Një foto dhe …disa rreshta — Gëzim Qendro

Atë mbrëmje shkurti 2016, më ra pak si vonë celulari, ishte miku im Gëzim Qëndro. Ai më njoftonte se nesër në sallën e bibliotekës së GKA (Galeria Kombëtare e Arteve), do të mbronte doktoraturën dhe se do t’i pëlqente prania ime në sallë. Menjëherë i premtova se do shkoja ta dëgjoja, madje edhe me kënaqësi. Gëzim Qendro (1957-2018) ishte dhe mbetet një nga studiuesit më në zë të arteve pamore në vendin tonë
Në shkurt të atij viti ai jepte mësim në Universitetin “Polis”, por në vitet 1998-2002 Gëzimi kreu detyrën e Drejtorit të GKA, ku la gjurmë me vlera. Gjatë atij katërvjeçari atje u hap Bibioteka e Galerisë, nisi dhe vazhdoi Konkursi Kombëtar “Marubi” i Fotografisë, u botua revista “PamorArt” dhe u çel libraria për botime mbi artet pamore brenda institucionit. Po ashtu Gëzimi kishte botuar studimet: ”Rexhep Ferri-Monografi-2010”, “Arkeologjija e mëngjezit-përsiatje rreth veprës së piktorit Rexhep Ferri-2012”, “Gjuha Pamore (Pj.I)-2013” dhe “Heronjtë janë të uritur-2015”, si edhe në Francë librin “Le surrealism de l’utopie” në vitin 2014. Po ashtu ai ka botuar shumë artikuj studimor mbi artet pamore në Shqipëri. Gëzim Qendro është nderuar edhe me çmimin e Frankofonisë. Një vit më pas, 2017, ai botoi studimin e vyer “Kinostudio Shqipëria e vjetër”.
Tema e doktoraturës ishte analiza e tablos kompozicionale “Vizitë në plagë“ të piktorit Enkelejd Zonja, në qendër të saj ishte figura e diktatorit Hoxha trajtuar me rezonim kristian dhe social. Ishte një punë kurajoze dhe dëshmonte nivelin e artit të piktorit.
Analiza e Gëzimit ishte e rrjedhshme, e thellë, bindëse e ndiqej me kënaqësi të veçantë nga juria, por edhe nga të pranishmit në sallë. Përfundimi nuk ishte i papritur, ai e mbrojti me shumë aftësi titullin “Doktor”. Ndërkohë, si me ndrojtje, duke shkëputur vemendjen pak çaste nga analiza e kisha fotografuar duke folur. Në planin e parë të fotos, me kurriz nga shikuesi, janë antarët e jurisë, Josif Papagjoni, Ferid Hudhri, Besnik Alija dhe Vaso Tole, ndërsa Gëzimi në planin e dytë, përballë në këmbë..
Fatkeqësisht vetëm dy vjet pas marrjes së doktoraturës (27 shkurt 2018), Gëzimi ndëroi jetë, duke krijuar boshllëk të thellë në familje, miqtë e shumtë dhe në artin shqiptar.
Është e vetmja foto e Gëzimit nga aparati im, e për këtë ndjej keqardhje të madhe, por sa herë e shikoj, më kujtohet fare mirë ajo ditë shkurti e vitit 2016 kur ai filloi të emërtohej edhe de jure Dr. Gëzim Qendro, se de facto, kish kohë që e meritonte.

Qerim Vrioni

Comment

*