëpërmjet imazheve fotografike të Marubëve. Fusha e gjerë e shikimit e Marubëve, gjuha fotografike e tyre sa lokale aq edhe e përbotshme mund të bënte që kjo ekspozitë të vizitohej per motive e lexime nga më të ndryshmet, prej njerëzish të ndryshëm, vendas të hershëm e më të rinj, të përhershëm e kalimtarë.
GR4_Marubis3
Ekspozita është rrokjezuar sipas hapësirave në disa nëntema:
Hapësira e parë (ajo e hyrjes), me pak fotografi, trajton një detaj nga një fazë e shkurtër por e stuhishme (një-dy vjeçare, 1913 – 1914) nga jeta e vendit tonë por e paraqitur në një aspekt që nuk shtjellohet dhe aq në formulimet e teksteve të historisë. Kjo mund të sjellë vënien në diskutim të vendimeve të rëndësishme politike të marra në tavolinë me kompromise e interesa të ndryshme por në rastin tonë, kjo vendosje nuk është bërë për të bërë politikë por për të vënë në diskutim tregimin historik, duke paraqitur përjetimin e atëhershëm që na ofron sot një medium si fotografia. Këto imazhe na kujtojnë se është më e rëndësishme të shohim se çka na zbulon e na vë përpara fotografia, sesa çka kërkojmë prej saj.
Duke ndjekë shtjellimin kronologjik të ekspozitës, hapësira që pason kur zbret shkallët (ajo më e madhja) artikulohet në tre faqata. Faqata majtas (e ndarë në tre kompartimente) na paraqet një përmbledhje fotografish që mbartin imazhe të ciklit të jetës (fëminija, pjekuria, vdekja) të gjetura përmes ritualeve njerëzore (pagëzimë, synete, krezmime, fejesa, martesa, e për t’u mbyllë me vdekjen, vigjiljen e saj, zinë e mbajtun. jazë, procesione, funerale). Ajo djathtas paraqet aktivitete të ndryshme njerëzore. Në mes këtyre dy faqatave me rituale e aktivitete njerëzore, d.m.th te faqata ballore janë ekspozuar çaste nga jeta e vetë Marubëve edhe pse një pjesë sado e vogël nga jeta e tyre është në çdo fotografi.
Hapësira pasuese, duke qenë hapësira e ashensorit, një strukturë që i çon njerëzit lart e poshtë mbart fotografi që ruajnë një gjurmë magjie e ëndërre si dhe makthi a zhgjandrre, herë misterioze e herë të pahijshme. Kjo zonë mbaron me një koridor të ngushtë ku janë ekspozuar fotografi të burgosurish të cilat sot krejt mirë mund t’i lexojmë edhe jashtë kontekstit e funksionit të realizimit të tyre.
Hapësira e fundme i kushtohet njerëzve e vendeve duke sjellë personazhe prej shtresash të ndryshme shoqërore dhe peizazhe qyteti të qendrës e periferisë së Shkodrës, kalasë, liqenit, maleve e lumejve. Njerëzit dhe vendet rrinë këtu jo doemos për rëndësinë e tyne historike, po për gjetjen e fotografit me nji kompozim të kërkuar, me gjeste domethënëse, nën nji dritë të caktuar (ku na shfaqet nji botë e pasur psikologjike që i përket sa subjektit aq edhe vështrimit të fotografit).

 

Çfarë përshtypjesh ju la GR Gallery e George dhe Rozafa Palit?
Është një Galeri e porsahapur në të cilën kam punuar me një mbështetje e gatishmëri të madhe si nga ana e realizimit të çdo detaji që kishte të bënte me ekspozitën nga George dhe stafi i galerisë ashtu edhe nga ana e një pritjeje shembullore, shumë të ngrohtë nga George e nga Rozafa.
Gjithashtu më ka bërë shumë përshtypje gjesti altruist i hapjes së pari të galerisë jo me veprat e veta por me Marubin. Shpresoj e uroj të ecë mirë në të ardhmen.

 

Cilat kanë qenë reagimet e vizitorëve shqiptarë dhe amerikanë ndaj ekspozitës, me aq sa mund të keni vënë re?
Ekspozita ka pak ditë që është hapur… për momentin mund të flas për reagimet e vizitorëve shqiptarë të cilët ishin të shumtë në hapjen e saj e besoj se ishin të kënaqur, edhe për faktin se mund të kishin para syve një imazh nga vendlindja e tyre këtu. Kjo ekspozitë mund të vlente edhe për të zgjuar kujtimet e tyre, shuar apo zgjuar mallin por edhe një mundësi për t’u bërë bashkë në një galeri ku ekspozohej Shqipëria e Shkodra nëpërmjet Marubëve.

 

Edhe sa kohë mund ta shohin njerëzit ekspozitën në Stamford? A ka ndonjë plan për të udhëtuar diku tjetër ekspozita? Cili do të jetë angazhimi juaj i radhës?
Ekspozita do të rrijë e hapur për katër muaj, pra deri me 17 korrik 2017 e kështu me këtë kohështrirje shpresoj të vizitohet edhe nga personat e interesuar profesionalisht për fotografinë dhe artin. Nuk ka një plan për dikund tjetër, ishte një ekspozitë e menduar posaçërisht për këtë vend si kontekst edhe si hapësirë ekspozuese. Angazhimi im është së pari të kthehem në punë, mësimdhënie, e nga vjeshta është organizimi i ekspozitës së Çmimit “Idromeno” në Galerinë e Artit të Shkodrës.

 

A është kjo vizita e parë për ju në SHBA? Cilat kanë qenë disa nga përshtypjet tuaja, nëse mund t’i ndani me ne?
Kjo është hera e dytë që vij në SHBA, herën e parë erdha për të parë e njohur hapësirën e galerisë për të organizuar ekspozitën në fjalë. Gjatë asaj periudhe, por edhe këtë herë, duke pasur si guidë Gjergj Palin, pata mundësinë të vizitoja disa muzeume shumë të mira.

GR1 GR2

Comment

*