”Një foto e rrallë e Mit’hat Frashërit, si udhëheqës i Komitetit “Shqipnija e Lirë”

Bashmir Xhemaj :” Përgjatë pesë minutave, ai u foli shqiptarëve për të keqen që e kishte gjetur Shqipërinë nga komunistët”

 

Beqir SINA

NEW YORK : Diplomati nga Kosova, Bashmir Xhemaj, në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, ka publikuar një fotografi , të pa publikuar ndonjëher, dhe nga ato fotografi që thirren sot të rralla.

Një fotografi, kjo, që ka dy pika shumë të rëndësishme : e para është ajo që ka zgjedhur si më pikante Xhemaj, dhe vendosur në diçiturë, duke spjeguar momentin kur është realizuar, ajo pra momentin kur Mit’hat Frashërit, si udhëheqës i Komitetit “Shqipnija e Lirë” teksa bëhej gati tu drejtohej shqiptarëve përmes radios BBC në Londër, në Shtator të 1949.

E dyta, është ajo se kur vinte puna për të folur për fatet e atdheut shofim momentin se si bashkoheshin udhëheqësit politik nacionalist në atë kohë, kundra kuçedrës komuniste në Shqipëri, që po robtonte vendin tonë, duke e mbajtur për 45 vjet nën diktaturën më të egër komuniste popullin shqiptar nën sundim sllavo – komunist.

Kryeredaktori i gazetës shqiptaro amerikane Illyria në New York, Ruben Avxhiu, gazetar dhe analist e ka komentuar fotografinë e publikuar nga Xhemaj, duke e krahasuar me takimet e “pamundura” të udhëheqësve politikë, sot në Tiranë e Prishtinë, duke thënë se: “Mbledhja e tyre në një dhomë, nuk ishte e lehtë. U deshën shumë akrobaci diplomatike nga amerikanët dhe anglezët për t’i bashkuar antikomunistet në emigrim. Jo shumë më ndryshe nga ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve mes partive politike shqiptare sot”.

Diplomati kosovar Xhemaj, shkruan :”Një foto e rrallë e Mit’hat Frashërit, si udhëheqës i Komitetit “Shqipnija e Lirë” teksa bëhej gati tu drejtohej shqiptarëve përmes radios BBC në Londër, në Shtator të 1949. Përgjatë pesë minutave, ai u foli shqiptarëve për të keqen që e kishte gjetur Shqipërinë nga komunistët: “Pushtimi i Shqipërisë prej komunistëve dhe largimi i aleatëve nga toka jonë detyroi shumë shqiptarë që të marrin udhën e mërgimit, jo për t’u larguar nga rreziku komunist, sa për të vazhduar veprimtarinë e tyre dhe për të mos prerë marrëdhaniet me fuqitë liberale të oksidentit me të cilët kanë qenë në kontakt edhe në Shqipëri”.

Ndërsa shton se ky vit, përkon edhe me fillimin e operacionit diversant të CIA-së në Shqipëri, ku Komiteti kishte barrën kryesore të rekrutimit të shqiptarëve që do të hidheshin në Shqipëri, pjesë e të cilëve u bë edhe Destan Berisha nga Prizreni.

Në këtë foto, bashkë me Frashërin janë edhe një pjesë e anëtarëve të Komitetit, si Abaz Kupi, Seit Kryeziu dhe Nuçi Kota, thotë ai.

Ndërkohë, sot mund të kujtojmë se portreti i babait të tij, rilindësit Abdyl Frashëri, varej në muret e shkollave në Shqipëri, gjatë kohës së sundimit komunist, ndërsa ai, i biri, konsiderohej armik i popullit gjatë komunizmit.

Historia e Mit’hat Frashërit, i njohur më tepër me pseudonimin e tij Lumo Skëndo, është një nga paradokset e shumta të shoqërisë shqiptare gjatë regjimit komunist.

I detyruar të largohet nga Shqipëria në vitin 1944, si kundërshtar i Partisë Komuniste, vdiq në 3 tetor të vitit 1949 në New York të Amerikës.

Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, veprimtaria dhe jeta e tij u la në harresë të plotë. Kreu i Kongresit të Manastirit, ministër në Qeverinë e Ismail Qemalit, ministër Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në vitet 1923.1925 në Athinë, e më pas një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, nuk u bë pjesë e asnjë kurikule shkollore në Shqipëri.

Por, ai njihet edhe si një nga njerëzit që kishte një nga bibliotekat më të mëdha. Mbas çlirimit të Shqipërisë u vendos sekuestro mbi pasurinë e Mit’hat Bej Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e tij. Sot, rreth 40 mijë vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Comment

*